
TIRANE – Drejtori i ri i Policisë së kryeqytetit, Bernard Çaushaj, zhvilloi dje një takim prezantimi në gjashtë komisariatet e kryeqytetit, në Njësinë e Qarkullimit, si dhe me prefektin Keltis Kruja. Gjatë takimeve të kryera në komisariate, Çaushaj u kërkoi vartësve të tij që të vlerësojnë maksimalisht dhe me seriozitet çdo kallëzim që depozitojnë qytetarët dhe çdo njoftim që bëhet në sallën operative, qofshin ato edhe për çështje fare banale. Sipas tij, nga bashkëpunimi me komunitetin mund të parandalohen krime që nisin për motive të dobëta, por mund të zbardhen edhe shumë ngjarje të rënda. Gjithashtu Çaushaj kërkoi angazhim maksimal edhe nga efektivat e Policisë Rrugore, në mënyrë që të minimizohet numri i aksidenteve automobilistike, por edhe të normalizohet më tej trafiku i kryeqytetit. Në takimin që drejtori i Policisë së Tiranës zhvilloi me prefektin Keltis Kruja, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm, si dhe u theksua se ky bashkëpunim do të forcohet më tej, sipas dispozitave ligjore në fuqi. Përgjatë takimeve që zhvilloi pranë komisariateve të Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj, pasi prezantoi dy zv.drejtorët e Hetimit të Krimit dhe për Sigurinë Publike, kërkoi rritjen e performancës së shërbimeve të policisë, me qëllim përfshirjen e komunitetit në parandalimin e krimit dhe goditjen e tij. “Bashkëpunimi i frytshëm me organet e qeverisjes vendore, grupet e interesit, shoqërinë civile, qytetarët por dhe mediat, do të çojnë në vlerësimin real të situatës së rendit publik në terren, si dhe gjetjen e formave dhe mënyrave efikase për luftën pa kompromis ndaj krimit dhe përmbushjen e misionit e përgjegjësive të Policisë”, u shpreh Çaushaj gjatë takimit. e.d











