Ish-kryeministri britanik, Toni Bler, një nga nismëtarët e aksionit të NATO-s që i dha fund gjenocidit të ushtrisë serbe në Kosovë, ka vizituar dje Prishtinën duke u shprehur krenar për transformimin e shtetit të ri. “Jam krenar për vendimin për Kosovën. Jam krenar për popullin e saj, që e ka lënë pas të kaluarën. E dua këtë vend dhe njerëzit e tij”, tha Bler. Ai ka vlerësuar progresin që po arrin Republika e Kosovës në të gjitha fushat, duke shprehur përkrahjen e tij të mëtejshme. Ai u shpreh i lumtur për mundësinë e përfshirjes së universiteteve kosovare në rrjetin global të universiteteve më të mira, ku ligjërohet programi i tij “Globalizimi dhe besimet”. Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, e cilësoi Bler-in një simbol besimi, optimizmi dhe shprese për qytetarët e Kosovës.











