Kufoma e 44-vjeçarit gjendet në Morgun e Tiranës prej më se gjashtë muajsh, kur u gjet pa ndjenja dhe askush nuk është interesuar për të.Pas identifikimit të viktimës dhe përcaktimit të shkakut të vdekjes, Policia dhe Prokuroria nuk dinë çfarë emri t’i vënë ngjarjes, ndaj kërkojnë ndihmën e publikut për të dhënë informacion mbi rrethanat e vdekjes së 44-vjeçarit. Ai u gjet në gjendje kome më 12 janar, në ora 21:30, pranë pallatit Nr.38 në rrugën “Myslym Shyri”, në kryeqytet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2 morën informacion për personin e shtrirë në tokë dhe menjëherë shkuan në vendin e ngjarjes. Nga këqyrja u konstatua se personi i seksit mashkull ishte shtrirë në tokë dhe ndodhej në gjendje të rëndë pa shenja jete. Ai u dërgua menjëherë në spital ku u mbajt fillimisht në reanimacion. Policia gjatë kësaj kohe, duke qenë se 44-vjeçari nuk u përmend, i mori atij gjurmët e gishtave. Nga këqyrja e jashtme nuk dukej të kishte rrjedhje gjaku apo shenja dhune. Po kështu, policia në raportin e saj përmend se oficerët që u morën me rastin nuk konstatuan elementë të konsumimit të alkoolit nga personi që u gjet përtokë në rrugën “Myslym Shyri”.
Identifikimi
Personi i dërguar në reaminacionin e Spitalit Ushtarak vazhdonte të qëndronte në gjendje kome në spital, derisa humbi jetën më 7 prill. Gjatë kësaj kohe, ishte verifikuar edhe njëherë vendi ku ai u gjet i vdekur, ishin kontrolluar rrobat e tij, por nuk ishte gjetur ndonjë dokument apo e dhënë mbi identitetin e viktimës, i cili u dërgua në Morg. Më 30 maj 2011, nga verifikimi i gjurmëve të gishtave, sistemi i kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike e identifikoi këtë shtetas me emrin Artan Kasemkurti, lindur më 1964 në Tiranë. Pas identifikimit të personit të vdekur, policia vazhdoi hetimet e saj duke kryer autopsinë mbi shkaqet e vdekjes. Pikërisht ky akt hetimor ka gjetur edhe elementin që ka ngritur dyshimet mbi ngjarjen në fjalë. Sipas mjekëve ligjorë, 44-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e konfuzionit në tru. “Vdekja ka ardhur si pasojë e konfuzionit në tru, konkretisht goditjes dhe shembjes së shkaktuar me mjete të forta mbretëse”, thuhet në raportin e autopsisë së 44-vjeçarit.
Hetimi
Dosja penale për vdekjen e shtetasit Artan Kasemkurti ka mbërritur disa ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës. Policia nuk nxitoi ta referonte ngjarjen, për sa kohë viktima qëndroi në spital. Gjatë kësaj kohe, u kryen veprime hetimore në vendin ku ishte gjetur në koma 44-vjeçari, por nuk u arrit të merreshin dëshmi apo prova për mënyrën si ishte shkaktuar dëmtimi i viktimës në kokë. Pas vdekjes në spital të 44-vjeçarit, Policia ka referuar në Prokurori dosjen penale me qëllim që të kryhen veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Grupi i hetimit i ka bërë fotografi viktimës edhe në spital, edhe në morg, foto që mund të shërbejnë për identifikimin e personit, nëse ndokush paraqitet për të bërë njohjen e tij.
Procedura me “jetimët”
Sipas procedurës ligjore, personat që gjenden të vdekur dhe nuk identifikohen ose identifikohen por për ta nuk interesohet njeri, mbahen në vend të veçantë dhe për një kohë të caktuar. Zakonisht, të dhënat e tyre bëhen publike dhe ata që kanë dijeni ftohen të japin ndihmesën e tyre në zbardhjen e ngjarjes. Për disa muaj me radhë, kështu ka ndodhur edhe me 44-vjeçarin e vdekur në spital, pas gjetjes në koma te rruga “Myslym Shyri”.
Viktima ka një shenjë dalluese, yll në gjoks
Nga këqyrja fizike që i është bërë trupit të viktimës së gjetur, më 12 janar 2011, në gjendje kome te rruga Myslym Shyri, hetuesit kanë gjetur disa shenja identifikuese për 44-vjeçarin. Ai mësohet se ka një gjysmë hënë dhe një yll të pikturuar në lëkurë në pjesën e gjoksit. Grupi hetimor thekson se të afërmit në Tiranë apo në rrethe mund të paraqiten dhe të japin shpjegime për viktimën duke e identifikuar përmes shenjave në fjalë që janë fiksuar e dokumentuar edhe me foto. Grupi i hetimit pret të mësojë vendbanimin e viktimës, aktivitetin me çfarë merrej ai dhe një sërë elementesh të tjerë që do të ndihmonin zbulimin e shkaqeve të ngjarjes. Për sa kohë askush nuk është paraqitur në Morg për t’u interesuar për viktimën, trupi i tij është mbajtur aty. Ndërkohë, nga burimet e Mjekësisë Ligjore u tha dje se nevojitet një verifikim për të parë nëse kufoma gjendet ende në Morg apo është varrosur nga Bashkia e Tiranës.
Prokuroria: Nuk e dimë është vdekje aksidentale apo grabitje
Prokuroria e Tiranës ka marrë dosjen e referuar nga policia në lidhje me vdekjen e 44-vjeçarit, por ende nuk ka vendosur si ta regjistrojë hetimin e kësaj çështjeje. Kjo, pasi nga mjekët ligjorë është thënë se dëmtimet që ka marrë viktima mund të jenë shkaktuar nga dy faktorë, rrëzimi dhe rënia me koka në asfalt ose goditja nga persona të tjerë me mjete të forta në kokë. “Nuk ka asnjë informacion përse ky shtetas ka qenë në zonën ku u gjet përtokë. A banon në atë zonë? Punon diku aty apo ka qenë kalimtar? Është rrëzuar sepse ka qenë i dehur apo e kanë grabitur”, këto janë disa nga pyetjet që shtrojnë hetuesit e çështjes. Ata thonë se veprimi procedural që mund të sqarojë ngjarjen në mënyrë përfundimtare, është analiza e mostrave të gjakut të 44-vjeçarit. Një analizë e tillë është duke u zhvilluar dhe pritet përgjigja e saj për të parë nëse viktima kishte konsumuar lëndë narkotike apo jo.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











