Tirana, Rubio lë jashtë Duron para Alesundit

Jul 19, 2012 | 14:46

Hulian Rubio

Sot ndeshja/ Trajneri nuk e përfshin mesfushorin në 18-she.

“Është vendimi im. Norvegjezët superiorë, por do guxojmë”

Tirana-Alesund është në prag dhe, kur na ndajnë vetëm pak orë nga ndeshja e parë e turit të dytë të Ligës së Europës, në kampin bardheblu entuziazmi ndihet lehtas. Të gjithë besojnë, madje ky është edhe slogani i tifozerisë kryeqytetase, paçka se vështirësitë priten. Ndërkaq, trajneri ka befasuar duke lënë jashtë 18-es mesfushorin Klodian Duro, për të cilin nuk ka dhënë asnjë shpjegim.
Me çfarë morali vini në këtë ndeshje?
Logjikisht me moral të lartë, pasi në një ndeshje të dytë mund të ndihesh ndryshe. Ndonëse takimet janë të ndryshme nga njëri-tjetri, gjithsesi ndihemi më të përgatitur.
Dukeni më i qeshur se para Grevenmakerit, mos ndoshta e konsideroni më të lehtë ndaj Alesundit?
Jam më i kënaqur, pasi jemi më të përgatitur. Por jo prej kundërshtarit, pasi është më i vështirë. Ata kanë nivel, madje janë në avantazh, pasi kanë 5 muaj që përgatiten dhe janë në aktivitet. Janë më të fortë se Spartak Trnava madje.
Duke iu referuar këtyre që thatë, a do të zbresë në fushë Tirana si inferiore?
Unë në fakt bëra një analizë të kundërshtarit, sepse e kam studiuar atë dhe di mjaft, duke iu referuar informacioneve që kam. Por fakti që po tregoj karakteristikat e rivalit, kjo nuk do të thotë se ne do të zbresim si inferiorë në fushën e lojës. Ne jemi ata që jemi dhe kjo është një sfidë për t’u zhvilluar. Mirëpo fakti që ata kanë 4 muaj që stërviten është e rëndësishme, nga krahu tjetër ne kemi 3-4 javë.
Zbrisni në fushë me dy mungesa, sa do të ndihet një gjë e tillë?
Po, e vërtetë. Kemi një mungesë shumë të rëndësishme, siç është Bala. Po ashtu një tjetër, si Pisha. Ne nuk jemi edhe aq shumë që të kemi luksin të bëjmë zgjidhje, ndaj duhet të kënaqemi me kaq. Ato do të ndihen.
Si do ta kompensoni mungesën e Balës nesër (sot)?
S’kemi alternativa që ta keni të qartë, është vetëm Çota dhe Morina. Mund të luajë vetëm njëri, ose edhe të dy.
Pse Duro është lënë jashtë 18-shes?
Sepse kështu e kam vendosur unë. Apo e kam detyrim që të jap shpjegime…?
Mungesa e mesfushori a ndikon edhe te e ardhmja e tij?
Nuk kam përgjigje.
A ju ka inspiruar ndopak fitorja e Skënderbeut me Debrecenin?
Jam i lumtur dhe kam bërë tifo për Skënderbeun dhe i përgëzoj për fitoren. Unë i ndjek ndeshjet, ndoshta më shumë ato që kanë lidhje edhe me Shqipërinë. I shoh më me shumë interes. Mirëpo, nuk besoj që suksesi i korçarëve të ketë ndonjë lidhje me ne. Janë dy ndeshje komplet të ndryshme.
Pse ndodhi kjo rokadë e shiritit të kapitenit, nga Sina te Lika?
Pse duhet të përgjigjem mbi çdo pyetje që më bëni?! Mirëpo çfarë rëndësie ka se kush e ka apo jo shiritin? Pozicioni i kapitenit është që të përcjellë zërin e klubit dhe vendimet e trajnerit. Ky rol nuk ndikon te arbitri dhe rezultati me sa di unë. Ky është vendi që më takon mua si trajner dhe kjo është e përcaktuar edhe në kontratë.

Rekdal: Nuk ka favorit, por kemi vapën kundër
Trajneri i norvegjezëve të Alesundit, Kjetil Rekdal, nuk sheh asnjë favorit në turin e dytë të Ligës së Europës. Në përballjen e parë që do ta luajë sot ndaj Tiranës në orën 19:00 në transfertën shqiptare. “Skuadrën e Tiranës nuk e njoh shumë për të bërë një analizë të plotë. E kam ndjekur vetëm në ndeshjen kundër Grevenmakerit dhe, me sa vura re, ka një grup për t’u përshëndetur. Ne vijmë nga një mot ku temperaturat variojnë deri në 10 gradë, kurse këtu është vapë. Pra, në gjykimin tim, do të jetë një ndeshje e vështirë dhe nuk shoh ndonjë favorit”, u shpreh për mediat trajneri Rekdal.

Bastet
Duket se për ndeshjen e sotme ndërmjet Tiranës dhe Alesundit nuk ka favorit. Të paktën ky është mendimi i kompanive të basteve, të cilat i kanë kuotuar të dyja skuadrat me të njëjtin koeficient, me 3.40. Nga krahu tjetër, barazimi ka koeficientin 2.50. Që do të thotë, bardheblutë nuk kanë as më pak e as më shumë shanse sesa kundërshtari i tyre, i cili përpos kompanive të basteve, janë më superiorë, duke u nisur sigurisht edhe nga niveli i futbollit norvegjez, i cili është më i lartë sesa ai shqiptar. Ndeshja do transmetohet në orën 19:00 në “Supersport”.

© Panorama.al

Te lidhura