Tiranë, tentoi të grabiste farmacinë, kapet superhajduti

May 14, 2012 | 13:59
Superhajduti Skerdilajd Godo

TIRANE – Një 34-vjeçar i akuzuar disa herë për vjedhje, me masë sigurie nga gjykata “detyrim paraqitjeje”, por edhe i shpallur në kërkim për disa plaçkitje, është kapur dje në flagrancë kur po tentonte të grabiste një farmaci në kryeqytet. Burime nga Policia e Tiranës thanë se i dyshuari është Skerdilajd Godo, 34 vjeç, një personazh shumë i njohur për Policinë dhe Drejtësinë, për shkak se vitet e fundit ka bërë “kërdinë”, duke vjedhur qytetarët në zona të ndryshme të kryeqytetit. Për shkak se ishte nën vëzhgim për disa vjedhje të ndodhura së fundmi në Tiranë, Godo është arrestuar në flagrancë nga forcat e Komisariatit Nr.3, kur po tentonte të grabiste një farmaciste, duke e kërcënuar me thikë, në afërsi të rrugës “Jordan Misja”. Falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë, 34-vjeçari është prangosur në ambientet e farmacisë, duke dështuar në grabitjen e tij të radhës. Gjithashtu policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një thikë. Burimet thanë se Skerdilajd Godo ishte shpallur në kërkim edhe nga Komisariati Nr.2 për dy vjedhje të kryera në fillim të këtij muaji. Më 6 maj, ndaj tij kishte filluar procedimi penal pasi dyshohet se në rrugën “Sulejman Delvina” ka vjedhur dy varëse floriri me vlerë 85 mijë lekë të rinj, në argjendarinë në pronësi të Endrit Gjokës. Edhe më datë 1 të këtij muajit kishte nisur një tjetër procedim penal ndaj tij, pas një kallëzimi të bërë nga shtetasi Rediol Balliu, të cilit Godo i kishte vjedhur një telefonin të markës “HTC”, në një restorant tek ish-Blloku. Skerdilajd Godo, gjatë kësaj kohë ishte me masë sigurimi “detyrim paraqitjeje”, dhënë në muajin mars të këtij viti nga Gjykata e Tiranës, pasi akuzohej se kishte ikur pa paguar nga një hotel, ku kishte qëndruar një javë bashkë me të dashurën e tij, Aurela D. Çifti ishin akomoduar në një hotel luksoz në afërsi të “Zogut të Zi”, në Tiranë dhe kur ka ardhur momenti për të paguar faturën prej 1500 eurosh, Godo ka mbushur një zarf me letra dhe e ka lënë te recepsioni. Pasi janë larguar, ngjarja është denoncuar në polici dhe punonjësit e hotelit kanë treguar se 34-vjeçari u ishte prezantuar si një biznesmen nga Vlora dhe kërkonte një suitë për të qëndruar një javë bashkë me të dashurën. Ngjarja ishte denoncuar nga menaxheri i hotelit, Arben Rushiti, dhe policia arriti të arrestojë të dyshuarin më 10 shkurt të këtij viti. Ai kishte qëndruar në hotel nga data 2 shkurt deri më datë 7 të po atij muaji, pa paguar asnjë qindarkë.

© Panorama.al

Te lidhura