Tiranë, i kërkuari qëllon policinë

Jul 12, 2012 | 14:14
Kartëmonedhat e falsifikuara

Një person i kërkuar për falsifikim monedhash ka kundërshtuar forcat e Policisë gjatë aksionit për arrestimin e tij, fillimisht duke qëlluar me armë brenda banesës dhe më pas duke tentuar të arratiset. I dënuari me 5 vjet burg nuk ka mundur të çajë kordonin e Forcave Operacionale të Policisë, që kishte rrethuar banesën e tij në Bathore. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë dje se gjatë orëve të vona të mbrëmjes të së martës është arrestuar i kërkuari Bilbil Sefa, 34 vjeç, të cilit iu sekuestruar edhe pistoleta që mbante pa leje. Të njëjtat burime thanë se fillimisht është marrë informacion për të shtëna me armë brenda një banese në zonën e Bathores. Situata në fjalë është ndjekur nga policia, e cila ka verifikuar të dhënat mbi bazën e informacioneve të marra nga ana e Komisariatit Nr.5 që mori sinjalizimin për të shtënat me armë. Pak minuta më vonë, Njësia e Forcave Operacionale, që ishin vënë në ndjekje për arrestimin e të kërkuarit Bilbil Sefa, ka mbërritur në zonën ku ndodhi ngjarja. Nga verifikimet, rezultoi se dy informacionet të çonin në të njëjtin vend, te banesa e personit të shpallur në kërkim prej më se dy vitesh si pjesë e një rrjeti të falsifikimit të kartëmonedhave. Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e të kërkuarit, që ishte i pajisur edhe me armë zjarri, forca të shumta policie nisën aksionin për kapjen e tij rreth orës 22:00 të së martës. Gjatë kësaj kohe ai vazhdonte të qëllonte me pistoletë nga brenda banesës së tij edhe pse ishte i rrethuar nga dhjetëra forca të Komisariatit Nr.5 dhe të Njësisë së Operacioneve Speciale. Burime zyrtare të Policisë thanë se në kohën e ndërhyrjes për arrestimin e tij, Bilbil Sefa, duke përfituar nga errësira, tentoi të largohej me vrap nga pjesa e pasme e oborrit të banesës. Por, shërbimet e Policisë reaguan menjëherë, kur ai kishte bërë vetëm disa metra rrugë dhe u realizua arrestimi i tij. Policia e Tiranës tha se shtetasit Bilbil Sefa në momentin e arrestimit iu sekuestrua një pistoletë model 54, e kalibrit 7.62 milimetra, me një krehër me 7 fishekë, si dhe një çantë e vogël, brenda së cilës u gjetën doreza dhe çelësa egzagon të përshtatur për hapjen e dyerve të makinave pa thyerjen e bravave. Bilbil Sefa është dënuar vitin e kaluar nga Gjykata e Tiranës me 5 vjet burg, me akuzën e “falsifikimit të monedhave”.

Akuza për falsifiAkuza për falsifikim në 2009
Në bashkëpunim edhe me 25 persona të tjerë, ai është arrestuar më 18 dhjetor të vitit 2009, gjatë operacionit të koduar “Piramida”, i shtrirë në disa qytete të vendit. Sefa, në bashkëpunim me personat e tjerë akuzoheshin se kishin prodhuar dhe hedhur në treg kartëmonedha të prerjeve 1000, 2000 dhe 5000 lekëshe të reja të falsifikuara.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura