
Mish dhe ushqime me baktere. Mungesë të higjienës e të librezave shëndetësore. Brenda dy javëve, inspektorët e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Tiranë kanë konstatuar 120 subjekte problematike.
Mes restoranteve ku janë gjetur ushqimet me ngarkesë bakteriale, 3 janë nga ata më me emër dhe të frekuentuarit nga qytetarët. Drejtori i DSHP-së, Mëhill Gecaj, nuk ka preferuar të japë emrat e tyre, por ka theksuar se ndaj këtyre subjekteve janë vendosur gjoba siç e parashikon ligji për Inspektoratin Sanitar Shtetëror. “Ka pasur raste kur subjekte të cilat janë kontrolluar nga ana jonë, kanë dalë me ngarkesa bakteriale po themi edhe restorante, edhe bare të ndryshme, për të cilat është marrë vendimi me gjobë dhe masë administrative, siç parashikon ligji për Inspektoratin Sanitar Shtetëror”, tha Gecaj.
Organet e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, në dy javët e para të gushtit kanë kontrolluar 454 objekte dhe rikontroll është bërë vetëm në 159 prej tyre. Janë lënë 128 procesverbale. Kontrollet kanë konstatuar në mungesën e dokumentacionit, problemet e uniformave, librezave shëndetësore për punonjësit.
Uji i pijshëm që konsumohet në kryeqytet, këtë verë nuk ka rezultuar me ndotje të lartë mikrobiologjike. Këtë e dëshmon, sipas Gecajt, fakti që nuk ka pasur vatra të shpërthimeve epidemike.











