Tiranë-Durrës, digjet magazina e polisterolit

Feb 23, 2012 | 13:12

TIRANE – Një magazinë polisteroli është përfshirë nga flakët pasditen e djeshme, në afërsi të fshatit Domje në Tiranë. Zjarri i fuqishëm u përhap me shpejtësi për shkak edhe të materialeve që digjen me shpejtësi, të cilat ndodheshin në depot e magazinës, duke rrezikuar jetën e punëtorëve dhe shembjen e tarracës së godinës. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, në një rrugë dytësorë që lidh autostradën Tiranë-Durrës me fshatin Domje. Menjëherë pas lajmërimit në sallën operative të Policisë së Tiranës, në vendin e ngjarjes shkuan 7 makina zjarrfikëse, të cilave iu deshën më shumë se 45 minuta që të shuanin flakët. Gjithashtu, zjarrfikësit arritën të shpëtojnë nga shembja tavanin e magazinës, ku ndodhej një sasi e madhe materialesh polisteroli dhe fibrash për prodhimin e bojërave plastike, që kishte nisur të çahej. Burime nga ekspertët e policisë dhe zjarrfikësit thanë se zjarri dyshohet të jetë nga saldimet që po kryenin dy punëtorë të magazinës në ambientet e brendshme të saj. Shkëndijat që shpërndaheshin gjatë saldimit, nga kontakti me polisterolin, kanë shkaktuar një vatër zjarri që më pas është përhapur me shpejtësi. Burimet konfirmuan që fatmirësisht asnjë prej punëtorëve që ndodhej në magazinë nuk është plagosur nga ngjarja. Dy personat që po saldonin në momentin kur ra zjarri janë shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes. Të njëjtat burime konfirmuan se magazina sapo kishte nisur aktivitetin dhe ende nuk ishte e siguruar nga pronari i saj. Dëmi i shkaktuar nga flakët ende nuk është llogaritur, por sipas të dhënave paraprake, është i konsiderueshëm.

© Panorama.al

Te lidhura