
Vjedhja, akuzë edhe të fejuarës.
TIRANE – Pas më shumë se 24 orësh nga arrestimi i të riut që gëlltiti një unazë floriri, për t’ia bërë dhuratë të fejuarës, policia e kryeqytetit ka arritur sekuestrimin e saj me ndihmën e mjekëve të spitalit “Nënë Tereza”. Erjon Cërriku, 27-vjeçari i arrestuar që prej mbrëmjes së të premtes, i denoncuar nga një argjendar për vjedhjen e një unaze që kushton 100 mijë lekë të rinj, i është nënshtruar kujdesit mjekësor duke u trajtuar me medikamente të ndryshme, në mënyrë që unaza të dilte nga organizmi i tij. Mëngjesin e djeshëm, mjekët kanë lajmëruar oficerët e grupit hetimor, që të paraqiteshin për sekuestrimin e bizhusë së vjedhur, pasi Cërriku e kishte nxjerrë nga zorra e trashë. Për shkak të zgjatjes së procesit të nxjerrjes së unazës në mënyrë natyrale, mjekët po shqyrtonin edhe mundësinë e një operacioni, pasi ajo kishte ngecur në zorrën e trashë, por disa orë pasi ekipi mjekësor po përgatiste mundësinë e ndërhyrjes, Cërriku ka nxjerrë unazën. Policia tha se ndaj tij është marrë masa e arrestit në flagrancë për vjedhje, ndërsa ka nisur procedim penal edhe ndaj të fejuarës së tij që ka bashkëpunuar në këtë ngjarje. Ndaj saj është marrë masë më e lehtë, për shkak se ka një fëmijë një vjeç. Ngjarja për të cilën akuzohet Cërriku dhe e fejuara e tij ndodhi të premten, në një argjendari te Rruga e Durrësit, në vendin e njohur si ish-kafe “Flora” në kryeqytet. Ai i ka kërkuar argjendarit që t’i tregonte unazën më të shtrenjtë, pasi do ia bënte dhuratë të fejuarës. Në momentin që Cërriku e ka pasur në dorë unazës që kushtonte 100 mijë lekë të rinj, e fejuara e tij ka shpërqendruar argjendarin, duke i dhënë kohë 27-vjeçarit për ta gëlltitur unazën. Ngjarja është zbuluar nga kamerat e sigurisë së argjendarisë e më pas nga skaneri që i është bërë të arrestuarit në spital. Erjon Cërriku ishte mbajtur peng 24 orë nga pesë persona në afërsi të Shijakut dhe ishte liruar një ditë para se të gëlltiste unazën. Pengmarrësit e akuzonin se u kishte shitur një motor të vjedhur dhe i kërkonin t’u kthente 2500 euro. Këtë fakt ai e ka përdorur si argument gjatë marrjes në pyetje, duke u shprehur se po përpiqej të grumbullonte paratë për t’ua kthyer personave që e kërcënonin.











