TIRANE – Një person i dënuar me 3 vjet heqje lirie në Burgun 325 në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, kërcënoi me vetëvrasje paraditen e djeshme duke hipur në çatinë e godinës, prej tri metrash lartësi. Veprimi i Hasan Demirit, 35 vjeç, i arrestuar në vitin 2010 pasi u kap me rreth një kg hashash dhe i dënuar më pas nga Gjykata e Tiranës, nga drejtuesit e burgut është konsideruar më shumë si një protestë, sesa një tentativë vetëvrasjeje. Veprimi i tij, sipas burimeve, ka ardhur për shkak se nuk i është dhënë leje më 16 dhjetor të vitit të kaluar për të shkuar në varrimin e të atit, Fatmir Demiri. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:00, në një kohë që nëna e tij, Hatie Demiri, ndodhej pranë institucionit të vuajtjes së dënimit pasi kishte ditën e takimit me të birin dhe kishte me vete një pako me ushqime. Por ajo nuk ka arritur ta takojë 35-vjeçarin, pasi pikërisht në atë kohë gardianët e burgut janë vënë në lëvizje pasi janë njoftuar se i dënuari Hasan Demiri kishte hipur në çatinë e një prej godinave të Burgut 325. Pasi ka hipur mbi çati, i dënuari përsëriste vazhdimisht që leja i ishte refuzuar pa të drejtë dhe vetëvrasja e tij do të rëndonte mbi drejtuesit e burgut. Brenda pak minutash, punonjësit e policisë së Burgut 325 kanë mundur të ngjiten në vendin ku ndodhej i dënuari dhe e kanë bindur që të zbriste nga aty. Burimet thanë se i burgosuri ditët e fundit ka kaluar një situatë të rënduar psikologjike, gati depresive. Kjo situatë, sipas burimeve nga punonjës të burgut ku ndodhi ngjarja, ka ardhur për shkak se nëna e tij tashmë ka mbetur e vetme jashtë pas vdekjes së babait të tij. Edhe vëllai i Demirit ndodhet në burgjet italiane i dënuar për të njëjtën akuzë si ai.











