Inspektorja e Policisë së Tiranës, Eriklena Xhafa, e cila u plagos mbrëmjen e së dielës gjatë ndërhyrjes për të shuar një konflikt mes disa të rinjve, tregoi dje rrethanat se si ndodhi ngjarja. Punonjësja e Policisë, 24 vjeçe, ka dy vjet punë si nëninspektore. Ajo ka qenë në shërbim bashkë me katër kolegët e saj të Komisariatit Nr.4 të Tiranës, kur janë sinjalizuar për një sherr masiv mes disa personave në zonën e Alliasit. Në momentin që ajo bashkë me kolegët e saj, Ylber Shkalla, Armand Isufaj e Idajet Muçaj kanë ndërhyrë për të shuar konfliktin, të rinjtë që po konfliktoheshin, nuk kanë kursyer as inspektoren 24-vjeçare. Njëri prej tyre e ka goditur atë me tullë në kokë, duke i shkaktuar një plagë të thellë, që është mbyllur me shtatë penj në spital. Ndërsa më vonë janë arrestuar dy prej të dyshuarve, vëllezërit Suri e Pluton Cena.
A mund të na tregoni se si ndodhi ngjarja ku ju mbetët e plagosur?
Për shkak te hetimit, unë nuk mund t’ju them detaje nga ngjarja e mbrëmshme (e së dielës), por di t’ju them që aty ishin shumë persona që po ziheshin e po goditeshin me njëri-tjetrin. Mund të them rreth 10-15 persona, nuk mund të jem shumë e saktë, sepse ishte rrëmujë e madhe.
Me çfarë po goditeshin?
Sende të forta. Gurë, tulla, shkopinj, çfarë t’u vinte në dorë.
Po ju sa veta ishit?
Ne ishim një patrullë, katër efektivë policie. Morëm sinjalizim për sherrin që po ndodhte në rrugën “Njazi Meka” dhe u nisëm për të mbyllur këtë sherr. Të parandalonim një ngjarje, që mund të kishte edhe pasoja.
Ju mbetët e plagosur gjatë atij sherri. Si ju goditën?
Nuk e di se si në fakt dhe as se kush më ka goditur. Kjo është pjesë e hetimit. Por di që më kanë goditur me një tullë në pjesën e ballit dhe kam pësuar një plagë disi të rëndë. Jam mjekuar në spital dhe më kanë qepur plagën me shtatë penj. Po tani jam mirë. Edhe nga spitali dola diku nga ora 13:00.
Sa vite keni që punoni në polici?
Kam dy vjet punë. Më parë kam punuar në Drejtorinë e Policisë së Korçës. Ndërsa muajt e fundit jam transferuar këtu në Tiranë, tek Komisariati Nr.4. Kam mbaruar kursin e Patrullës së Përgjithshme dhe së shpejti marr gradën “Inspektor”.











