Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Presidenti i Republikës shkëmbyen dje replika në distancë për dekorimet e bëra nga Presidenca. Të dy personalitetet morën pjesë në homazhet që u bënë në nderim të dy martirëve të demokracisë, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, trupat e të cilëve u gjetën 27 vjet pasi u pushkatuan nga regjimi komunist. Topalli i beri thirrje institucionit të Presidentit që të mos guxojë të dekorojë personazhe që kanë qenë të implikuar në diktaturë. “Është një moment për të ftuar këdo që ka një pozicion të caktuar, përveç të tjerëve, për t’i thënë fort që të mos guxoni më të dekoroni ata që kanë vrarë në mënyrën më barbare, si këta dy djem të rinj, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, ashtu dhe me mijëra e mijëra të tjerë. Ajo është fyerja më e madhe që mund t’i bëhet vetes së tyre, familjeve të tyre dhe neve si komb”, tha Topalli. E pyetur se për kë e ka në veçanti, Topalli tha: “E dini vetë. Këtu nuk mund të rri pa thënë që ata që dekorojnë vrasësit e tyre janë më tepër se hipokritë”. Por, më pas, kreu i shtetit u pyet në lidhje me
këtë deklaratë. “Unë besoj që çdo adresim për elementë të tillë, që nuk e di se ku drejtohen, por pavarësisht nëse kanë
një nëntekst, besoj që janë të gabuara. Institucioni i Presidentit ka bërë më shumë se çdo institucion tjetër, ka hapur dyert e institucionit dhe besoj se duhet ta dini se asnjëherë institucioni i Presidentit nuk bën dekorime me iniciativa personale. Ato vijnë si propozime nga institucionet. Është një histori, e cila është ezauruar. Është një rast i veçuar individual dhe besoj që nuk mund të eklipsojë në mënyrë absolute atë vetëdije që ka Presidenti, i cili vjen nga një familje e të përndjekurve politikë për të mbështetur këtë klasë”, u përgjigj Topi.











