Tiranë,nis punën Komisioni për xhaminë e madhe

Feb 19, 2012 | 11:38

TIRANE- Kreu i Bashkise se Tiranes, Lulzim Basha ka njoftuar nisjen e punes se Komisionit për ndërtimin e xhamisë së madhe të kryeqytetit.

Pune qe sipas Bashes do te shenoje mbylljen e fazes se konsultimeve, diskutimeve dhe vendimarrjes, brenda muajit mars.

Ne fjalen e tij me kete rast, Basha perseriti vullnetin e Bashkisë së Tiranës për ta përfunduar sa më parë këtë vepër që i mungon Tiranës dhe për t`u dhënë besimtarëve një vend të denjë, për të kryer ritet e tyre fetare.

“Tirana është kryeqendra e vendit. Ne, sapo festuam 92-vjetorin, z.Kryetar ju ishit i pranishëm bashkë me përfaqësuesit besimeve të tjera dhe një moment ku u ndalëm ishte modeli bashkëjetesës fetare, model të cilin Tirana e ka rrezatuar, në shekujt e ekzistencës së vet dhe e rrezaton edhe sot, ku kemi parë në dekadën e fundit, ngritjen e Katedrales së Shën Palit, po përfundon Kisha Ortodokse dhe dje qeveria dha mbështetjen e plotë për përfundimin brenda këtij viti të 100-vjetorit të Pavarësisë, edhe të Tempullit të Kryegjyshatës, për të cilën edhe Bashkia do të japë ndihmën e vet modeste, ndërkohë koha ka ardhur dhe ka kaluar, që edhe Xhamia e Madhe, të jetë një realitet në Tiranë dhe që t’i japim fund problemit të përvitshëm, për të cilin fatkeqësisht nuk ka pasur zgjidhje në këtë dekadë, të besimtarëve që dalin në rrugë, për ditët e festive”- tha Basha.

Sipas tij, vullneti për ta përfunduar këtë vepër, që i mungon qytetit të Tiranës është i plotë tek Bashkia e Tiranës dhe tek unë personalisht por nganjëherë vullneti nuk mjafton dhe me këtë rast synimi i ngritjes së këtij komisioni ka qenë gjithpërfshirja në vendimarrje të aktorëve kryesorë, duke filluar nga Komuniteti Mysliman, me Myftininë e Tiranës, me përfaqësuesit e besimtarëve të Tiranës, duke vazhduar me të gjithë faktorët e tjerë.

Komisioni përbëhet nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Nënkryetari, Sekretari i Përgjithshëm, Përfaqësuesi i Komitetit të Kulteve, Përfaqësuesi i Prefektit, i Këshillit të Qarkut, Myftiu i Tiranës, tre përfaqësues të komunitetit të besimtarëve të Tiranës, përfaqësues i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Këshillit të Ministrave, Shoqatës “Tirana”, Administratori i Përgjithshëm i Bashkisë dhe 5 drejtorë, tre drejtorë të përgjithshëm të Planifikimit të Zhvillimit të Territorit, Planifikimit të Menaxhimit të Shërbimeve, Projekteve Strategjike e Investimeve të Huaja  dhe dy drejtorë të Planifikimit të Territorit dhe i Kontrollit të Zhvillimit të Territorit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman Haxhi Selim Muça shprehu kënaqësinë, që më së fundi nisi funksionimin një komision, në të cilin do të diskutohet dhe vendoset për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës.

“Unë dua t’ju them së pari se jam shumë, shumë i kënaqur, që më në fund u arrit të ngrihet një komision i tillë, për të biseduar e marrë disa vendime, lidhur me ndërtimin e Xhamisë së Madhe, që ne e kërkojmë, ka kaq vjet, por asnjëherë nuk u mblodh një komision i tillë, që ta ketë me gjithë shpirt, që të ketë mirësinë e nevojës për një Xhami të tillë të madhe dhe ju faleminderit të gjithëve, sidomos komisionit të Bashkisë, sepse komisioni i Bashkisë është si të thuash, një komision epror, që do të marrë pjesë në të gjithë punimet, në të gjithë debatet që do të bëhen, por që do të jetë edhe më vendimtar se sa të tjerët”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura