
Tragjedi në kanionet e Osumit në Skrapar. Gjashtë të rinj humbën jetën pasi makina ku udhëtonin ra në humnerën 150 metra të thellë.Mjeti u përplas në shkëmb gjatë rënies, duke bërë që viktimat të përfundojnë në ujërat e lumit. Policia e Skraparit konfirmon se viktimat janë të gjithë të rinj, të moshës nga 19 deri në 26 vjeç, banorë të qytetit dhe të rrethinave të Çorovodës. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 19:45 të mbrëmjes, rreth 3 km larg qytetit. Në mjetin fuoristradë me targa angleze ndodheshin 6 të rinj: Vladimir Durellari, 26 vjeç, i cili drejtonte mjetin, Fatjon Feka 23 vjeç, nga fshati Çerenishtë, Eni Guri 21 vjeç dhe kushëriri i tij 24-vjeçar, Drilon Guri, nga Çorovoda, Xhulio Allko, 19 vjeç dhe Edison Çuko, 26 vjeç. Të rinjtë, siç konfirmon policia po ktheheshin nga një drekë dhe po ktheheshin në qytet nga një rrugë rurale që lidh fshatin Grepckë me Çorovodën. Kjo pjesë rruge, rreth 5 kilometra kalon mbi zonën e kanioneve të famshme të Osumit. Në të gjithë gjatësinë e saj, kjo rrugë, sipas banorëve të zonës, është tejet e rënduar dhe kalon mbi shkëmbinj. Mbi të nuk është bërë asnjë investim dhe ka mbetur e ngushtë, me çakull, duke rrezikuar në çdo moment jetën e udhëtarëve. Nuk dihen ende rrethanat pse makina e viktimave të djeshme doli nga rruga, por dyshohet se shumë faktorë kanë ndikuar. Shpejtësia, errësira, pakujdesia në një kthesë, rruga e ngushtë dhe jashtë çdo standardi kanë qenë mjaftueshëm për të provokuar aksidentin fatal. Me të mësuar ngjarjen e rëndë, forca të shumta të policisë së Skraparit, drejtuar nga shefi i tyre, Fatmir Lleshi kanë shkuar me urgjencë. Ata kanë pikasur makinën e ndalur në një shkëmb dhe asnjë shenjë të viktimave. Me urgjencë është kërkuar ndihma e forcave speciale të Fierit. Megjithëse forcat në aksion kanë tentuar të hyjnë në ujërat e lumit Osum ka qenë e pamundur të realizohet nxjerrja e viktimave. Vetëm në orët e vona të mbrëmjes kanë mbërritur forcat RENEA nga Tirana, të cilët pritet të nxjerrin në sipërfaqe trupat e të rinjve. Sipas policisë nuk ka shpresë që ata të kenë mbijetuar, nisur nga rrethanat e rrëzimit të automjetit. Nga vendi ku ka dalë makina nga rruga deri në Osum është një thellësi prej rreth 150 metrash, çka e ka bërë të pamundur shpëtimin e jetëve të të rinjve. Mësohet se për të mundësuar nxjerrjen e viktimave nga thellësia në orët e vona të natës janë vënë në dy anët e malit prozhektorë të fuqishëm. Nga ana e policisë konfirmohet se kërkimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e të gjithë trupave të aksidentit tragjik. Gjithashtu po hetohet mbi shkaqet e sakta të aksidentit që tronditi të gjithë vendin. Vetëm 4 ditë më parë, në aksin nacional Fier-Tepelenë humbën jetën në aksident 4 persona të së njëjtës familjeje. Aksidenti i mbrëmshëm në kanionet e Osumit është më i rëndi i ndodhur gjatë këtij viti në Shqipëri.
Viktimat
Vladimir Durellari, 26 vjeç
Fatjon Feka, 23 vjeç
Eni Guri, 21 vjeç
Xhulio Allko, 19 vjeç
Edison Çuko, 26 vjeç
Drilon Guri, 24 vjeç
SKRAPAR/ DILAVER XHELILI
© Panorama.al











