Tiranë-Elbasan, zbulohen 200 predha

Jul 9, 2012 | 14:28
Në foto predhat e Luftës II Botërore të gjetura gjatë punimeve për rrugën Tiranë-Elbasan dhe kufizimet e ngritura nga policia

Rreth 200 predha të pashpërthyera janë gjetur gjatë dy ditëve të fundit në afërsi të fshatit Bërzhitë të Tiranës, në vendin ku po kryhen punimet për rrugën Tiranë-Elbasan. Predhat që mendohet se i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore, janë zbuluar nga punëtorët e firmës që po kryen punime përgjatë bregut të lumit Erzen. Një punonjës i firmës së ndërtimit, i cili paraditen e së shtunës po kryente gërryerjen në faqen e kodrës, poshtë të cilës kalon lumi, ka parë që po dilte tym. Menjëherë ka lajmëruar kolegët për të parë se çfarë ndodhej poshtë dheut. Duke gërmuar me kujdes, ata kanë parë një objekt në formë cilindrike, të ndryshkur, po që vazhdonte të nxirrte tym dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë. Fillimisht janë gjetur pesë copë predha të tilla, ndërsa forcat xheniere të mbërritura në vendin e ngjarjes kanë zbuluar edhe shumë të tjera, rreth 200 copë, në dy vende të ndryshme, në një distancë rreth 10 metra nga njëri vend në tjetrin. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe shërbimet e Komisariatit Nr.1, të cilët kanë rrethuar zonën, në një sipërfaqe më shumë se 100 metra katrorë. Ndërsa forcat e Ushtrisë, të specializuara për municione të tilla, kanë bërë grumbullimin e predhave në dy vende, që më pas të kryejnë edhe transportimin e tyre në një vend të sigurt për t’i demontuar. Burime nga Policia e Tiranës thanë se pavarësisht se predhat janë rreth 70-vjeçare, ato vazhdojnë të jenë të rrezikshme, pasi të gjitha janë të paplasura. Mësohet se në atë zonë, në breg të lumit Erzen, në Bërzhitë, janë ndërprerë punimet për rrugën Tiranë-Elbasan, deri në zhvendosjen e municionit të rrezikshëm. Predhat e gjetura nga punëtorët e ndërtimit mësohet se janë të artilerisë së rëndë, me peshë rreth 30 kilogramë secila.
ZBULIMI I PREDHAVE
Në vendin ku të shtunën e të dielën u zbuluan predhat e paplasura, gjatë gjithë kohës kanë qëndruar punonjës të Komisariatit nr.1 të Policisë së Tiranës, për të mos lejuar afrimin e banorëve në zonën e rrethuar. Në një sipërfaqe prej rreth 100 metrash katrorë, të rrethuar me shiritin e policisë, në breg të Lumit Erzen, në Bërzhitë, ndodhen të paktën 200 predha të artilerisë së rëndë, që përbëjnë rrezik për banorët. Megjithatë, burime nga Policia thanë se ky nuk është rasti i parë, që gjatë kryerjes së punimeve për rrugën Tiranë-Elbasan, kryesisht përgjatë bregut të Lumit Erzen, janë zbuluar predha të tilla. Por rastet e mëparshme kanë qenë sporadike. Punëtorët kanë gjetur nga një ose nga dy predha, të cilat janë sekuestruar për t’u asgjësuar nga forcat e Ushtrisë. Por rasti i dy ditëve të fundit, përveçse ka qenë i rrezikshëm për punëtorët e firmës së ndërtimit, njëri prej të cilëve gjatë gërmimeve ka konstatuar edhe tym, është i rrezikshëm edhe për faktin e sasisë së municionit të gjetur. Burime nga Policia thanë se thuajse të gjitha predhat e gjetura janë të paplasura dhe për këtë arsye ata nuk lejojnë banorët, qoftë edhe ata që e kanë pronë të tyren vendin ku u gjetën, që t’i afrohen zonës për shkak se ekziston mundësia që ato të plasin. Sot pritet që forcat e xhenios të sekuestrojnë dhe të transportojnë predhat në një vend të sigurt, ku më pas do të kryhet edhe demontimi i tyre. Ndërsa më pas do të vazhdojnë edhe punimet nga firma e ndërtimit.

Banorët: Gjetëm predha prej 2 vitesh
Për banorët e fshatit Bërzhitë të Tiranës, kryesisht ata që i kanë banesat pranë lumit Erzen, nuk është rasti i parë që mësojnë se aty janë gjetur predha. Madje në shumë raste ata i kanë gjetur vetë, madje edhe duke rrezikuar i kanë lëvizur vetë, pa njoftuar Policinë. “Sa herë që lumi bëhet i vrullshëm dhe më pas bie sërish niveli i tij, në dy brigjet e lumit ne kemi gjetur predha dhe i kemi hequr vetë. Shumë rrallë kemi njoftuar Policinë”, u shpreh një banor i Bërzhitës. Ai shprehet se ka pasur raste që ka gjetur predha të tilla edhe kur ka punuar tokën, madje tani që mësoi se ato janë të paplasura, ka kuptuar frikën e një shpërthimi të mundshëm që mund t’i rrezikonte edhe fëmijët. Një tjetër banor i fshatit, i cili banon fare pranë vendit ku u gjetën 200 predhat e fundit, tregoi se municione të tilla ka thuajse 2 vjet që gjenden në Bërzhitë. “Ne edhe vetë kemi gjetur predha, të paktën prej dy vitesh. Kemi dëgjuar që janë predha që nga Lufta e Dytë Botërore, por ne jemi mësuar se këtu i nxjerr lumi. Me sa duket, atëherë i kishin hedhur në lumë dhe tani ato dalin”, u shpreh një tjetër banor.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura