Dy grabitje ndodhën gjatë natës së kaluar në Tiranë, ku autorët kanë përvetësuar shuma të mëdha parash në një pikë lojërash fati dhe në një banesë. Një lokal lojërash fati në Tiranë është grabitur gjatë natës nga një person i maskuar dhe me pistoletë, i cili ka arritur të vjedhë 200 mijë lekë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:10 pas mesnate, duke gdhirë dita e djeshme, në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet. Autori i ngjarjes, i maskuar dhe i armatosur, është futur në ambientet e brendshme të kazinosë, brenda ndodhej vetëm një punonjës. Policia tha se autori i ngjarjes i ka drejtuar pistoletën punonjësit 28-vjeçar Erion F., të cilin e ka kërcënuar që t’i jepte të gjitha paratë që kishte në kasë. Ai është detyruar që t’i dorëzojë grabitësit të gjitha paratë që ndodheshin aty, rreth 200 mijë lekë. I dëmtuari ka lajmëruar policinë e më pas ka dhënë përshkrimet e tij për karakteristikat e autorit të grabitjes, edhe pse ishte i maskuar. Një tjetër grabitje është parandaluar nga policia në rrugën “Xhorxh Bush”, përballë Parlamentit. Një person i maskuar dhe me armë ka tentuar të vjedhë një agjenci këmbimi valutor, e cila edhe një muaj më parë ishte grabitur. Herën e parë në këtë agjenci këmbimi autorët arritën të vidhnin 9 mijë euro, ndërsa dy ditë më parë, pronari Riza Fana ka pikasur të dyshuarit dhe menjëherë ka lajmëruar policinë. Kur ka parë prezencën e policisë, i dyshuari ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes. Komisariati Nr. 5 ka identifikuar po ashtu autorin e një vjedhjeje banese të ndodhur disa ditë më parë në Bathore. Ai është identifikuar e shpallur në kërkim. Vjedhja ka ndodhur në banesën e Shaqir Alcanit, në Lagjen Nr. 1 të Bathores ku autori ka arritur të vjedhë nga shtëpia e të afërmit të tij rreth 1.2 milionë lekë dhe 3400 euro.











