Tiranë, grabitet dosja në makinën e avokates

Feb 13, 2012 | 12:46

Ngjarja te “Don Bosko” mesnatën e së shtunës, s`preken sendet me vlerë.

Thyhet xhami, merren dokumentet e Jalldyz Kastratit.

Makina e një prej avokateve të personave të pandehur të bandës së Cërrikut, Jalldyz Kastrati, është thyer dhe autorët kanë vjedhur disa dokumente që ndodheshin brenda saj. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00, duke gdhirë dita e djeshme, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, kur makina ishte e parkuar poshtë pallatit ku banon avokatja Kastrati. Autorët e krimit kanë thyer xhamin anësor të derës së pasme të makinës dhe janë futur brenda për të vjedhur. Autorët e dyshuar të ngjarjes kanë arritur të marrin disa dokumente, dosje dhe prokura, me logon e avokates Kastrati, ndërsa disa të tjera nuk i kanë prekur. Sipas Policisë, autorët nuk kanë prekur asgjë tjetër me vlerë që ndodhej brenda makinës, aksesorë që avokatja kishte lënë brenda, apo edhe kasetofonin që në të tilla raste është objekti kryesor që vidhet. Oficerët e Komisariatit Nr.3, si dhe oficerë të Hetimit të Krimeve nga Drejtoria e Policisë së Tiranës kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe i kanë marrë kallëzimin avokates, pasi ajo ka kontrolluar vetë se çfarë mungonte brenda makinës së saj. Policia ka fiksuar disa gjurmë gishtash në vendin e ngjarjes, të cilat do të verifikohen në sistem për të ndihmuar në zbulimin e autorëve. Përveç bandës së Cërrikut, së fundmi avokatja Jalldyz Kastrati ka mbrojtur kryesisht edhe në procesin gjyqësor të bandës së Durrësit, ndaj të dyshuarve që gjykohen në mungesë. Gjithashtu, avokatja Jalldyz Kastrati ka mbrojtur edhe këngëtarin Arkimend Lusha, i njohur me emrin Stresi, të cilin e ka përfaqësuar edhe në Gjykatën e Lartë, kur ishte në kërkim duke u hetuar për “gjobëvënie” ndaj regjisorit Leonard Bombaj.
VJEDHJA
Thyerja e xhamit të makinës tip “Mercedes A Clas”, me targë AA 206 BB, në pronësi të avokates Jalldyz Kastrati është konstatuar rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, nga një patrullë policie e Komisariatit Nr.3, që po kontrollonte zonën. Makina ndodhej e parkuar poshtë pallatit, në katin e dytë të të cilit jeton familja e Kastratit, në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë. Gjatë patrullimit, policia ka konstatuar xhamin e thyer të makinës në fjalë dhe ka nisur hetimet. Në mëngjes, rreth orës 07:00, në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe shërbime të tjera të Komisariatit Nr.3 dhe nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, të cilët më pas kanë sinjalizuar për ngjarjen edhe avokaten. Këqyrja e makinës është bërë edhe në prani të Jalldyz Kastratit, e cila gjatë verifikimeve të kryera nga policia, ka konstatuar se mungonin disa dokumente të rëndësishme që ishin marrë nga çanta e saj e dorës, ku ajo mbante dosje të ndryshme dhe prokura. Por, nga makina nuk ishte “prekur” asgjë tjetër. Vetëm disa metra më larg ndodhej e parkuar edhe makina e tjetër e avokates, me të cilën ajo lëvizte disi më rrallë. Por, sipas Policisë, makina tjetër ishte e padëmtuar. Gjatë kallëzimit që Kastrati ka bërë në prezencë të grupit hetimor, ka shpjeguar se nuk ka ndonjë dyshim për persona konkretë që mund të kenë kryer vjedhjen brenda makinës së saj.

Avokatja: Më vodhën dokumentet, nuk prekën asnjë send me vlerë
Kastrati: S’kam pasur konflikte me klientët

TIRANE – Avokatja Jalldyz Kastrati nuk ka shprehur ende ndonjë dyshim konkret në lidhje me personat që i thyen xhamin e makinës dhe i vodhën dokumentet që ajo kishte në çantë. Ajo hedh poshtë mundësinë që klientët e saj mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje, pasi sipas saj, ajo ka marrëdhënie mjaft të mira me të gjithë klientët që mbron së fundmi. Gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”, avokatja Kastrati shpjegon se si ka ndodhur ngjarja dhe dyshimet e saj në lidhje me thyerjen e makinës. “Personat që më kanë thyer makinën nuk kanë pasur si qëllim të vjedhin sende me vlerë, pasi gjithçka që mund të kushtonte dhe që unë i kisha lënë në makinë ndodheshin aty, ata nuk i kishin prekur. Madje as kasetofonin, që në të tilla raste është synimi kryesor i personave që thyejnë makina. Ata kishin “gërmuar” vetëm në çantën që unë e kisha lënë në makinë, ku kanë marrë disa dokumente, prokura, mbrojtje, që mbanin logon time, ndërsa disa të tjera i kishin shpërndarë nëpër makinë dhe nuk i kishin marrë”, shpjegoi avokatja Kastrati. Ajo ende nuk i përcakton dot se cilat prej dokumenteve mungojnë, por ama nuk mund t’u vërë “gishtin” asnjërit prej klientëve të saj. Kastrati tregoi se është njoftuar nga policia për ngjarjen rreth orës 07:00 të mëngjesit, ndërsa ata i kanë shpjeguar se thyerja e xhamit të makinës është konstatuar nga patrulla që prej orës 03:00. Gjithashtu, avokatja Jalldyz Kastrati tregoi se autorët kanë qenë të mirinformuar se me cilën makinë lëvizte ajo, pasi makinën tjetër nuk e kanë prekur, edhe pse e kishte të parkuar fare pranë asaj që i kanë thyer.

Ekspertiza
Grupi hetimor i ngritur dje për ngjarjen ka kryer ekspertizën në vendin ku ndodhi vjedhja e sendeve në makinën e avokates. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar mostrat e nevojshme dhe provat të tjera të vlefshme për ekzaminime. Të gjitha provat e grumbulluara mësohet se janë dërguar për ekzaminime shkencore me qëllim identifikimin e autorëve të ngjarjes. Policia ditën e djeshme ka bërë edhe shoqërimin e disa personave që janë verifikuar në lidhje me ngjarjen.

Hetimi
Policia e kryeqytetit ka ngritur dy pista në lidhje me ngjarjen e ndodhur me automjetin e avokates Jalldyz Kastrati. Sipas të dhënave të grupit hetimor, mësohet se pista e parë ka të bëjë me vjedhjen e dokumenteve për shkak të detyrës, çka nënkupton se autorët e ngjarjes kanë pasur dijeni për pronësinë e automjetit. Pista e dytë është ajo e një vjedhje të rëndomtë, mirëpo ky variant rrëzohet sipas hetuesve, nga fakti se autorët e krimit nuk kanë prekur sendet me vlerë dhe automjetin, por vetëm dokumentet.

Dëshmia
Një nga veprimet e para hetimore të kryera dje nga policia ka qenë marrja në pyetje e avokates Jalldyz Kastrati. Administrimi i deklarimeve të saj në dosje është kërkuar nga hetuesit që në fillim. Dëshmia e avokates është marrë për të orientuar hetimin nëse ajo ka pasur ndonjë konflikt apo mosmarrëveshje për shkak të detyrës. Pas marrjes së dëshmisë së avokates, policia ka nisur hetimin, ndërkohë që Kastrati nuk ka pranuar të ketë pasur ndonjë konflikt apo mosmarrëveshje në lidhje me detyrën.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura