
Një sipërmarrës ndërtimi mbeti i plagosur rëndë mëngjesin e djeshëm në Tiranë, pasi u qëllua me çifte nga pronari i një trualli ku po ngrihet një pallat. Ngjarja ndodhi te zona e njohur si ish-Parku i Autobusëve në kryeqytet, por në fakt konflikti mes autorit dhe ndërtuesit kishte nisur prej dy vitesh për një problem pronësie. Pronari i tokës, Avdyl Zgura, ka qëlluar pa asnjë paralajmërim ndërtuesin Avni Lika, me një armë zjarri tip “Shotgun”, me qëllim vrasjen e tij. I pozicionuar në ballkonin e një apartamenti në katin e dytë, 52-vjeçari Zgura, sapo ka parë të kalonte biznesmenin, e ka qëlluar duke shkaktuar plagosjen e rëndë të tij. Në momentin kur ndodhi ngjarja, Lika ishte i shoqëruar edhe nga disa të afërm të tij, të cilët kanë lajmëruar policinë dhe e transportuan në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve, gjendja 50-vjeçarit ishte mjaft e rëndë, por pas ndërhyrjes kirurgjikale e kaloi rrezikun për jetën. Ndërsa autori i ngjarjes fillimisht është fshehur në apartamentin nga ku kishte qëlluar, madje ka parë edhe veprimet e para hetimore që ka kryer policia në vendin e ngjarjes. Më pas është bindur që të dorëzojë armën dhe është vënë në pranga me akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”. Nga hetimet dhe deklarimet e të arrestuarit, mësohet se ngjarja e djeshme është rrjedhojë e një konflikti gati 2-vjeçar pronësie që Zgura ka pasur me ndërtuesin Lika. Dy vjet më parë, Avdyl Zgura ka bërë kallëzim në polici, më pas çështja ka kaluar në Gjykatën Civile, ku të dyja palët vazhdojnë të jenë në proces. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Zgura pretendon se nuk është kompensuar sa duhet nga biznesmeni Lika, i cili ka ndërtuar një pallat në truallin e tij, që ndodhet përballë “Pallatit me Shigjeta”.
NEGOCIATAT PER PRONEN
Pasi ka qëlluar me armë zjarri biznesmenin 50-vjeçar Avni Lika, autori ka vazhduar të qëndrojë në ballkonin e apartamentit të katit të dytë nga kishte qëlluar, duke mbajtur çiften në dorë. Forcat e Policisë janë afruar duke negociuar me të që të dorëzohej, fillimisht i kanë kërkuar të hedhë armën dhe ai është bindur duke e hedhur nga kati i dytë. Më pas, oficerët e Policisë i kanë kërkuar që të dorëzohej, pasi do të kishte lehtësira meqenëse i dëmtuari ishte jashtë rrezikut për jetën. Por, sapo ka mësuar se Lika i kishte shpëtuar vdekjes, ai ka bërtitur duke i thënë policisë se qëllimi i tij ishte që ta vriste. “Nuk paska vdekur? E qëllova për ta vrarë, ta hiqja qafe, sepse ma kishte sjellë në majë të hundës. Kishim rënë dakord për dy dyqane në pallatin që po ndërton në truallin tim dhe ai tani pretendon se marrëveshja nuk ka qenë për dyqane”, është shprehur gjatë deklarimeve të tij i arrestuari Avdyl Zgura. Autori i dyshuar i ngjarjes ka pranuar më pas të zbresë nga kati i dytë dhe është shoqëruar në qelitë e paraburgimit të Policisë së Tiranës.
KONFLIKTI I PRONESISE
Pallati për të cilin ka nisur konflikti i pronësisë mes ndërtuesit Avni Lika dhe pronarit të truallit, Avdyl Zgura, ndodhet pranë urës teknologjike, përballë “Pallatit me Shigjeta”, te Rruga e Kavajës dhe ende është në ndërtim e sipër. Para se të niste ndërtimi i pallatit, palët kishin rënë dakord për kompensimin me apartamente. Ndërsa pronari i tokës pretendonte se ndërtuesi i kishte premtuar edhe 2 dyqane, për të cilat ka nisur edhe konflikti mes tyre, çështje që është në proces në Gjykatën Civile. Zgura pretendon se Lika ka hequr dorë nga premtimi i parë dhe tani nuk pranon që t’i japë dy dyqane.
ETLEVA DELIA











