Tiranë, dënohen grabitësit e taksistit

May 21, 2012 | 13:41

“Zbrit në tokë se të vrava!”. Taksisti durrsak Sabri Vaja i ka dëgjuar këto fjalë mbrëmjen e 6 tetorit 2011 nga një prej klientëve të tij, që i kishte vënë një pistoletë në bark. Më herët, i udhëzuar prej tyre, ai ishte futur në një rrugë dytësore dhe të errët në fshatin Budull të Krujës, pa ditur se dy klientët do t’i vidhnin automjetin dhe të gjitha sendet e tij me vlerë. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës deklaroi fajtorë dhe dënoi me burg tre persona të akuzuar për këtë ngjarje. Për akuzat e “vjedhjes me dhunë” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake” u dënua me 6 vjet burg i pandehuri 21-vjeçar, Berti Limani dhe me 2 vjet e 8 muaj burg i pandehuri 19-vjeçar, Hysen Xixa. I pandehuri Lulzim Doçi u dënua me 8 muaj burg e 40 mijë lekë gjobë, pasi u deklarua fajtor për veprën penale të “përvetësimit të parave, ose mallrave të vjedhura”. Referuar vendimit, Doçi, pronar i një servisi në Peshkopi, bleu nga dy të rinjtë për 500 euro automjetin që iu grabit taksistit. Ngjarja për të cilën u dënuan të rinjtë, është shënuar mbrëmjen e 6 tetorit 2011. Me qëllim grabitjen ata kanë faturuar një automjet taksi në qytetin e Durrësit drejt fshatit Budull të Krujës. Më pas, nën kërcënimin e armës, ata i kanë marrë taksistit automjetin, si edhe sende të tjera.
GRABITJA
Në sediljen e parë të pasagjerit është ulur Berti Limani, kurse në sediljen prapa shoferit ka qëndruar i pandehuri Hysen Xixa. Kur ata kanë mbërritur në fshatin Budull, Berti Limani i ka thënë taksistit Sabri Vaja që të futej në rrugën dytësore dhe, pasi janë futur në errësirë e janë siguruar se përreth nuk kishte lëvizje, Berti Limani i ka kërkuar taksistit që ta mbante automjetin. I pari nga makina ka zbritur Berti Limani, i cili ka kërkuar që të zbrisnin nga makina dhe Hysen Xixa e taksisti Sabri Vaja. Limani i është afruar taksistit Vaja, pasi ai nuk po zbriste dhe i ka vendosur në bark një armë pistoletë duke u shprehur me fjalët “zbrit në tokë se të vrava”. Pas zbritjes nga makina, Berti Limani i ka thënë taksistit Sabri që të nxirrte duart përpara dhe, në këtë kohë, Hysen Xixa ia ka lidhur duart me ngjitës natriban dhe i ka thënë “rri këtu dhe mos lëviz”. Të pandehurit i kanë vjedhur në xhep dy celularë dhe dy celularë të tjerë që ndodheshin në mjet, por që nuk punonin, 20 mijë lekë, dokumentet e mjetit, dëshminë e taksistit, lejen e hyrjes të taksistit në port. Pas kryerjes të këtyre veprimeve, të pandehurit i janë afruar mjetit taksi dhe kanë hequr tabelën me mbishkrimin “TAXI” dhe e kanë hedhur në kanal.

Shitja
I pandehuri Berti, së bashku me automjetin e vjedhur, ka shkuar pasdite dhe është takuar tek servisi me pronar të pandehurin Lulëzim. Ky i fundit i ka thënë se kishte vetëm shumën prej 500 eurosh dhe nuk kish më shumë lekë për ta blerë atë automjet. I pandehuri Berti përsëri ia ka vënë në dukje se mjeti ishte i vjedhur dhe i pandehuri Lulëzim i është përgjigjur se “nuk ishte problem, sepse ai e zbërthente për gjithë natën”.

Denoncimi
Shoferi i taksisë, shtetasi Sabri Vaja, ka shkuar në drejtim të një lokali ku gjatë rrugës ka mundur të lirohej nga natribani. Ai ka vënë në dijeni personat që ishin në lokal për sa i kishte ndodhur. Më pas, e vënë në dijeni, policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës tabela “TAXI” e mjetit, e hedhur nga të pandehurit, si dhe natribani me të cilin kishin bërë lidhjen e taksistit.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura