TIRANE – Një 62-vjeçar kreu vetëvrasje pasditen e së dielës në banesën e tij pranë Pazarit të Ri në Tiranë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Qemal Stafa”, në banesën e viktimës Agim Kraja. Burime nga Policia thanë se Kraja, i cili kishte filluar të humbte shikimin, edhe pse ende nuk ishte verbuar plotësisht, ka qëlluar veten në zemër me një armë automatike. Motivi i ngjarjes, sipas Policisë, ka qenë problemi që ai kishte me shikimin prej rreth 12 vitesh. Ndërsa së fundmi ai po kalonte probleme depresive për shkak se kishte zbuluar se rrezikonte të verbohej plotësisht. Viktima Agim Kraja ka përfituar nga momenti kur në shtëpi nuk ndodhej e shoqja dhe dy djemtë, të cilët kujdeseshin që të mos e linin asnjëherë vetëm dhe pasi ka gjetur momentin e përshtatshëm, ka vendosur t’i japë fund jetës. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr.1, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Sipas burimeve nga grupi hetimor, nga veprimet paraprake ka rezultuar se viktima ka qëlluar veten me një plumb në zemër, me një armë automatike. Në lidhje me ngjarjen janë pyetur edhe familjarët, të cilët deklarojnë se vetëvrasja ka ndodhur për arsye depresioni, pasi Kraja vuante prej 12 vitesh nga shikimi. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automatiku dhe 24 fishekë, model 9 mm, të vendosur në një krehër, si dhe u sekuestruan dy gëzhoja të të njëjtit kalibër, të cilët janë dërguar për ekzaminime në Laboratorin e Kriminalistikës.











