
Ish-hetuesi Agim Tirana rrëfeu dje në Gjykatën e kryeqytetit se si ishte goditur me grusht më 22 shkurt nga ana e ish-të përndjekurit politik, Gjergj Ndreca. Pas ngjarjes, Ndreca u shpreh se e goditi Tiranën, pasi kur ishte hetues i kishte fikur cigaren në ballë. Ish-hetuesi ishte thirrur si dëshmitar në procesin në ngarkim të Ndrecës dhe të bashkëpandehurit të tij Lirak Bejko në Gjykatën e kryeqytetit. Dëshmitari që aktualisht ushtron funksionin e avokatit, mohoi të kishte kryer veprime hetimore me Ndrecën para vitit 1990. Po ashtu, dëshmitari mohoi ngjarjen e pretenduar nga i pandehuri, sikur ai i ka fikur një cigare në ballë. Dëshmitari shpjegoi para trupit gjykues se e njihte Ndrecën prej dy vjetësh. Sipas tij, nga kjo kohë ai ofendohej dhe shahej herë pas here nga Ndreca, sa herë që përballeshin rrugëve të kryeqytetit. Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko u dërguan të pandehur në Gjykatë në mars të këtij viti, për shkak të akuzave në lidhje me dy episode të dhunshme ku janë goditur avokati Agim Tirana dhe deputeti Ilir Rusmaili.
DËSHMIA E TIRANES
Të pandehurin Gjergj Ndreca e njoh që para 2 vjetësh. Për herë të parë e kam parë tek kafja në kat të parë të godinës ku unë kam zyrën time të punës, pranë godinës së Komunitetit Mysliman. Ai ishte në një tavolinë tjetër. Më erdhi afër dhe më tha: Kur ke qenë ti shef i madh, më ke torturuar gjatë hetimit dhe më ke fikur cigaren në ballë. I thashë që nuk kam qenë shef i madh kur janë bërë hetime të krimeve politike. Unë kam qenë shef i madh, drejtues i hetimit, në vitet 1997-2000 dhe në këtë kohë nuk ka pasur hetime për krime politike. Unë s’kam pirë cigare asnjëherë në jetën time dhe, pa pirë cigare, s’kisha se si ta fikja në ballë. E pyeta se kush ishte hetuesi i çështjes. Ai më tha se kishte qenë Brahim Lahi. I thashë që i dilja unë garant, që as Brahim Lahi nuk e ka kryer këtë gjë. Me kaq u mbyll atë ditë. Nga ajo ditë dhe deri ditën e ngjarjes, më 22 shkurt 2012, sa herë që përballesha me Gjergj Ndrecën, ai nuk thoshte gjë tjetër veçse “do të … robt”, “do të vras”, “do të nxjerr sytë” e gjëra si këto. Kjo ndodhte edhe kur ai nuk ishte në gjendje të dehur. Kjo më krijoi shumë stres, pasi ai nuk fliste me zë të ulët, por me zë të lartë në çfarëdolloj ambienti që të ishte. Në ditën e ngjarjes unë isha duke u kthyer nga Ministria e Brendshme, ku isha për arsye pune. Po kaloja para hyrjes së lulishtes “1 Maji” dhe po ikja drejt banesës sime, që ndodhet në zonë e quajtur “Bërryli”. Kur po kaloja para hyrjes së lulishtes, në moment pashë Gjergj Ndrecën para meje. Ai më qëlloi menjëherë me grusht në syrin e majtë. M’u thye xhami i syzeve. Unë vura dorën mbi sy dhe i ktheva shpinën Ndrecës, për t’u mbrojtur nga goditje të tjera. Meqë u thye xhami i syzeve, mendova se isha dëmtuar në sy. Ai vazhdoi të godiste, por goditjet në shpinë nuk më lënduan. Në këto veprime Ndreca ishte i vetëm. Nuk pati njeri tjetër. Unë kapa telefonin dhe lajmërova policinë. Kur kapa telefonin, një nga shokët e tij, emrin e të cilit nuk po e them, pasi ai nuk është i pandehur, më kërcënoi duke më thënë “Mos kallëzo, se do të të zhdukim”, e të tjera si këto.
Ndreqa ia thotë në gjyq: Më ke djegur me cigare
TIRANE – Ndërhyrja e gjyqtarit Artan Gjermeni parandaloi dje zënkën që mund të lindte mes të pandehurit Gjergj Ndreca dhe dëshmitarit Agim Tirana. Pasi iu përgjigj të gjitha pyetjeve të drejtuara nga ana e prokurorit, gjyqtari Gjermeni i dha të drejtën e pyetjeve të pandehurit. Me ton të lartë zëri, Ndreca sqaroi para gjykatës se dëshmitari nuk po tregonte të vërtetën. Sipas tij, njohja mes të dyve nuk kishte ndodhur para dy vjetësh, por para viteve 1990. “Ti më njeh mua që kur më ke djegur me cigare”, tha Ndreca. Fakti u kundërshtua nga dëshmitari. Por situata u shua me ndërhyrjen e gjyqtarit, i cili urdhëroi të pandehurin që të mos bënte komente, por vetëm pyetje, nëse kishte. ar.ba
ARMAND BAJRAMI











