TKZ: Rreth 10 mijë shqiptarë në “Swissporarena”

Sep 9, 2012 | 17:50
Tifozat Kuq e Zi gjatë ndeshjes Shqipëri- Qipro (3-1) në "Qemal Stafa"

Sipas sajti sportiv, asport.info, i cili citon burime nga tifogrupi më i madh shqiptar, Tifozat Kuq e Zi, të martën në stadiumin e Luzernës pritet të shënohet një rekord historik sa i përket tifozëve. Do të jenë rreth 10.000 shqiptarë që do të ndjekin në transfertë ekipin përfaqësues të Shqipërisë.

Artim Elmazi njëri nga përfaqësuesit e Tifozave Kuq e Zi ka thënë për asport.info se përgatitjet janë në përfundim e sipër pavarësisht shumë problemve që ata kanë hasur ne drejtues të federatës dhe me policinë helvete.

“Përveç tifozëve që vijnë nga Europa, një pjesë e konsiderueshme pritet të vijnë edhe nga trevat shqipfolëse” ka thënë Elmazi. Ai më tej ka shtuar se gjatë negociatave që kanë pasur me Federatën Zvicerane të Futbollit dhe me policinë e qytetit janë informuar se këta të fundit presin dyndje shqiptarësh më 11 shtator.

“ Gjatë takimit me policinë e qytetit dhe me federaten zvicerane, na kanë thënë se kjo ndeshje është më rrezikshmëri të lartë pasi ata presin që ditën e ndeshjes të jenë rreth 10.000 shqiptarë në “Swissporarena”.

Përfaqësuesi i Tifozave Kuq e Zi ka shprehur gjithashtu edhe pakënaqësi sa i përket federatës Zvicerane të Futbollit, e cila sipas tij nuk i ka ndihmuar fare.

Përveç përkrahjes së Kombëtares në ndeshje me Zvicrën, Elmazi ka thënë në fund se ata si grup kanë organizuar edhe shënimin e 8 vjetorit të themelimit të Tifozave Kuq e Zi.

Ndeshja Zvicër- Shqipëri do të luhet të martën në orën 20:30, e vlefshme për eliminatoret e botërorit, Brazil 2014.

© Panorama.al

Te lidhura