
Kolegji Zgjedhor do të vendosë sot mbi kërkesën e Partisë Socialiste, e cila kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Megjithatë, pavarësisht seancës që do të nisë në orën 10:00, beteja ligjore për Tiranën nuk do të përfundojë këtu.Në fundjavë, PS-ja ka depozituar një tjetër padi në Kolegj, ku i kërkon trupës gjykuese ta detyrojë KQZ-në të shprehet mbi kërkesën ankimore që ajo kishte bërë për rezultatin e Tiranës. Në mbledhjen e javës së kaluar, kur doli rezultati që nxirrte Lulzim Bashën 93 vota përpara, KQZ-ja nuk pranoi të merrte në shqyrtim kërkesën ankimore të PS-së, me pretendimin se ajo nuk ishte kompetente për ta shqyrtuar. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur për gazetën se me këtë padi në Kolegj kërkohet që çështja të kthehet sërish në KQZ, dhe kjo e fundit të shpallë pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Rivotimi në Tiranë është e përbashkëta e dy kërkesave ankimore të Partisë Socialiste. “Duke qenë një vendim i ri në mungesë të vendimeve të mëparshme, në bazë të dispozitave të sipërcituara, kemi afate të reja për paraqitje të kërkesës ankimore. Afate që nisin nga data e vendimit që ka miratuar tabelën përmbledhëse të rezultatit së fundi, çka na çon pikërisht te Vendimi Nr. 1158, datë 25.06.2011 i KQZ-së dhe nisja e llogaritjes së afateve nga ajo datë sipas përcaktimeve të nenit 124 dhe 126 të Kodit Zgjedhor”, thuhet në kërkesën ankimore të PS-së.
Seanca
Sot në orën 10:00, trupa gjykuese me relator Astrit Kalaja do të mblidhet për t’u shprehur mbi kërkesën ankimore të PS-së, e cila kërkon të shpallen të pavlefshme zgjedhjet në 284 qendra votimi e, për rrjedhojë, në të gjithë Tiranën. “Diferencat midis numrit të votuesve dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kutitë e votimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës nuk përmbajnë diferenca midis tabelës përmbledhëse të rezultatit dhe tabelave origjinale të qendrave të votimit, që është argumentuar se është gabim “njerëzor”. Jemi para një mospërputhjeje të rezultatit zgjedhor, me pasojë të dukshme deformimin e tij, gjë që përbën shkelje të ligjit, me ndikim në ndarjen e mandateve. Për këtë shkak, janë të gjitha arsyet ligjore që zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Tiranës të shpallen të pavlefshme”, thuhet në kërkesën ankimore të PS-së. Nga ana e tyre demokratët pretendojnë se ankimimi i socialistëve është jashtë afatit. Sipas përfaqësuesit ligjor të PD-së, Njazi Kosovrasti, problemi i mosrakordimit të numrave ekzistonte që në kohën kur Rama ishte 10 vota para Bashës. “PS-ja, në asnjë moment të të gjithë procesit nuk ka paraqitur një kërkesë për pavlefshmëri. Problemi i rakordimit të numrave nuk u pa sot, ai u pa menjëherë sapo mbaroi faza e parë e procesit, pa filluar operacioni i 117 kutive dhe ai i urdhërimit të Kolegjit. Pa filluar këto dy operacione ka një mosrakordim mes numrit të votuesve sipas shënimeve në lista dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kuti”, është shprehur Kosovrasti në një intervistë për gazetën. Seanca e sotme gjyqësore pritet të vazhdojë për orë të tëra, njësoj si në dy rastet e para kur trupi gjykues është mbledhur ditën për të dëgjuar palët dhe vendimin e ka dhënë natën.
Padia
Përveç padive për Bashkinë e Tiranës, në Kolegjin Zgjedhor janë depozituar së fundi edhe dy padi të tjera për këshillat bashkiakë. Të parën e ka depozituar PD-ja për Këshillin e Bashkisë së Bajram Currit, ku ajo pretendon se ka fituar 10 mandate, dhe jo nëntë, sa ç’i ka dhënë KQZ-ja. Ndërsa PS-ja ka çuar një padi për shkak se njëri nga kandidatët për këshillin e minibashkisë rezulton të jetë edhe në listën e PDS-së.
284 Qendra
Për shkak të mospërputhjes së numrit të votuesve me fletët e votimit të gjetura në kuti, PS kërkon të shpallen të pavlefshme 284 qendra votimi në të 11 njësitë bashkiake të Tiranës
Argumentet e PD
PS-ja, në asnjë
moment të të
gjithë procesit nuk ka paraqitur një kërkesë për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë.
Problemi i rakordimit të numrave nuk u pa sot, ai u pa menjëherë sapo mbaroi faza e parë e procesit, pa filluar operacioni i 117 kutive dhe ai i urdhërimit të Kolegjit.
Në momentin kur Rama ishte 10 vota para, kjo diskordancë e numrave ishte ekzistente.
Këtë shqetësim (mosrakordimin e numrave) ne e kemi pasur në të gjitha zgjedhjet.
Argumentet e PS
Në 284 qendra votimi janë vërejtur shkelje të shumta, që nga mosrakordimi i numrave deri te mungesa e kodit të pestë, apo zhdukja e zarfit me fletët e votimit të pavlefshme.
Nga tabela përfundimtare e miratuar nga KQZ-ja, rezulton se janë 870 vota më shumë se numri i zgjedhësve që kanë votuar më 8 maj.
Përveç kutive që u mungonte kodi i pestë, kishte kuti të dëmtuara, kuti ku mund të ndërhyhej duke futur ose nxjerrë zarfe apo fletë votim, kuti ku mungonin zarfet me votat e pavlefshme apo edhe kuti që kishin fletë votimi që nuk i përkisnin asaj qendre.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











