Topalli kopjon faqen e Obamës për President, Berisha: Nuk do ketë zgjedhje të parakohshme

May 15, 2012 | 12:00

Ndryshon portali në internet i prezantimit të kryeparlamentares.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nis fushatën për postin e Presidentit të Republikës. Përgatitjet e zonjës Topalli për kreun e shtetit duket se kanë nisur me kurimin e imazhit dhe përçimit të informacionit online. Topalli ka zgjedhur si shembull për të ndjekur dhe modelin e fushatës së Presidentit amerikan, Barak Obama. Së fundmi, faqja e internetit e kryetares së Kuvendit ka marrë imazhin e një prej uebeve më të rëndësishëm dhe më të klikuara në botë, asaj të Shtëpisë së Bardhe dhe Presidentit Barak Obama. Jo rastësisht ndryshimi i faqes ka ndodhur prej disa javësh dhe që përkon me nisje të fushatës dhe daljes në arenën politike të emrave dhe pretendentëve për karrigen e kreut të shtetit. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli është një prej emrave më të lakuar dhe e propozuar në shumë raste nga deputetët e maxhorancës, si kandidate për postin e Presidentit. Vetë kryeparlamentarja në intervistat e saj i ka shmangur pyetjet e gazetarëve për një ambicie presidenciale.
Imazhi
Në foto krahasuese të dy portaleve online, mund të thuhet se i vetmi ndryshim që mund të gjendet është gjuha, pasi ndërtuesit e faqes janë treguar të kujdesshëm që të bëjnë përshtatjen e modelit amerikan me atë shqiptar. Për të arritur në faqen e kryetares së Kuvendit, është shumë e thjeshtë, mjafton të klikosh një nga lajmet apo aktivitetet e saj në faqen “Parlament.al” dhe, menjëherë pas klikimit, lajmi hapet për përdoruesit online në një tjetër domain, që është “kryetari.parlament.al”. Është pikërisht kjo faqe e dytë që është imituar nga faqja e Presidentit Barak Obama. Karakteristikë e të dyja faqeve ueb është fakti se sfondi i tyre është ngjyrë e bardhe dhe me blu të theksuar. Gjithashtu ngjashmëria kryesore është dhe në vendosjen e logos së Parlamentit dhe të selisë së Shtëpisë së Bardhë, që është në qendër të faqes. Ndërkaq, edhe shkrimi i përdorur në të dyja faqet përbëhet nga i njëjti shkrim dhe ngjyrë gri. Mirëmbajtja e faqeve online të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, angazhon çdo ditë një staf prej jo më pak se katër punonjësish të zyrës së shtypit pranë Parlamentit.

Komunikimi
Komunikimi online i kryeparlamentares Jozefina Topalli i qëndron “besnik” rrjetit social “Facebook”. Faqja online e kryetares së Kuvendit pasqyron çdo ditë në internet çdo aktivitet dhe fotot përkatëse, të cilat në të shumtën e rasteve komentohen nga simpatizantët. Në shërbimet e faqes online, zonja Topalli ka preferuar që aktivitetet e saj t’i përçojë vetëm në “Facebook” dhe jo në “Twitter”, siç bën çdo ditë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Faqja zyrtare e Kryetares së Kuvendit dhe, njëherësh nënkryetare e Partisë Demokratike, ndiqet çdo ditë nga 3727 përdorues të internetit dhe rrjetit social “Facebook”.

Qëllimi
Kryetarja e Kuvendit në faqen e saj të uebit fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë teknologjitë e komunikimit për të qëndruar në kontakt dhe për të shprehur të gjitha mendimet apo problematikat e tyre. Në faqen ueb “jozefinatopalli.al” thuhet se: “Nga përvoja ime politike kam kuptuar se misioni i një politikani apo politikaneje bëhet gati i pamundur në momentin kur fillon izolimi i tij nga zgjedhësit dhe qytetarët e tij. Fatmirësisht interneti dhe teknologjitë e reja të komunikimit na ofrojnë një mundësi më shumë për ta thelluar bashkëbisedimin tonë. Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi nëpërmjet kësaj faqeje të re”.

Presidenti, Berisha: Nuk ka zgjedhje të parakohshme

Kryeministri flet për kreun e shtetit në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Berisha në mbledhjen e Grupit të PD

“Do jetë politikan i dorës së parë, javën tjetër Kryesia”
Vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të zgjedhjes së Presidentit. Kryeministri Sali Berisha është shprehur dje në Grupin Parlamentar i sigurt në gjetjen e një kandidati që të marrë votat e nevojshme në një nga pesë raundet e parashikuara në Kushtetutë. Në përfundim të fjalës para deputetëve, ku ishin të pranishme edhe mediat, në pjesën me dyer të mbyllura kreu i maxhorancës është ndalur për pak minuta në çështjen e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Fillimisht ai ka deklaruar se vetëm pasi të kthehet nga Samiti i Çikagos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të mbledhë Kryesinë dhe Grupin Parlamentar për të folur parimisht për këtë çështje. “Siç jam shprehur, ne kemi figura dhe personalitete të PD-së për postin e Presidentit. Megjithatë, kur të kthehem nga një vizitë në SHBA, në Samitin e Çikagos, do të mbledh Kryesinë dhe do të diskutoj në parim për këtë çështje. Presidenti do të jetë një njeri politik sepse i tillë është edhe pozicioni. Ai do të jetë politikan i dorës së parë dhe jo i dorës së dytë apo të tretë”, mësohet të ketë thënë Kryeministri. Por, ndërsa ka deklaruar se do të flasë me forumet pas rreth një jave, ai është shprehur i sigurt në zgjedhjen e Presidentit brenda pesë raundeve, duke përjashtuar çdo mundësi për dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Berisha foli edhe për takimin me ish-kryeministrin socialist Fatos Nano. “Me aleatët do të diskutoj fillimisht, por edhe me opozitën. Pak ditë më parë, siç jeni njoftuar edhe nga mediat, kam takuar Fatos Nanon si ish-kryeministër dhe si një njeri që më dorëzoi shtetin. Maxhoranca nuk shkon në zgjedhje të parakohshme për Presidentin, por do të gjejmë mundësitë për ta zgjedhur. Ne kemi një marrëveshje me aleatët për qeverisje, Presidenti është një çështje tjetër. Por nuk përjashtoj asnjë kandidaturë nga maxhoranca sepse ne kemi personalitete”, mësohet të ketë thënë kreu i qeverisë.

Arvizu: Presidenti, që në raundin e parë
Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, tha pas një takimi me kreun e PS-së, Edi Rama, se “emrat janë ata që ju dëgjoni gjithandej. Ne nuk u fokusuam në mënyrë ekskluzive apo në mënyrë parësore rreth emrave specifikë. Pati bashkëbisedim rreth një individi të caktuar, që është përballë një individi tjetër. Ne e dimë se çfarë thotë Kushtetuta. Më lejoni të jem i sinqertë. Objektivi i klasës politike duhet të jetë zgjedhja e Presidentit që në votimin e parë”.

Islami: Presidenti, nga bisedimet pas 24 majit
Ish-deputeti i PS-së, Kastriot Islami, tha në një intervistë për gazetën “Panorama” se kreu i ri i shtetit do të dalë nga bisedimet që nisin pas 24 majit. “Duhet të kujtoj se ky proces, sipas Kushtetutës, fillon më 24 maj 2012, dhe në respekt të Kushtetutës, por edhe të Presidentit në detyrë, duhet që debati, konsultimet dhe negocimet institucionale në Kuvend të fillojnë në respekt të afateve kushtetuese, pra pas datës 24 maj 2012, pa mohuar të gjitha takimet e konsultimet midis aktorëve politikë”, tha Islami.

FATION BINJAKU & ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura