
Një grua që dyshohet se vuan nga problemet mendore, tentoi dje të vetëvritej duke vënë duart ne telat e korrentit që kalonin mbi çatinë e banesës së saj private në zonën e ATSH-së në Tiranë.Protagonistja e ngjarjes është shtetasja Shqipe Rexha, 45 vjeçe. Dje, rreth orës 14:20, ajo hipi në çatinë e banesës private dhe duke bërtitur u përpoq që të këpuste telat e korrentit që kalonin aty pranë për të vënë më pas duart në rrymën elektrike. Persona që janë ndodhur pranë vendit të ngjarjes kanë telefonuar në sallën operative të Policisë së kryeqytetit, ndërsa forcat e rendit u nisën menjëherë drejt vendit të ngjarjes në rrugën “Tefta Tashko”. Shefi i Komisariatit të zonës dhe shërbimet e rendit kanë hyrë menjëherë në kontakt me gruan 45-vjeçare, duke u përpjekur ta qetësojnë atë. Gruaja për disa minuta qëndroi në çatinë e banesës private duke kërcënuar se do të priste telat e korrentit dhe do të kryente vetëvrasje. Ndërkohë që disa prej efektivave komunikonin me 45-vjeçaren, oficerë të tjerë të rendit kanë arritur mbi çatinë e banesës dhe kanë ndaluar veprimet e gruas, e cila pas shoqërimit në Komisariat për identifikim, është dërguar menjëherë në Spitalin Psikiatrik në kryeqytet.
Sëmundja mendore
Autorja e alarmit të djeshëm për vetëvrasje, i treti në Tiranë brenda tri ditësh, dyshohet se vuan nga probleme mendore. Pasi neutralizoi gruan, policia ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen duke konstatuar se gruaja ka tronditje të rënda mendore dhe psikike që e kanë shtyrë në kryerjen e tentativës për vetëvrasje. Banorët e zonës kanë dëshmuar dje në polici se 45-vjeçarja njihet për problemet e saj mendore. Disa prej banorëve në zonë kanë thënë se vazhdimisht gruaja dilte në rrugicat e zonës dhe shpeshherë krijonte incidente, pasi bllokonte rrugën e kalimit të automjeteve. Një ditë më parë, mësohet se 45-vjeçarja ka pasur konflikt verbal me disa fqinjë në zonë, me të cilët është grisur për faktin se përse telat e korrentit kalonin mbi çatinë e banesës së saj private. Burime të Policisë së kryeqytetit thanë dje se 45-vjeçarja që shkaktoi ngjarjen është dërguar për ekzaminime mjekësore dhe varësisht nga rezultati në të cilin do të dalin mjekët, do të vendoset edhe ecuria e çështjes. Nëse rezulton me probleme mendore, gruaja mund t’i shpëtojë përgjegjësisë penale.











