“Todi Lubonja më tregonte se ato ditë pas festivalit kishte një parandjenjë të keqe”- Prapaskenat e Festivalit të 11-të: Ishte takuar me Ramiz Alinë, i cili i tha se Enveri…

Nov 8, 2023 | 7:37
SHPËRNDAJE

todi lubonjaNga Skifter Këlliçi

 

Është e katërta herë që po shkruaj për Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, (22-25 dhjetor 1972), aq sa ç’kam shkruar para disa kohësh për Konferencën e Tiranës, (16-20 prill, 1956). Edhe këtë radhë për të njëjtën arsye: për mungesën e saktësie historike të disa ngjarjeve që lidhen me këtë festival, të cilat Ramiz Alia, ish-sekretar i parë i parë i PPSh-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës, i përshkruan në librin e tij të fundit “Jeta ime” (2010), ndonëse në të ka pohime objektive, të sinqerta, sidomos  kur ai dëshmon  për gabimet e rënda që sollën në dështimin e sistemit komunist në Shqipëri, të drejtuar nga Enver Hoxha, ku edhe kërkon falje. Por në përshkrimin e figurës së tij, Ramiz Alia është shpesh herë kontradiktor, sidomos në kapitullin; “Lufta kundër liberalizmit”, ku ndalet te Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (22-25 dhjetor 1972).

Ditëlindja e Todi Lubonjës

Erdhi edhe 5 shkurti i vitit 1973, ditë që përkonte me 50-vjetorin e lindjes së Todi Lubonjës. Në gazetën “Zëri i Rinisë”, ndërkohë, më 23 janar, ishte botuar një letër e një grupi të rinjsh nga Lushnja, të cilët; “…ashtu si tërë rinia e vendit tonë, shprehnin reagimin e tyre të drejtë dhe kritikonin shfaqjet e huaja liberale e moderniste që u vunë re në Festivalin e 11-të të Këngës në Radiotelevizion”.

(Enver Hoxha, Vepra 50, shënime, faqe 8, 1986). Pra, për herë të parë nga këta të rinj përdoreshin termat të tilla, si; liberale moderniste, që ende nuk i kishte përdorur vetë diktatori, në diskutimin e mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor!

-Ajo letër dhe të tjerat që pasuan më vonë në gazetën, “Zëri i Rinisë”, – më tha një ditë Todi Lubonja, – ishin të kurdisura nga “lart”, për të treguar se; “ja, nuk jemi ne, por masat e gjera të rinisë, që na e mprehin vigjilencën, që na tërheqin vëmendjen për ato që ndodhën me festivalin në RTSh-së, ndaj dhe ne po u dalim përpara të këqijave, që mund të na rrezikojnë”.

Vërtet, në qoftë se të rinjtë lushnjarë e më pas të tjerët që shkruan ato letra, ishin indinjuar aq shumë për dukuritë liberale e moderniste, që kishin parë në Festivalin e 11-të, përse pritën… një muaj e më shumë, që të diskutonin dhe bashkërisht të dërgonin ato letra, (që pastaj në mbrëmje, të bënin të kundërtën- të ndiqnin me antena të sajuara programet muzikore liberalo-moderniste italiane dhe jugosllave), kur ato mund t’i kishin dërguar, kur ky festival sapo kishte përfunduar?!

Kush i pengonte?

Edhe sot, 49 vitesh nga zhvillimi i festivalit, disa nga këta të rinj që duhet te jenë 65-75 vjeç, po të kenë guximin qytetar, mund të rrëfejnë burimin e atyre letrave, të cilat ishin detyruar t’i shkruanin nën diktat, të thonë, pra, haptas të vërtetën e hidhur dhe tragji-komike. Në fakt, Todi Lubonja nuk u vuri rëndësi atyre letrave, nuk organizoi ndonjë takim, të paktën me punonjësit e sektorit të muzikës, ku të analizoheshin mendimet e këtyre të rinjve, të shprehura në to. Për më tepër, nuk dërgoi një përgjigje në formë autokritike, në gazetën “Zëri i Rinisë”, ku të kërkonte falje për vërejtjet e rënda kritike që parashtronin ata.

(Dhe, qoftë edhe sa për sy e faqe, këtë duhej ta kishte bërë, sepse  kështu ia kishte ënda diktatorit). Por, nga ana tjetër, jo më punonjësit e RTSh-së, por asnjë komunist, pas festivalit nuk e ngriti zërin e aq më tepër, nuk reagoi pas letrave në fjalë. Nuk pritej kurrë që pas atyre letrave Enver Hoxha, do të ndërmerrte një stuhi të papashme, me pasoja aq tronditëse.

Por të kthehemi te ditëlindja e Todi Lubonjës. Ç’është e vërteta, për ta festuar atë, nuk u bë mbledhje e kolektivit. Por, në sallën e pritjes së Televizionit, atë mëngjes, të pritur ngrohtësisht nga drejtuesit e RTSh-së pamë të futeshin-anëtarin e Byrosë Politike dhe zëvendëskryetarin e Këshillit të Ministrave, Adil Çarçanin, anëtarin e Komitetit Qendror dhe rektorin e Universitetin e Tiranës, Agim Meron, dhe shkrimtarin e njohur, Ismail Kadare, (këta dy të fundit miq, të ngushtë të Todit).

Pas një bisede të ngrohtë Adil Çarçani, në emër të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe të Këshillit të Ministrave, dekoroi Todi Lubonjën, me një urdhër të rëndësishëm, që, për fat të keq, nuk e kujtoj. Adil Çarçani, lexoi dhe motivacionin që e shoqëronte këtë dekoratë. Më pas, kur po shkruaja librin, “Historia e Radio-Televizionit Shqiptar”, (1938-1990)”, kam lexuar këtë motivacion, që u botua në revistën, “Tribuna e Gazetarit”, nr 1, 1972. Me sa mbaj mend, Todi Lubonja vlerësohej si luftëtar i paepur, në zbatimin me konsekuencë të vijës së Partisë në detyrat që i ishin ngarkuar, që pas çlirimit të vendit, si drejtues i shquar në frontin ideologjik…!

Të ishte dhënë kjo dekoratë e lartë pa dijeninë e Enver Hoxhës?! Të mos kishte lexuar ai këtë motivacion, prej një faqeje të ngjeshur, për këtë “bir besnik të partisë”, të cilin, pastaj, pa kaluar dy muaj, do të shpallte armik?! E pamundur! Ja, deri ku arrinte pabesia dhe çmenduria e këtij përbindëshi. A nuk kishte të drejtë tani Todi Lubonja, që të ishte i qetë, aq më tepër kur, siç më pati thënë, në takimet me të, atë pasdite, me përjashtim të Enver Hoxhës, për ta uruar, në apartamentin ku banonte, erdhën thuajse të tërë anëtarët Byrosë Politike, natyrisht, midis tyre edhe shoku i tij i fëmijërisë dhe i luftës, Ramiz Alia!

Tjetër fakt: Nga fundi i shkurtit, gjithnjë i vitit 1973, gazetari i talentuar, Petro Lati, kishte shkruar skenarin e një konkursi sportiv, ku do të merrnin pjesë, ekipe nga shkollat tetëvjeçare të Tiranës. Kërkoi që ta drejtoja unë. Nuk pranova. E para, se nuk më pëlqente që të merresha me fëmijë dhe, e dyta, se duke drejtuar “Rubrikën Sportive”, duke edhe paraqitur lajmet sportive në “Revistën Televizive”, ndoshta do të bëhesha i mërzitshëm, për teleshikuesit. Por nguli këmbë vetë Todi Lubonja, që të isha unë drejtues i këtij konkursi. Madje më thirri në zyrë. I shpjegova se… nuk kisha ndonjë kostum të hajrit, për të veshur me këtë rast. “Vesh xhaketën sportive të Bujar Kapexhiut, me të cilën doli në Festivalin e 11-të”, – më tha duke qeshur dhe më rrahu shpatullat. Dhe kështu u bë.

(Tjetër gjë, që nga fillimi i prillit, kur Todi Lubonja siç do të shohim, ishte larguar nga RTSh-ja, dhe konkursi kishte nisur të transmetohej në televizion, erdhën dy letra, ku vihej në dukje, se “unë u ngjaja komentatorëve televizivë italianë dhe, për më keq, komentatorëve… jugosllavë”, gjë e cila i llahtarisi drejtuesit e RTSh-së, aq sa deshën të ndërprisnin këtë konkurs, i cili po ndiqej me interes edhe nga të rriturit. Vetëm një ndërhyrje nga lart, e shpëtoi atë.)

Rrethi vicioz

Në mbrëmjen e 7 marsit, në Mynih do të luhej ndeshja midis “Bajernit” dhe “Ajaksit”, çerekfinale e Kupës së Kampionëve të Evropës. Por po atë pasdite, për Kupën Ballkanike, në Elbasan “Labinoti” vendas, do të vihej përballë “Budusnoctit” të Titogradit, (sot Podgorica). Kjo ndeshje transmetohej drejtpërdrejt në Radio, kurse TVSh-ja, do ta transmetonte të regjistruar në mbrëmje. Do të kishte, pra, përplasje. Ata të programacionit të TV-së, për të qenë “brenda”, donin të programonin ndeshjen e Elbasanit. Por, kush do ta ndiqte, kur të tërë dinin rezultatin dhe kur në Mynih, do të viheshin përballë Bekenbaureri me Kruifit?!

Atëherë vendosa që të takoja Todin. Trokita në derë dhe u futa brenda. Pashë që me dikë po bisedonte në telefon. Ngurrova, por, kur ai duke më buzëqeshur lehtë, ma bëri me dorë të hyja, dhe unë ashtu veprova. –“Mirë, shoqja Vito, – po thoshte ai. – Kështu do të bëjmë, do të dërgojmë gazetarin dhe operatorin në zyrën tuaj, që të bëjmë intervistën për 8 Marsin”. Kuptova se Todi, po bisedonte me Vito Kapon, kryetare e Bashkimit të Grave, dhe e shoqja e, as më shumë e as më pak, por e Hysni Kapos, numrit 2 në hierarkinë partiake.

Pasoi një bisedë që m’u duk e ngrohtë dhe kur mbylli telefonin, ai dëgjoi me vëmendje, ç’i kumtova. Heshti një grimë herë e, pastaj më tha: “Ke të drejtë, po të transmetojmë ndeshjen e “Labinotit”, teleshikuesit do të kërkojnë të ndjekin “Bajernin” dhe “Ajaksin” nga stacionet italiane a jugosllave. Pra, transmetojmë këtë ndeshje dhe ndeshjen tonë, e lemë për nesër”. Kështu u ndamë. Në fakt, ishte hera e fundit që bisedoja me të. Mund dhe duhej të kishte bërë të kundërtën, por ja që edhe në atë gjendje, zgjodhi zgjidhjen më të logjikshme.

-“Ato ditë, – më tha Todi në një nga takimet tona, – kisha një parandjenjë të keqe, ndonëse Vito Kapo gjatë bisedës, m’u duk e çiltër. U takova me Ramiz Alinë. I rrëfeva ç’më brente. Më ftoi të shkonim në malin e Dajtit. Atje te vila e pritjes, pimë kafe. U përpoq të më qetësonte. “Ç’kishte për të ndodhur, ndodhi”, më tha. Por edhe ai nuk dinte, ç’mendime satanike vlonin në trurin e e ndezur, të Enver Hoxhës.

Por, më së fundi, më 11 mars të vitit 1973 gazeta “Zëri i Popullit”, botoi një artikull të ashpër kundër Festivalit të 11-të, të Këngës në RTSh dhe me siguri, me porosi të vetë Enver Hoxhës. Pra, 45 ditë pas mbarimit të Festivalit të 11-të, kur ky artikull kritik duhej botuar flakë për flakë pas festivalit, ashtu siç tregohej vigjilente kjo gazetë, kur e kërkonin interesat e Partisë.

Pas disa ditësh në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, u organizua diskutimi i Festivalit të 11-të. E vërteta është se në mesoret e RTSh-së dhe në mjedise të tjera, kishte kohë që kishin nisur pëshpëritje nën zë, të këngëtarëve dhe kompozitorëve rreth pasojave që do të sillte ky festival. Secili, ose secila, druhej se mos kënga që kishte kompozuar, a kënduar, do të vihej në shënjestër.

“Në këtë gjendje shpirtërore tejet të rënduar isha dhe unë, – më thoshte një ditë këngëtarja dhe aktorja e talentuar, Justina Aliaj, në shtëpinë e saj në Nju Jork, ku jetoi për shumë vjet. -Kisha kënduar këngën, “Në ekranin e televizorit,” të kompozitorit Agron Xhunga. E vërteta është se, për t’i dhënë ngjyrim edhe më emocionues ritmit të kësaj kënge, që u prit shumë mirë nga teleshikuesit, këndova kështu: “Në ekranin eee televizorit, /Kishe dalë me shoqe eedhe ti…”, duke zgjatur kështu zanoren “e”. Kjo “dukuri”, u quajt shfaqje e huaj dhe unë unë u kritikova rëndë.”

“Muzikantë, krijuese kritikë muzike, të aftë e të dështuar, -shkruan Mihal Luarasi, regjisori këtij festivali, – mediokritete, smirëzinj të mjerë, që kishin mbetur jashtë Festivalit të 11-të, karrieristë të paskrupullt, që pandehën se erdhi momenti i tyre, për t’u ngjitur,…analizuan një për një këngët, zërat, orkestracionet, interpretimet, këngëtarët, skenografinë, maksifundet, regjisurën dhe “vërtetuan shkencërisht”, se Partia dhe shoku Enver, kishin të drejtë. Festivali i 11-të, ishte katastrofë kombëtare, tërmet nëntëballësh, krim i përbindshme kundër popullit dhe artit socialist”. (“Kujtesa që nuk fle”, faqe, 207).

Dhe e tëra kjo… dy muaj e 15 ditë, pas zhvillimit të Festivalit të 11-të! Përse nuk u bë më parë?! Se priteshin urdhrat nga lart, sipas skenarit të Enver Hoxhës. Mihal Luarasi, kujton gjithashtu se pas mbledhjes, Pirro Kondi, anëtar i Komitetit Qendror dhe drejtor i Drejtorisë së Propagandës, e kishte shoqëruar me makinën e tij deri në shtëpi dhe gjatë rrugës i kishte thënë me qetësi, se; “me kaq çështja e Festivalit të 11-të do të mbyllej, se Enver Hoxha, po merrte shkas nga ky festival, për të bërë goditje kundër shfaqjeve të huaja, që kishin nxjerrë krye në disa sfera të jetës…”!

“Ka gjëra më të mëdha që dalin në pah dhe festivali do të harrohet”, – kishte përfunduar ai. Pikërisht ashtu si Ramiz Alia, kishte qetësuar Todi Lubonjën. Pra, edhe Pirro Kondi, nuk kishte as më të voglën dijeni, se ç’plan satanik po ndërthurte Enver Hoxha, në mendjen e tij të ligë?! Dhe të mos harrojmë se, ishte kunati i Hysni Kapos…! Por me siguri as ai, nr. 2, pas Enverit, nuk kishte ndonjë ide rreth kësaj bëme të diktatorit, sepse edhe sikur ta dinte, nuk do të guxonte të ndalte revanin marrok të tij. Dhe Ramia Alia ngul këmbë në librin e tij, se… “Enver Hoxha dëgjonte shokët…!? Sidoqoftë, rrethi vicioz për Festivalin, zuri të ngushtohej.

“Filloi,- shkruan Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime”, -procesi kundër këtij festivali dhe kundër shfaqjeve të huaja e prirjeve moderniste. Shpërthyen kritika nga çdo drejtim. Natyrisht u krijuan mundësi që elementët sektarë, të shpalosnin konceptet e tyre. Nga fusha e arteve, kritika u shtri në fushën e letërsisë dhe kulturës, mbledhjet pasonin njëra tjetrën, sa në Radiot-Televizion dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve, aq në universitet dhe në Akademinë e Arteve. Kudo gjendej ndonjë krijues që kishte bërë ndonjë gabim, që ishte larguar nga vija e partisë …”, (faqe 264). Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura