Topalli: Bllokimi i reformës zgjedhore dëmton PS

Jun 20, 2012 | 16:32

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka përsëritur gatishmërinë e maxhorancës për përmbylljen e reformës zgjedhore, heqjen e imunitetit dhe reformën parlamentare, duke deklaruar se ajo mbetet e hapur për çdo propozim të opozitës. Deklarata është bërë sot gjatë një takimi që Topalli zhvilloi me Drejtorin për Zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme, në Mbretërinë e Bashkuar, Ouen Jenkins, i cili shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë, Nicholas Cannon OBE.

“Meqë më shumë se  90%  e punës është e përfunduar bllokimi në fund i kësaj reforme, dëmton vendin, por edhe vetë opozitën.  Mazhoranca ka shprehur të gjithë vullnetin e saj për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë dhe mbetet e hapur për çdo propozim të opozitës”- tha Topalli, duke u ndalur në punën e Kuvendit të Shqipërisë për përmbylljen e plotë të reformes zgjedhore ne perputhje me rekomandimet e OSBE-ODHIR, si dhe përfundimin  e reformes parlamentare.

Sipas saj, Shqipëria ka kryer transformime të mëdha, është një model progresi ekonomik, me një rol aktiv dhe konstruktiv në rajon.

“Unë mendoj se marrja e statusit të vendit Kandidat, përbën një inkurajim të jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët në të ardhmen e tyre në BE”- tha ajo.

Nga ana e tij Drejtori për Zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme britanike, z. Ouen Jenkins vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit,  përpjekjet e vazhdueshme për përmbushjen e rekomandimeve të BE dhe qëndrimin e saj si faktor me ndikim në stabilitetin e rajonit.

© Panorama.al

Te lidhura