Sektori i Antiterrorit në Policinë e Tiranës arrestoi dje në orët e para të mëngjesit një 28-vjeçar, të cilit iu gjetën dy mina me celular.
Burime nga Policia thanë se i arrestuari është Denis Shimili, i cili fillimisht është denoncuar nga e shoqja pas një konflikti në familje. Policia është nisur menjëherë drejt vendngjarjes, por kontrolli në banesë zbuloi materialet e rrezikshme. Rreth orës 01:30 pas mesnate, duke gdhirë dita e djeshme, kur policia po kryente kontrollin e banesës së tij, në Rrugën e Barrikadave në kryeqytet, ka zbuluar lëndë eksplozive, detonatorë, fill përcjellës dhe celularë. Sipas burimeve, mes lëndës eksplozive të sekuestruar janë zbuluar dy mina të montuara, detonator i lidhur me një fill pas një telefoni celular, që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjatë procesit të marrjes në pyetje, 28-vjeçari, i cili kishte vetëm dy vite që ishte martuar dhe kishte një fëmijë të mitur, fillimisht ka qenë i dyshuar për përgatitjen e ndonjë akti të mundshëm terrorist. Por këtë akuzë ai nuk e ka pranuar në asnjë moment, duke shpjeguar se eksplozivin që kishte në banesë e përdorte për peshkim. Të njëjtin argument ka përdorur në polici edhe vëllai i tij binjak, Arbër Shimili, i cili ka konfirmuar para oficerëve të Policisë gjyqësore, se Denisi e kishte pasion peshkimin dhe herë pas herë përdorte eksploziv të tillë.
Për shkak të provave të pamjaftueshme për të ngritur një akuzë për akte terroriste, oficerët e Antiterrorit ia kanë kaluar për hetim këtë rast kolegëve të Krimeve të Rënda. Sipas të dhënave, rezulton që minat me celular janë zbuluar rastësisht pas një telefonate të mbërritur në sallën operative të Policisë së Tiranës, nga bashkëshortja e të arrestuarit Denis Shimili. E shoqja e tij kërkonte ndihmën e policisë, pas një konflikti me Shimilin. Ajo ka sqaruar se, për shkak të papunësisë së tij, konfliktet në familje ishin bërë të vazhdueshme dhe për këtë arsye nuk ka gjetur rrugë tjetër, veç kërkesës për ndihmë në polici. Por gjatë deklarimeve që ka dhënë për oficerët e policisë, bashkëshortja e 28-vjeçarit është shprehur se nuk ka pasur dijeni që në shtëpinë e saj kishte eksploziv. Madje, ajo ka treguar se dy minat e sekuestruara nga policia i ka menduar si mjet që i shoqi i përdorte për peshkim, pa e ditur se çfarë ishin.
Bombat
Mekanizmat shpërthyes të telekomanduar funksionojnë me anë të kapsollave elektrike. Ato lidhen me qarkun e një telefoni celular, i cili montohet në mekanizmin e bombës në fjalë. Me anë të një celulari të dytë që mbahet nga aktivizuesi i bombës, bëhet një thirrje në telefonin e montuar në bombë dhe kaq mjafton që shpërthimi të ndodhë. Këto bomba janë futur në Shqipëri fillimisht nga Mali i Zi, por më pas ka nisur prodhimi i tyre brenda vendit.
ETLEVA DELIA











