Institucionet e pavarura nuk i kanë shpëtuar shkurtimeve të bëra në buxhet. Qeveria ka vendosur të ulë me disa miliona buxhetet e secilit prej institucioneve, duke filluar nga Presidenca dhe deri te Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi.Ulja më e madhe e buxhetit ndër institucionet e pavarura i është bërë Shërbimit Informativ të Shtetit me plot 20 milionë lekë. Kjo në fakt vjen në një kohë kur vetë SHISH, në kohën e diskutimit të buxhetit të 2011-s në nëntor të vitit të kaluar, kërkoi 100 milionë lekë shtesë, të cilat nuk i mori. Institucion tjetër që i është tkurrur buxheti është Prokuroria e Përgjithshme, së cilës i janë shkurtuar fondet me 7 milionë lekë. Kontrolli i Lartë i Shtetit bën edhe ai pjesë në listën e institucioneve të pavarura që preket nga dieta e shpenzimeve me 10 milionë lekë. Një pjese e mirë e institucioneve, që u janë hequr fondet nga buxhetet e tyre me ndryshimet e paraqitura dje para Komisionit të Ekonomisë nga ministri i Financave, Ridvan Bode, në nëntor, kërkuan rritje të buxhetit që u ishte caktuar dhe kjo kërkesë rezultoi e suksesshme për një pjesë dhe e pasuksesshme për pjesën tjetër. Në nismën e korrigjimit të buxhetit qeveria ka vendosur që të marrë ca nga ato fonde që në nëntor pranoi që të shtonte në buxhetet e këtyre institucioneve. Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive gjithashtu është përfshirë në shkurtimet e mesvitit. Buxhetit të ILDKP-së i janë hequr 3.2 milionë lekë, ndërkohë që në nëntor buxhetit të tij iu shtuan vetëm 0.7 milionë lekë. Argumentimi i shumicës së institucioneve të pavarura që kërkuan shtim të fondeve atëherë ishte për të përmbushur detyrimet në nivelin e duhur.
Bode në Komision
Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje para Komisionit të Ekonomisë se qeveria do të shkurtojë shpenzimet me 183 milionë dollarë, ndërkohë që edhe të ardhurat janë ulur me të njëjtën masë. Ky rishikim i buxhetit, sipas kreut të Financave, nuk është aq i thellë sa i përket shifrës që shkurtohet ndërkohë që argumentoi se ky rishikim është i domosdoshëm për shkak të efektit që kriza jep ende në ekonomi. “Ndërhyrjet në buxhetin e vitit 2011, për të dytin vit radhazi me shkurtime, reflektojnë presionin e krizës ekonomike globale mbi ekonominë shqiptare, por duhet thënë se ekonomia shqiptare vijon të performojë tërësisht në terma pozitivë dhe vijon me rritjen më të lartë ekonomike në të gjithë kontinentin europian dhe kjo garantohet për vitin 2011” tha Bode. Por, pavarësisht performimit pozitiv të ekonomisë shqiptare, duket se ajo nuk është në nivelin fillestar që parashikuan Financat në buxhetin e vitit 2011 dhe për korrigjim është lënë edhe pjesa e të ardhurave. Duke ulur shpenzimet dhe të ardhurat në të njëjtën masë, qeveria ka vendosur që të ruajë të njëjtin nivel deficiti sikurse në fillim të vitit me një shifër prej 46 miliardë lekësh. Një tjetër pikë e rëndësishme që preku ministri i Financave gjatë fjalës së tij ishte ajo e vijimit të politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve. Ai i’u referua rritjes së vazhdueshme që ka pësuar fondi i këtyre politikave ndër vite, duke filluar nga viti 2005 kur ishte 54 miliardë lekë, në 135 miliardë lekë që është tani.
183 milionë dollarë
janë në total shkurtimet e shpenzimeve në buxhetin e vitit 2011. Paralelisht në këtë masë është ulur edhe zëri i të ardhurave, çka ka mbajtur në të njëjtin nivel deficitin buxhetor sikurse në fillim vit.

Borxhi, në kufijtë e 60 për qind
Qeveria vijon t’i mbetet besnike idesë se borxhi nuk duhet të kalojë nivelin 60 për qind dhe mbajtjes së tij në nivelet rreth 59 për qind të GDP-së. Projektligji që sanksionon ndryshimet në buxhet të bëra së fundmi, reflektojnë edhe limitin e borxhit dhe të deficitit duke përcaktuar se ky i fundit nuk duhet të kalojë 3.5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë që qeveria synon që të bëjë një riskedulim të strukturës së borxhit. Gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti, huamarrja për financimin e deficitit buxhetor është përqendruar në vend nga bankat e nivelit të dytë, kjo edhe për shkak se shfaqet një tendencë e mungesës së kërkesës për kredi nga ana e qytetarëve. Ndërkaq, qeveria ka marrë gjatë periudhës janar-maj 21 miliardë lekë, nga të cilat 10.6 janë bono thesari, ndërsa 10.9 janë obligacione afatgjata.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











