
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka mbërritur në Liban ku do të qëndrojë për një vzitë zyrtare, të parën e këtij niveli të lartë politik nga Shqipëria në këto 20 vite.
Ajo është ftuar nga homologu i saj libanez, Nabih Berri, ndërsa në ditën e parë të vizitës u prit në takim në Pallatin Presidencial nga Presidenti i Libanit, Michel Sleiman.
Intensifikimi i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohja e Pavarësisë së Kosovës janë temat për të cilat kryeparlamentarja Topalli do të negociojë.
Gjatë një takimi me shoqatat e industrialistëve dhe investitorëve libanez, Topalli ka bërë një prezantim të Shqipërisë, mundësive të jashtëzakonshme natyrore dhe ekonomike, shanseve të mëdha që vendi ynë ofron.
Sipas njoftimit të zyrës së Kuvendit, përfaqësuesit e shoqatave të industrialistëve dhe turizmit kanë shprehur interes për Shqipërinë, ku në maj të këtij viti pritet të vizitojnë vendin tonë për të parë nga afër mundësitë që ofron Shqipëria për investimet libaneze.
Kryetarja e Kuvendit kërkoi që Libani të shohë mundësinë e njohjes së Kosovës dhe ky do të ishte një kontribut shumë i rëndësishëm.
Ajo theksoi se “Rajoni ballkanik ka vuajtur shumë nga luftrat dhe genocidet por, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ky rajon reflekton paqe e stabilitet. Deri tani e kanë njohur Kosovën, 87 vende nga Europa, SHBA, vende të Azisë, etj”
© Panorama.al











