Kompania greke “AKTOR” ka arritur të përfundojë dy rrugët e aksesit dhe duket se gjithçka është gati për të filluar punën për tunelin e rrugës Tiranë-Elbasan.Burime nga Drejtoria e Rrugëve bëjnë me dije se është duke u punuar në ngritjen e dy bazamenteve që do të jenë në hyrjen e tunelit për të lehtësuar punën. Shtyrja paksa e afatit të fillimit të punës për fillimin e punimeve erdhi për një sërë arsyesh, mes të cilave edhe faktit që grekëve të “AKTOR”-it nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve iu la dorë e lirë për të bërë propozime dhe ndryshime në projektin fillestar, por me kushtin që të mos ketë lëvizje të kostos. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka zgjedhur që të jetë e qartë qysh në fillim me kompaninë, një mësim që siç duket e mori nga eksperienca e parë e ndërtimit të tunelit të Kalimashit, kur kostoja u rrit gjatë rrugës në mënyrë dramatike. Ndërkaq, grekët e “AKTOR” preferuan që mes të tjerave të bënin një studim të tyrin gjeologjik për t’u siguruar rreth shtresave ku do të punohet. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve theksojnë se ka rezultuar që struktura gjeologjike është e qëndrueshme dhe për këtë arsye punimet pritet që të ecin shpejt dhe brenda afatit të përcaktuar të vitit 2013. Sipas kontratës, punimet për tunelin duhet që të zgjasin 18 muaj dhe i gjithë tuneli do të ketë një kosto prej 83 milionë dollarësh. Aktualisht, kompania ka ngritur kantieret aty ku do të fillohet puna për tunelin. Do të punohet në të dyja anët dhe në katër fronte pune. Gjithsej numri i punëtorëve të thjeshtë, inxhinierëve dhe specialistë që duhen për të asistuar në ndërtimin e tunelit, është rreth 200, ku një pjesë e mirë e tyre vijnë nga Greqia.
Marrëveshja
Pak kohë pas marrëveshjes prej 222 milionë dollarësh me Bankën Islamike për Zhvillim, miratohet edhe një kredi tjetër prej 25 milionë dollarësh me Fondin Saudit për Zhvillim, para që do të shkojnë për rrugën Tiranë-Elbasan. Kërkesa e qeverisë shqiptare për të financuar një ndër projektet e saj më ambicioze ndaj Fondit, është bërë e ditur më herët, por vetëm së fundmi është dhënë “Ok” për 25 milionë dollarë. Ministria e Financave në një njoftim për shtyp ka dhënë edhe detajet lidhur me këtë kredi. Miratimi zyrtar nga Fondi Saudit është konfirmuar nga ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim, gjatë një takimi me ministrin e Financave, Ridvan Bode. Ky i fundit ka vlerësuar kushtet e favorshme me të cilat është ofruar kjo kredi, e cila ka një normë interesi 2 për qind dhe afat maturimi 25 vjet, nga të cilët 5 vitet e para janë pa pagesë. Ministri Bode e ka konsideruar dhënien e kësaj kredie me terma kaq të favorshëm si një vlerësim që Fondi Saudit ka ndaj projektit infrastrukturor të autostradës Tiranë-Elbasan.
222 milione euro
është kredia e dhënë nga Banka Islamike për Zhvillim për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan. Marrëveshja u nënshkrua pak kohë më parë dhe ka maturim 17-vjeçar, plus tre vjet pa pagesë me interesa
83 milione dollare
është vlera me të cilën kompania greke “AKTOR” do të ndërtojë tunelin e autostradës Tiranë-Elbasan. Kompanisë i është lënë në dorë të bëjë ndryshime në projekt, por pa rritur koston aktuale të vendosur
Fondi Saudit
Kredia
25 milionë USD
Interesi
2 për qind
Maturimi
25 vjet
Avantazhi
5 vite pa pagesë
NERTILA MAHO
© Panorama.al











