Deputeti i PS-së, Fatmir Toçi, vazhdon replikën me Arben Malajn lidhur me demokracinë brenda kësaj partie.Pas përgjigjes që Malaj i dha Toçit nëpërmjet Facebook-ut, ky i fundit shprehet se problemet e Partisë Socialiste nuk mund të zgjidhen në komunikim në rrjetet sociale, por brenda strukturave të partisë. I kontaktuar nga gazeta, deputeti socialist thotë se është i gatshëm për debat lidhur me mendimet që janë shfaqur deri tani për gjendjen në PS. “Me sa duket, zoti Malaj nuk e ka kuptuar intervistën time ose nuk e ka lexuar. Kam ndjesinë se ai dhe unë e kuptojmë në mënyrë të ndryshme demokracinë në strukturat e brendshme të partisë. Unë gjithmonë kam insistuar se problemet tona duhen diskutuar e debatuar më parë në organizmat e partisë. Problemet e PS-së nuk zgjidhen me anë të Facebook-ut e as nëpërmjet komunikimit mediatik, pavarësisht nga rëndësia e tyre e madhe si mjete masive komunikimi. Në Grupin Parlamentar dhe në Asamble do të jem i gatshëm për një debat të hapur në lidhje me problemet që ngrihen në dy intervistat tona, për të dhënë hapur edhe disa mendime që deri tani përfliten e nuk thuhen”, shprehet Toçi. Më tej, ai thekson se nuk është dakord me përjashtimin e deputetëve nga Grupi Parlamentar dhe strukturat e partisë, por kundër veprimeve që rrezikojnë ta çojnë në anarki PS-në. “Unë jam shprehur kundër përjashtimeve, jam pro debateve, madje të ashpra, por kundër veprimeve që shkojnë kundër vendimmarrjeve kolegjiale që sjellin rrezikun e anarkisë në PS. Për shumë gjëra ai mund të ketë të drejtë, por kjo duhet të hajë diskutim e debate brenda strukturave, nëse mendohet vërtet për përmirësimin e gjendjes, si dhe angazhimin e munguar në dy vitet e fundit në aksionin politik për të cilin ka vendosur shumica e strukturave përkatëse”, thekson më tej Toçi. Debati lindi tri ditë më parë, kur Fatmir Toçi në një intervistë për gazetën “Panorama” tha se baza socialiste nuk po e mirëpret qëndrimin e partisë ndaj disa deputetëve, si Malaj, Harasani e Braçe, që kanë dalë kundër vijës zyrtare. “Edhe pse unë në parim nuk jam për përjashtime dhe besoj në nevojën për kontributin e përvojën e çdonjërit për të majtën shqiptare, nuk rri dot pa theksuar reagimin që vjen gjerësisht nga baza e partisë për një tolerancë të pashpjegueshme për individë që gjatë dy viteve te fundit kanë vepruar në vazhdimësi në kundërshtim me vendimet politike kolegjiale të partisë, duke e dëmtuar atë”, tha Toçi. Në replikën e tij, një ditë më parë Malaj u shpreh se “Zgjidhja nuk është mbyllja e gojës dhe votimi “uniformë” nga deputetët. Zgjidhja nuk është të shpallen “armiq të partisë” ata që gjykojnë në mënyrë racionale, edhe pse mendojnë ndryshe. Zgjidhja është të rritet vetëdija qytetare te deputetët, të unifikohen qëndrimet kritike, të luftohet edhe publikisht ndaj absolutizimit dhe keqpërdorimit të pushtetit nga çdo politikan”.
Malaj
“PS është dëmtuar dhe do të vazhdojë të dëmtohet rëndë në qoftë se kërkon të kopjojë modelin e dështuar “Berisha”. PS duhet ruajtur jo nga ata që debatojnë publikisht për sfidat e saj, por nga mentalitetet dhe kontributet që fshehin dështimet nëpërmjet thirrjeve për gjyqe ndaj ‘armiqve të partisë”’, u shpreh Arben Malaj në rrjetin social “Facebook”.











