Tirana, Rubio vendos kushtet e rinovimit

May 15, 2012 | 14:14
Hulian Rubio

Te Tirana dje në mbrëmje ka pasur një mbledhje, ku veç takimit me lojtarët, ka pasur edhe një bisedë private mes trajnerit Hulian Rubio dhe anëtarëve të bordit drejtues. Burime të sigurta për “Panorama Sport” zbardhin gjithçka është diskutuar atje dhe kushtet e trajnerit për një rinovim të mundshëm. Duket hapur se dëshira për të vijuar bashkëpunimin ekziston dhe klubi është duke hartuar një plan ekzakt për këtë çështje. Pasi kanë dëgjuar kërkesat e trajnerit, pritet që të mërkurën të jepet miratimi. Siç dihej, spanjolli ka kërkuar rritje rroge, diku te 5 mijë euro më shumë, garanci financiare për ekipin dhe infrastrukturën, ku përfshihen kontrata dhe paga të futbollistëve, si edhe merkato. Ai dëshiron që të bëjë 4 ose 5 afrime cilësore, që do t’i shërbejnë ekipit të tij. Në momentin që janë radhitur kërkesat e teknikut dhe krerët e klubit do t’ia parashtrojë bordit drejtues. Janë këta të fundit me votat e tyre, që do të përcaktojnë të ardhmen e trajnerit spanjoll te Tirana, mbledhja e së cilës me shumë gjasa do të zhvillohet nesër, pra të mërkurën, ndonëse kjo ende nuk është zyrtare, por thjesht një plan paraprak. Me zhvillimin e këtij takimi, ku sigurisht të gjithë anëtarët do të jenë të pranishëm, administratori Tagani do t’i paraqesë një draft të plotë me kushtet e vendosura nga trajneri për një rinovim. Në këtë draft që do të paraqitet, përfshihet jo vetëm vlera e kontratës, pra paga mujore apo vjetore që do të marrë trajneri, por edhe vitet, nëse do të jetë mbi një sezon.

© Panorama.al

Te lidhura