Tirana, sot “vula” e Kolegjit

Jun 13, 2011 | 11:00

Përfundimisht, sot vendoset fati i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.Kolegji Zgjedhor, i përbërë prej 5 gjyqtarësh, do të mblidhet sot paradite në orën 10, për të dëgjuar përfaqësuesit e PS-së e PD-së mbi kërkesën e bërë nga socialistët që kërkojnë rrëzimin e rezultatit prej 81 votash më shumë për Lulzim Bashën, e për shpalljen fitues të Edi Ramës me 10 vota. Bashkë me PS, pritet të shqyrtohet edhe kërkesa e Partisë së Pensionistëve, aleatë të PS-së, që kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve në Tiranë, me argumentimin se ka pasur më shumë vota se votues në tabelat e rezultateve. Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor do të jetë vendimtar dhe, më pas, në bazë të vendimit, do të shpallet zyrtarisht edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës. Partia Socialiste, përmes kësaj kërkese, kërkon rrëzimin si të pavlefshëm të vendimit Nr. 37, datë 16.05.2011 të KQZ-së, kur vendosi të mos miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pas numërimit të votave në KZAZ-në Nr. 49. Gjithashtu, në kërkesë-padinë e Partisë Socialiste, kërkohet pavlefshmëria e vendimeve nr. 710 dhe 711, datë 23.05.2011, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilave u shpall rezultati përfundimtar i Bashkisë së Tiranës, pas numërimit të votave të gjetura në kutitë e gabuara. Këto dy vendime, juristët e Partisë Socialiste i cilësojnë në kundërshtim me ligjin, pasi rezultati i shpallur prej tyre ka ndryshuar të gjitha tabelat e KZAZ-ve të depozituara në KQZ. Gjithashtu, në kërkesë-padinë e tyre, socialistët sjellin në vëmendje dhe faktin e mosrakordimit të fletëve të votimit me numrin e votuesve. “KQZ, nga hetimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit për kryetar Bashkie, në 117 kutitë ku ka ndërhyrë, ka vlerësuar 357 fletë votimi më shumë se vullnete të shprehura. Nga tabela përfundimtare nuk përputhet asnjë komponent i mësipërm, gjë që do të thotë se tabela përfundimtare e rezultatit është një tabelë alogjike në lidhje me shifrat dhe nuk mbështetet mbi të dhëna reale”.
Socialistët argumentojnë përmes shtatë pikave parregullsinë ligjore të të gjithë procesit të ndjekur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “I gjithë procesi administrativ, që fillon me mosmiratimin e vendimit nga KZAZ-ja Nr. 49 për plotësimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit dhe që vijon; Me mosnxjerrjen nga KQZ-ja të rezultatit të votimit të nxjerra nga çdo KZAZ për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë; Me moskorrigjimin e gabimeve të mundshme materiale nga KQZ-ja; Me ndryshimin në thelb të tabelave të rezultateve dhe vendimmarrjen e vendimeve nr. 710 dhe 711, datë 23.05.2011 etj; Në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor e të Kodit të Procedurave Administrative, është në tërësinë e tij një proces i parregullt ligjor”, thuhet në kërkesë-padinë e Partisë Socialiste.

Pensionistët

Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve i ka dërguar një letër Kolegjit Zgjedhor, ku kërkon ndryshimin e trupës gjykuese kur të shqyrtohet kërkesa e saj për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë. Kërkesa e kësaj partie argumentohet me mospërputhjen e shifrave në tabelën përfundimtare.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura