TIRANE – Dy persona janë plagosur me thika në dy vende të ndryshme të kryeqytetit dhe policia ka mundur të identifikojë e të arrestojë autorët brenda 24 orëve. Sipas policisë, ngjarja e parë ndodhi në territorin e Komisariatit Nr.3, ku u denoncua plagosja e 45-vjeçarit Ilir Boka. Burime nga policia thanë se i plagosuri u transportua në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Boka ka qenë person i proceduar nga policia për armëmbajtje në vitin 2005. Forcat e policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë bërë këqyrjen dhe mbledhjen e provave. Ndërsa më pas është marrë në pyetje edhe i plagosuri, i cili ka treguar emrin e personit që e kishte plagosur. Brenda disa orësh, oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Lirisë së Personit bënë të mundur arrestimin e të dyshuarit për ngjarjen. Sipas policisë, i arrestuari është 34-vjeçari Adriatik Bajramaj, nga Patosi i Fierit dhe banues në Tiranë. Ai dyshohet se në debat e sipër me Ilir Bokën, e ka goditur këtë të fundit me thikë, duke e lënë të plagosur. Ndërsa disa orë më pas, një tjetër plagosje ka ndodhur në territorin e Komisariatit Nr.1 në Shkozë, ku është plagosur me thikë 21-vjeçari Albino Lami. Nga verifikimi i vendngjarjes dhe pyetja e të plagosurit, policia ka mundur të identifikojë e të arrestojë autorin, i cili rezultoi të ishte 17-vjeçari me iniciale E.K.











