
Një sasi tritoli shpërtheu në orët e para të mëngjesit të djeshëm në derën e apartamentit të një kambisti në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 02:30, në katin e gjashtë të një pallati në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, ku banon familja Qatipi. Kryefamiljari është kambist, ndërkohë që e shoqja është fallxhore. Shpërthimi ka tronditur banorët e zonës përreth, duke vënë në lëvizje menjëherë edhe forcat e Policisë të Komisariatit Nr.2, që ndodhet pranë vendit të ngjarjes. Në momentin kur ndodhi ngjarja, brenda në banesë kanë qenë vetëm bashkëshortët Gani dhe Shqipe Qatipi, të cilët jetojnë vetëm, pasi njërën vajzë e kanë të martuar, ndërsa tjetra vazhdon studimet në Itali. Nga shpërthimi nuk ka pasur dëme në njerëz, ndërsa dëmet e shkaktuara në katin e gjashtë, të pestë dhe të katërt të pallatit janë të konsiderueshme, kryesisht në apartamentin e Gani Qatipit. Policia tha se lënda eksplozive, që dyshohet të ketë qenë një sasi rreth 100 gramë tritol, është vendosur në dorezën e derës së apartamentit dhe më pas është aktivizuar me një fitil që mund të ketë qenë rreth një metër.
HETIMI
Një grup hetimor me oficerë të Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës, Komisariatit Nr.2, si dhe ekspertë të Njësisë Speciale Antieksploziv kanë nisur hetimet për ngjarjen. Mësohet se janë marrë në pyetje bashkëshortët Gani e Shqipe Qatipi, të cilët kanë mohuar të kenë konflikte apo probleme me persona të tjerë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, po verifikohet ndonjë problem nga aktiviteti i çiftit Qatipi. Burri njihet në zonë si kambist, ndërsa e shoqja e tij, në zonën përreth vendbanimit njihet si fallxhore. Megjithatë policia dyshon se ngjarja mund të ketë lidhje edhe me vajzat e çiftit, pavarësisht se ato nuk jetojnë më me prindërit. “Po punohet intensivisht për zbardhjen e rrethanave, motiveve dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje, si dhe dokumentimin e veprës, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës. Ndërsa vetë të dëmtuarit, Gani dhe Shqipe Qatipi, nuk kanë dhënë ndonjë ndihmesë për grupin hetimor, pasi gjatë deklarimeve të tyre pas ngjarjes kanë mohuar në mënyrë kategorike probleme me persona të tjerë, si nga ana e tyre, ashtu edhe nga ana e vajzave.
SHPERTHIMI
Shpërthimi i fuqishëm ka tronditur banorët e zonës pranë “21 Dhjetorit”, te rruga “Kongresi i Lushnjës”, në Tiranë dje rreth orës 02:30 të mëngjesit. Përveç zhurmës së fortë, banorët e pallatit nr.33/1, në katin e gjashtë të të cilit ishte vendosur një sasi tritoli, kanë ndier edhe një tronditje të ngjashme me atë të një tërmeti. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale në apartamentit e çiftit Gani e Shqipe Qatipi, ku ishte vendosur eksplozivi, janë dëmtuar edhe 4 apartamente të tjera, në të njëjtin kat me ta dhe një kat më poshtë.
Shqipe Qatipi: S‘kemi probleme
Çifti Qatipi i kërkoi Policisë së Tiranës që të gjejë autorët që vendosën eksploziv në shtëpi. “Ne jemi njerëz të qetë, që shohim punën tonë dhe nuk kemi pasur kurrë as debatin më të vogël me njerëzit. Nuk e dimë se nga na ka ardhur ky kërcënim. Duhet që Policia të gjejë autorët e ngjarjes, që ta kuptojmë edhe ne se nga kush na ka ardhur. Fatmirësisht, nuk kemi pësuar asnjë dëmtim as unë as im shoq, por vetëm dëme të shumta materiale. Ne ishim në gjumë dhe ndjemë atë zhurmë të fortë dhe tronditje që na frikësoi shumë. Por pa arritur ende të hapnim dritaret, pamë që këtu kishte mbërritur policia, pasi i kemi shumë afër. As unë, as im shoq nuk kemi asnjë problem personal. Po kështu, as vajzat tona”, u shpreh dje pas ngjarjes Shqipe Qatipi.
ETLEVA DELIA











