Tiranë, gruas i shkulin vëthët nga veshët në rrugë

Aug 23, 2012 | 13:56

TIRANE – Një grua e moshuar 70-vjeçare ka qenë “viktima” e radhës së grabitësve në rrugë. Ajo është sulmuar nga një djalë i ri që lëvizte me një motor tip “Piaxho”, teksa po kthehej në shtëpinë e saj në zonën e “Tiranës së Re”. Sipas burimeve nga Policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, në tunelin e një pallati pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, ku banonte gruaja e moshuar. Sapo ajo është futur në ngushticën mes dy pallateve, që është në formën e një tuneli, autori i është afruar me motor dhe i ka shkulur me forcë vëthët e floririt që mbante në veshë. Menjëherë ai është larguar nëpër rrugicat e zonës, ndërsa 70-vjeçarja ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë pa ndjenja dhe e gjakosur në tokë. Dëshmitarët thanë dje se e kanë gjetur gruan e moshuar në dalje të tunelit dhe e kanë përmendur duke i hedhur një bidon me ujë e më pas kanë lajmëruar menjëherë Policinë. Vetëm pasi është përmendur, e moshuara ka ndier dhimbje në veshë dhe ka kuptuar se çfarë i kishte ndodhur, pasi kishte të çara. Ajo është shoqëruar deri në shtëpi nga një patrullë policie që ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe është marrë në pyetje për të shpjeguar detajet e grabitjes. Gruaja nuk ka qenë në gjendje të kujtojë të gjithë skenën, madje është shprehur se autorin nuk ka arritur ta shohë, pasi i ka ardhur nga pas. Ndërsa dëshmitarët e ngjarjes kanë treguar për Policinë se grabitësi ka qenë i vetëm dhe ka lëvizur me një motor tip “Piaxho” mes për mes bllokut të pallateve të vjetra, që ndodhen pranë vendit të ngjarjes. Ata kanë arritur të përshkruajnë edhe një profil të autorit, i cili është ndërtuar në formën e një identikiti nga ana e oficerëve të Hetimit të Krimeve. Në të njëjtën zonë ku ndodhi dje grabitja e 70-vjeçares, sipas Policisë kanë ndodhur edhe të paktën tri ngjarje të ngjashme, ku gratë ose vajzat kanë rënë pre e vjedhjes me dhunë të sendeve personale.

Agjenti i shitjeve, katër orë peng për borxhin

Gazmir Mango, një nga autorët e pengmarrjes

TIRANE – Një i ri 30-vjeçar, baba i tre fëmijëve të mitur, është mbajtur 4 orë peng në afërsi të ish-tuneleve ushtarake pranë Malit të Dajtit nga punëdhënësi i tij dhe një person tjetër, për 180 mijë lekë të rinj që kishte borxh. Gentian Lako, i punësuar si agjent shitjesh, në kompaninë e autorit që u arrestua si i dyshuar i ngjarjes, Gazmir Mango, i cili ka në pronësi një kompani baterish, por edhe një radio me muzikë, është dhunuar me shkop gome, pasi është prangosur në mal. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë dje se përveç të arrestuarit, 40-vjeçarit Mango, kanë shpallur në kërkim për “heqje të paligjshme të lirisë” edhe bashkëpunëtorin e tij, Pëllumb Gjoka, 33 vjeç. Ngjarja për të cilën ata akuzohen, ka ndodhur mbrëmjen e së hënës dhe ka përfunduar mbrëmjen e së martës pak para mesnate. Mango dhe Gjoka kanë shkuar pranë banesës së viktimës, Gentian Lako, në Babrru të Tiranës dhe i kanë kërkuar që të dilte të pinte një kafe me ta, për të sqaruar problemin e një prapambetjeje për shlyerjen e borxhit, 180 milionë lekë të rinj, që Lako i detyrohej pronarit të tij Mango. Por në momentin që Lako ka dalë nga shtëpia, të dy autorët e kanë futur me forcë në një makinë tip “Fuoristradë” dhe janë drejtuar për te rruga që të çon te reparti RENEA, ku ndodhen disa reparte dhe tunele të vjetra ushtarake, në malin e Dajtit. Aty e kanë lidhur me pranga dhe e kanë mbajtur 4 orë peng duke e goditur me shkop gome si ata të Policisë, në pjesë të ndryshme të trupit, në mënyrë që t’u kthente paratë. Pas një ujdie që paratë do të ktheheshin të nesërmen, autorët e kanë lënë të lirë pengun dhe janë larguar, për t’u takuar me të mbrëmjen e së martës tek Kafja e Rremës, rrugës së Tufinës, në Tiranë. I dëmtuari ka denoncuar ngjarjen në Polici, duke treguar edhe vendin ku do bëhej shkëmbimi i supozuar i parave.

© Panorama.al

Te lidhura