Topalli: Kombi ynë s’është i plakun, ka Nanën e lumnueme

Sep 7, 2012 | 11:58
Topalli gjatë ceremonisë dje në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë ka çelur siparin e kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë në një ceremoni të veçantë në nderim të kujtimit të 15-vjetorit të ndarjes nga jeta të humanistes së madhe shqiptare Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhi). Me këtë rast, të ftuar ishin Kryeministri Sali Berisha, përfaqësues të misionit “Nënë Tereza” në Shqipëri, klerikët më të lartë të tri besimeve fetare, të afërm të familjes së Nënë Terezës, deputetë dhe personalitete të fushave të ndryshme. Gjatë fjalës së hapjes së ceremonisë, kryeparlamentarja Topalli tha se në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë përkujton me krenari burrat e gratë që shkrinë jetën për kombin. “Gonxhe Bojaxhiu është njëra, pa dyshim me e madhja shqiptare e të gjithë kohëve që iluminon me veprën e saj të dhembshurisë; mes këtyre njerëzve ajo ndjeu thirrjen e përkushtimit. Nënë Tereza është nëna e gjithë botës. Zoti i dhuroi kombit tonë bijën më të dashur dhe njerëzimit, princeshën e dhembshurisë. Puna dhe vepra e saj vazhdon të inspirojë miliona njerëz në botë. Dhe së fundi e për ta mbyllur këtë përsiatje të shkurtër, më vjen ndërmend t’ju kujtoj një fjali të një shkrimtari, që thotë se “Asnjeri nuk mund të quhet i plakur, për sa kohë që e ka nanën gjallë”. E në këtë rast, unë kisha me thanë se asnjë komb nuk mund të quhet i plakun për sa kohë që e ka Nanën e vet të lumnueme”, u shpreh Topalli. Nga ana tjetër, Kryeministri Sali Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë që Nënë Tereza nuk harroi as edhe një moment të tregonte para botës, me krenari, origjinën e vet shqiptare. Berisha tha se “Nënë Tereza është simbol i fuqisë së moralit, i dashurisë njerëzore, gruaja më e njohur pas Shën Mërisë, më e dashur, më fisnike dhe njerëzore për të gjithë krishterimin dhe njerëzimin”. Këto 20 vite kam takuar jo pak personalitete të mëdha shqiptare në botë, prej tyre me sinqeritet ka pasur dhe që më kanë rrëfyer: “Sali, për ne ishte e pamundur të pohonim se jemi shqiptarë me origjinë, sepse me ato që ndodhnin në Shqipëri, Shqipëria ishte bërë simbol poshtërimi, përçmimi dhe ne nuk e gjenim veten, nuk gjenim kurajën shpirtërore t’u thoshim miqve tanë amerikanë apo të tjerëve, të pohonim përkatësinë tonë shqiptare. Kurse ti në çdo minutë, në çdo orë, çdo ditë, kudo shfaqeshe krenare me nënën tënde, me familjen tënde, me babain tënd, me kombin tënd, dëgjoje marrëdhëniet e saj me vendin”. Në mbyllje të seancës solemne, kryetarja e Kuvendit i dhuroi në shenjë nderimi për misionin e Nënë Terezës, një prej motrave të misionit të saj në Shqipëri, “Aktet themeluese të Shtetit Shqiptar, 1912-1922”. Ky botim i posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë del në dritën e kremtimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit Shqiptar. Ai mban logon zyrtare të përvjetorit jubile, një emblemë e gdhendur krejtësisht me dorë dhe e larë në ar.

© Panorama.al

Te lidhura