
Një 32-vjeçar nga Dibra u ekzekutua mbrëmë me armë zjarri në një atentat në zonën e ish-Bllokut, ku mbetën të plagosur edhe dy persona.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:50, në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ndërsa autori dyshohet të jetë një i ri i moshës 25-30 vjeç. Viktima Nadien Zeneli dhe dy të plagosurit ishin ulur në një tavolinë së bashku me dy vajza kur një person ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar 5 herë me armë zjarri. Policia tha se 32-vjeçari Nadien Zeneli, nga Dibra, banues në Fushë-Krujë, mbeti i vrarë me dy plumba, ndërsa u plagosën shtetasit: Taf Mandri dhe Bledar Miha, gjithashtu nga Dibra. Burime nga Policia thanë se vrasësi, pasi ka qëlluar, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke ecur fillimisht në këmbë e më pas ka hyrë në një makinë që e priste në zonën ku ndodhi krimi. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e policisë së Komisariatit Nr. 2, si dhe oficerë të seksionit kundër krimeve ndaj jetës, që kanë rrethuar vendin e krimit dhe kanë shoqëruar dëshmitarët. Ndërkohë, Nadien Zeneli ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak, ndërsa dy miqtë e tij të plagosur, sipas mjekëve, janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor dyshon se ngjarja mund të ketë ndodhur për një konflikt të hershëm që mund të ketë lidhje me femra. Sipas dëshmitarëve, autori i vrasjes nuk ndodhej në lokal, por ka ardhur nga jashtë dhe ka qëlluar me armë drejt tavolinës ku ndodhej viktima. Sipas policisë, i dyshuari si autor i ngjarjes ka pasur një objektiv të qartë dhe ka shkuar me qëllim të përcaktuar për të kryer vrasjen. Për të zbuluar motivin e vërtetë dhe rrethanat e ngjarjes, hetuesit pritet që të marrin në pyetje dy të plagosurit, Taf Mandrin dhe Bledar Mihën, pasi të jetë përmirësuar gjendja e tyre shëndetësore.
DESHMITARET
Vrasja e Nadien Zenelit ndodhi mbrëmë në një zonë mjaft të populluar të ish-Bllokut, në një lokal që ka qenë thuajse i mbushur kur ndodhi krimi. Në momentin e të shtënave me armë, shumë prej klientëve janë ngritur dhe janë larguar me vrap nga frika e krismave. Dëshmitarë pohuan për policinë se personi që u vra mbrëmjen e djeshme dhe dy miqtë e tij që mbetën të plagosur, kanë qenë duke pirë në tavolinë kur një djalë rreth 25 vjeç, i përshkruar rreth 1 metër e 80 i gjatë, me pantallona të zeza dhe bluzë të bardhë, ka qëlluar në drejtim të tyre me pistoletë. Në tavolinë me viktimën dhe të plagosurit ndodheshin edhe dy vajza, të cilat fatmirësisht nuk janë lënduar nga plumbat. Dëshmitarët kanë thënë se pasi ka qëlluar me armë, autori është larguar nga lokali në këmbë e më pas me një automjet që e priste disa metra më tutje. Policia ka sekuestruar mbrëmë një armë tip pistoletë, e cila u mendua se ishte e autorit të ngjarjes, por më pas u verifikua se ajo nuk kishte kryer qitje mbrëmjen e djeshme.
Selitë, grabitësi plagos punonjësin e karburantit
Punonjësi i një pike karburanti mbeti i plagosur mbrëmë rreth orës 23:00, në zonën e Selitës në Tiranë. Një person ende i paidentifikuar, me armë dhe me maskë, që sipas policisë, kishte si qëllim grabitjen e parave të karburantit dhe në momentin kur ka hasur në rezistencën e punëtorit, e ka qëlluar tri herë me armë. Në momentin kur ka plagosur punonjësin e karburantit, grabitësi ka nxituar të largohet pa arritur të kryejë vjedhjen për të cilën ishte nisur. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Komisariatit Nr. 2 dhe i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Sipas burimeve, e ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërsa i dyshuari si autor i ngjarjes ende nuk është identifikuar, pasi sipas policisë, ka qenë i maskuar.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











