Tiranë, korrupsioni, pranga mjekes e laborantes në QSUT

May 8, 2012 | 14:52
Qendra Spitalore “Nënë Tereza”

TIRANE – Një mjeke kardiologe dhe një laborante e urgjencës së spitalit “Nënë Tereza” u arrestuan dje nga Policia me akuzat “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre”. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë dje se gjatë operacionit të koduar “Kardiologu”, oficerët e Antikorrupsionit arrestuan mjeken Silvana Manaj, 48 vjeçe dhe laboranten Dhurata Trako, 46 vjeçe, të cilat hetoheshin prej dy muajsh me metodat speciale. Sipas të njëjtave burime, kanë qenë dy kallëzime të bëra në zyrat e Antikorrupsionit, që janë bërë rreth dy muaj më parë nga qytetarë të Tiranës, të cilat u bënë shkas për nisjen e hetimeve me aplikimin e metodave speciale, në bashkëpunim me Prokurorinë. Gjatë hetimeve janë zbuluar edhe raste të tjera, veç kallëzimeve të kryera në ngarkim të mjekes kardiologe, Silvana Menaj dhe laborantes Dhurata Trako. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Menaj dhe Trako, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, merrnin nga 2 mijë deri në 3 mijë lekë të vjetër ryshfet, për vizita në pavijonin e kardiologjisë, analizat e gjakut, dhe në disa raste edhe për shtrimin e pacientëve në spital. Madje, gjatë hetimeve është zbuluar se në rastet kur mjekja e konsideronte si të nevojshme shtrimin e pacientit në spital, nuk i regjistronte të sëmuret që vuanin nga probleme kardiake. Por, në bashkëpunim edhe me kolegen e saj laborante, paratë që duhej të derdheshin në arkën e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, ajo i merrte dorazi e më pas i ndante me kolegen. I njëjti veprim kryhej edhe në rastet e kërkesës për analiza nga ana e pacientëve. Ata që kërkonin të kryenin analiza gjaku, orientoheshin nga laborantja në klinika të ndryshme private, më të cilat dyshohet se kishin bashkëpunim për përfitimet që u sillnin.

© Panorama.al

Te lidhura