
TIRANE – Një 33-vjeçar me zhvillim të vonuar mendor rezulton i zhdukur prej 5 ditësh në Tiranë. Ngjarja është denoncuar më 31 gusht, në Komisariatin Nr.4 nga familjarët e tij, të cilët kërkonin ndihmën e Policisë për gjetjen e djalit të tyre, pasi ai ishte i sëmurë dhe ishte larguar nga banesa. Nga ana tjetër, Policia e Tiranës kërkon ndihmën e qytetarëve për të rënë në gjurmët e 33-vjeçarit Daniel Tolka, duke shpërndarë për median edhe një fotografi të tij dhe duke shpjeguar karakteristikat që mund të ndihmojnë për gjetjen e të humburit. Sipas Policisë së Tiranës, më datë 31 gusht 2012 është larguar nga banesa shtetasi Daniel Tolka, 33 vjeç, me banim pranë Medresesë në Tiranë, me zhvillim të vonuar mendor. “Për këtë shtetas është bërë shpallja në kërkim policor, ndaj po publikojmë edhe foton e tij. Lutemi për dhënien e informacionit pranë Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë, kush ka dijeni për të”, thuhet në njoftimin e Policisë së kryeqytetit. Gjithashtu sqarohet se në momentin kur 33-vjeçari është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më, ka qenë i veshur me pantallona të bardha dhe një bluze të bardhë. I riu ka tipare të theksuara, është bardhosh, i dobët, i gjatë rreth 1.64m dhe ka vendosur syze optike të zeza. Familjarët kanë shpjeguar në Polici se djali i tyre, për shkak të zhvillimit të vonuar, mund të ketë harruar rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Edhe të afërmit e Daniel Tolkës u luten qytetarëve që në rast se e kanë parë djalin e tyre të njoftojnë Policinë.











