Tiranë, qeveria do mbyllë 3 shkolla

Jun 9, 2011 | 11:23
Shkolla 95-vjeçare Shkolla 9-vjeçare "Ser-vete Maçi" është një nga shkollat më të vjetra të qytetit të Tiranës. Me një traditë 95-vjeçare, ajo është ndër të paktat shkolla artistike ku nxënësit marrin mësime muzike që në klasë të parë. Ambientet e jashtme të saj janë rikonstruktuar, ndërsa brenda kjo shkollë ka probleme të mëdha me lagështirën e mungesën e dritës. Mësuesit pohojnë se domosdoshmërisht duhet rikonstruksioni i saj.

Drejt mbylljes 3 prej shkollave 9-vjeçare më të vjetra në Tiranë. Në to do të transferohen nxë-nësit e gjimnazeve më të mëdha të kryeqytetit.Projekti i Drejtorisë Arsimore për t’u dhënë frymëmarrje shkollave të mesme, nuk është pritur mirë nga prindërit dhe nxënësit. Ndonëse nuk është marrë ende vendimi përfundimtar, ata kanë nënshkruar një peticion me anë të të cilit kundërshtojnë zhvendosjen e nxënësve. Bëhet fjalë për shkollën “Hasan Tahsin”, e cila do të kthehet në një aneks të gjimnazit Ismail Qemali, shkollën “Servete Maçi”, ku do të transferohen disa prej klasave të gjimnazit “Sami Frashëri” dhe shkollën “Konferenca e Pezës” për nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa”. Në mungesë të ambienteve të reja për të sistemuar nxënësit, është parë kjo si zgjidhje e përshtatshme, ndonëse “në kurriz” të traditës gati shekullore të disave prej tyre. Drejtoria Arsimore jep argumentet e saj, duke theksuar se nuk është institucioni që ka përgjegjësinë për ndërtimin e shkollave të reja. Në fakt, kjo pjesë i takon Bashkisë së Tiranës ose Ministrisë së Arsimit që harton politikat e zhvillimit të arsimit në vend. Vetë kreu i këtij dikasteri, Myqerem Tafaj, deklaroi dje se MASH nuk merret me mbylljen e shkollave, por me hapjen e tyre. Ai ishte i kujdesshëm të mos jepte tjetër shpjegim pse një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sigurisht që nga Bashkia e Tiranës në këto ditë

Ariana Bekteshi

amullie e problemesh nuk mund të merrej një përgjigje pse ambientet shkollore i mungojnë kaq shumë kryeqytetit, saqë mësimi thuajse në të gjithë gjimnazet bëhet me turne. Sqarimet e vetme na erdhën nga drejtoresha e Drejtorisë Arsimore të Tiranës, Ariana Bekteshi. Institucionit që ajo drejton, pa pasur gjë tjetër në dorë, i mbetet të merret me shpërndarjen e nxënësve në ambientet ekzistuese. “Të tria këto shkolla janë me një turn dhe nuk kanë numër të lartë nxënësish apo mbingarkesë. Në fakt, vitet e fundit ka një rënie të numrit të nxënësve në shkollat 9- vjeçare. Dyndje kemi në gjimnaze. Thuajse të gjitha operojnë me dy turne”, tha Bekteshi. Ndaj,sipas saj, për të çliruar shkollat e mesme nga ky fluks, u mendua që të bëhej transferimi i nxënësve të shkollave 9-vjeçare që këto gjimnaze kanë pranë, në të tjera shkolla të zonës.
Projekti në diskutim
“Ne jemi në fazën e diskutimit të kësaj rishpërndarjeje të nxënësve, nuk është vendosur ende asgjë. Por nëse merret vendimi, do jetë një lehtësi e madhe për shkollat e mesme. Aktualisht, mësimi zhvillohet me dy turne deri në 9 të darkës. Duke u dhënë me shumë ambiente, ne synojmë që brenda dy viteve të ardhshme shkollore, këto shkolla që janë më të mëdhatë, t’i kthejmë me një turn”, tha Ariana Bekteshi. Sipas saj, për shkollat 9-vjeçare edhe kur mësimi bëhet pasdite, maksimumi është deri në 4. “Prindërit e kanë më të lehtë këtë orar për të shoqëruar fëmijët e tyre. Po mendoni gjimnazet, ku përveç 6 orëve të mësimit, me kurrikulën e re bëhen edhe lëndët me zgjedhje, ndaj nxënësit i duhet që të rrijë deri në 8 orë në shkollë. Kaq vetëm njëri turn. Të dy turnet i bie 16 orë, pra nxënësit janë gjithë kohës jashtë shtëpisë. Është një moshë që ka jo pak probleme dhe mendoj se kemi bërë mirë që e kemi prioritare”, sqaroi drejtoresha e Drejtorisë Arsimore. Ajo shtoi se nxënësve të 3 shkollave 9- vjeçare që do t’u kalojnë gjimnazeve, u lihet alternativa për t’u regjistruar në çdo shkollë që ata duan. “Nëse prindërit duan një nga shkollat e tjera pranë, ne ua japim këtë mundësi, nëse duan të zgjedhin një shkollë tjetër, ne sërish i mbështesim për t’i regjistruar”, tha Bekteshi. Sipas saj, vetë drejtuesit e gjimnazeve kanë kërkuar më shumë ambiente, pasi nuk arrijnë të përballojnë dot fluksin. E pyetur nëse duhet të ndërtohen shkolla të reja në kryeqytet, Bekteshi tha se kjo është domosdoshmëri. “Shkollat nuk i ndërtojmë ne, i ndërton Bashkia, ne planifikojmë ambientet që kemi. Me këto ambiente do bëjmë menaxhimin më të mirë të mundshëm. Aktualisht, problemet më të mëdha i kemi në gjimnaz. Shkollat fillore, ndoshta edhe për rënien e numrit të lindjeve, në këtë dekadë kanë gjithnjë e me më pak nxënës”, tha Bekteshi.

Prindërit, peticion Ministrisë: Mos e mbyllni shkollën e muzikës!

Pasi janë vënë ne dijeni për transferimin e mundshëm, më të irrituar kanë qenë dje prindërit e nxënësve të shkollës 9- vjeçare artistike “Servete Maçi”. Ajo është e vetmja shkollë muzike që ndiqet që në ciklin fillor, me një traditë 95- vjeçare. Të mbledhur përpara shkollës, ata protestuan kundër mbylljes së saj. “Së pari, kemi të bëjmë me një nga shkollat më të vjetra dhe më me traditë në kryeqytet. Prandaj kemi sjellë këtu fëmijët, përveçse kemi dhe shtëpitë afër. Si mund të transferohen veglat muzikore nga një shkollë e mirëfilltë artistike në një tjetër 9-vjeçare. Do humbte vlera e saj”, tha dje njëri prej prindërve. Në peticionin e nënshkruar prej tyre, kundërshtohet vendimi që fëmijet e tyre të ndjekin mësimin në shkollat “Siri Kodra”, “Lidhja e Prizrenit” dhe “Liceu Artistik”, ku do të zhvillojnë përkatësisht lëndët e përgjithshme dhe ato muzikore. Në shkollën “Servete Maçi” mësojnë rreth 500 nxënës. Prej tyre, 150 ndjekin profilin artistik ku studiojnë për vegla të ndryshme muzikore. Nga sa sqaroi dje drejtoresha e Drejtorisë Arsimore, Ariana Bekteshi, për këtë kategori nxënësish nuk do të ketë asnjë problem nëse projekti do të vihet në zbatim. Nuk rrezikojnë as nxënësit dhe as mësuesit. “Janë të njëjtët mësues dhe i njëjti profil shkolle që do të ndiqet edhe në vijim. Thjesht kemi një transferim të ambienteve. Pra, veglat muzikore, stafi dhe nxënësit do të shkojnë në të tjera mjedise. Shkolla “Lidhja e Prizrenit” do të marrë edhe emërtimin shkollë 9-vjeçare artistike muzike. Pra, prindërit të rrinë të qetë, nuk do të humbë tradita”, tha Bekteshi. Sipas saj, gjithçka është ende një projekt i cili po diskutohet me prindërit e shkollave. “Megjithatë, synimi ynë është që të lehtësojmë gjimnazet të cilat vitet e fundit kanë vërtet ngarkesë në krahasim me shkollat 9- vjeçare, ku fluksi i nxënësve ka rënë ndjeshëm”, tha Bekteshi.

“I nxituar vendimi për shkollën e muzikës”

Këshilli i Muzikës Shqiptare, anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës (IMC), solidarizohet me nxënësit dhe mësuesit artistë të muzikës të shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi”. Në një deklaratë për mediat, Vasil Tole, kryetari i Këshillit të Muzikës Shqiptare, e ka cilësuar si të drejtë legjitime të nxënësve vazhdimin e edukimit arsimor e posaçërisht atë artistik në ambientet e kësaj shkolle shumë të njohur për vlerat në fushën e edukimit në këto 100 vitet e fundit. “Ky vendim për shndërrimin e ambienteve të shkollës në fjalë, në seli të një institucioni tjetër arsimor, vjen në një kohë kur në mbarë Shqipërinë shkollat profesionale artistike muzikore janë në vështirësi ekstreme të ekzistencës së tyre ose po shkojnë drejt mbylljes së veprimtarive të tyre”, thuhet në deklaratë. Për sa më sipër, Këshilli i Muzikës Shqiptare ka ngritur shqetësimin se çdo vendim i nxituar për largimin e mësuesve dhe nxënësve nga ambientet e tyre tradicionale të mësimit, praktikës dhe edukimit, krahas uljes së cilësisë së mësimdhënies, shkel të drejtat bazë të fëmijëve në fushën  e edukimit muzikor, të cilat janë promovuar përmes programit të Forumit III Botëror të Muzikës.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura