Tiranë, parandalohet vetëvrasja

Feb 5, 2012 | 11:34

Xhemal Zhuri në momentin kur tenton hedhjen nga vinçi

Ish-i përndjekuri tentoi vetëhedhjen nga vinçi 82 metra

Një ish-i përndjekur politik në moshën 52-vjeçare kërcënoi mbrëmjen e djeshme se do të hidhej nga një lartësi rreth 84 metra, pasi kishte hipur në vinçin e një pallati në ndërtim pranë Ushtarit të Panjohur në Tiranë. Xhemal Zhuri ka hyrë në godinën 25-katëshe ende në ndërtim pranë zonës së njohur si “Ushtari i Panjohur”, në kryeqytet, pranë selisë së Partisë Demokratike. Pasi ka arritur në majën e ndërtesës, ish-i përndjekuri ka shkuar edhe më lart, duke ecur përgjatë krahut të vinçit të madh, derisa ka arritur në majën e tij, në një distancë horizontale rreth 35 metra nga tarraca e pallatit shumëkatësh. Nga të dhënat e Policisë, rezulton që 52-vjeçari ka qëndruar për rreth 30 minuta i ulur në majën e vinçit pa u vënë re nga askush dhe vetëm rreth orës 18:30, një punëtor, roje i godinës në ndërtim, e ka parë dhe ka lajmëruar forcat e Policisë.
Negociatat

Zhuri duke zbritur nga vinçi

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dhjetëra forca policie, nga Komisariati Nr.1, Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe forcat speciale RENEA. Negociatorët e RENEA-s kanë hipur në tarracën e pallatit 25-katësh dhe kanë biseduar në distancë me 52-vjeçarin që tentonte të hidhej për gati një orë dhe më pas e kanë bindur që të zbresë, duke e bërë që të heqë dorë nga vetëvrasja. Sipas burimeve nga Policia, përgjatë gjithë kohës që negociatorët bisedonin me të në distancë, Xhemal Zhuri fliste për probleme ekonomike dhe pronësie. Ai ka theksuar gjithashtu se ndodhej në varfëri dhe se ishte divorcuar, ndërkohë që nuk e merrte rregullisht as pagesën si ish-i përndjekur politik. Skuadra e negociatorëve të RENEA-s, së bashku me zyrtaret e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, kanë mbajtur në komunikim 52-vjeçarin gjatë kohës që ai është kthyer nga vendi ku po qëndronte për te tarraca e pallatit.
Personazhi
Babai i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali, sipas Policisë vuan nga probleme depresive që e kanë detyruar të bëjë një veprim të tillë. Në një gjendje të rënduar psikologjike, ai ka kërcënuar se do të vriste veten, pasi nuk mund ta përballonte më jetesën e vështire dhe kishte 3 fëmijë për të rritur. Të gjitha problemet e tij familjare ai i ka diskutuar në një distancë rreth 35 metra me negociatorët e repartit RENEA, të cilët i kanë kërkuar që të zbresë, pasi problemet e tij do të zgjidhen dhe gjithçka do të rregullohet. Në një moment, ashtu siç ishte i ulur në majën e vinçit, ai është bindur që të lëvizë nga aty dhe të zbresë. Policia i ka kërkuar që të lëvizë me kujdes përgjatë vinçit dhe më pas, në momentin e mbërritjes në tarracën e godinës së lartë, ai është mbajtur nën kontroll nga efektivat që ndodheshin aty. Zhuri është shoqëruar fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për t’u marrë në pyetje në praninë e psikologes, më pas është transportuar në spitalin “Nënë Tereza” për një kontroll mjekësor.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura