Gjatë një aksioni antidrogë të policisë së Tiranës, është arrestuar për “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”, një tregtar që merrej me shitjen e makinave, të cilit iu sekuestrua sasia prej 200 gramësh kokainë. Burime nga Policia thanë se në pranga ka përfunduar 43-vjeçari Spartak Picari, të cilit gjatë një kontrolli fizik iu gjetën dy doza me lëndë narkotike të llojit kokainë. Arrestimi i tij u krye pas hetimeve disamujore, me përdorimin e metodave speciale, pasi u siguruan se në banesën e tij ndodhej një sasi lënde narkotike. Burimet sqaruan se Picari u arrestua në afërsi të zonës së “Bërrylit”, në kryeqytet, teksa po kthehej në shtëpinë e tij. Në momentin kur oficerët e Antidrogës kryen kontrollin fizik të tij, iu gjetën dy doza, me sasi një gram lëndë narkotike. Por, kaq mjaftonte sa për të kontrolluar më tej për sasinë tjetër, për të cilën informacioni ishte siguruar gjatë hetimeve. Të njëjtat burime konfirmuan se pjesa tjetër prej 200 gramësh kokainë, u gjet e ndarë në porcione, gati për shitje, në banesën e tij, tek “Bërryli”. Gjithashtu, në shtëpinë e tij u gjet edhe një peshore elektrike, e cila shërbente për ndarjen e dozave, të cilat më pas Picari i shiste, kryesisht në zonën e ish-Bllokut dhe pranë vendit ku banonte. Burimet sqaruan se aktiviteti i tij ishte përqendruar edhe në zonën përreth stadiumit “Selman Stermasi”, tek Tirana e Re, ku ai zhvillonte edhe biznesin e tij në shitjen e makinave, që i blinte jashtë vendit dhe i shiste në Tiranë. Spartak Picari u arrestua me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe materialet në ngarkim të tij u referuan në Prokurori.











