Tirana që kafshohet…

Jul 24, 2011 | 12:30

ROMEO HANXHARI

U bë nami duke protestu ar për faktin se Unaza e madhe e Tiranës do të futej 10 metra brenda Kopshtit Botanik. Dhe mbase mirë u bë që u protestua, se në fund të fundit protestat mirë i bëjnë çështjes mjedisore. …Veçse, protesta ishte nja 2 a 3 vjet me vonesë… Sepse, nëse do të ishim kujtuar të gjithë që më parë e të protestonim a të bashkoheshim me Sazanin e varfër, të cilit i zuri goja “pambuk” duke përsëritur që “Bashkia e Tiranës po jep leje ndërtimi e po i afron pallatet 13-katëshe fare ngjitur me Kopshtin botanik”, atëherë me siguri që nuk do të vinim tani në situatën kur Unaza tashmë nuk ka ku të kalojë pa cenuar diçka, veç në e bëfshim Unazën nja 40 pash nën dhé, si metro. Se në fund të fundit, Unazën duhet ta bëjmë, se pa atë Tirana po asfiksohet nga trafiku e nga pluhurat. Pra, nëse që para 2, 3 a 4 vjetësh do të kishim harxhuar jo më shumë por 1 të 10-n e energjisë që po harxhojnë që prej disa muajsh disa shoqata mjedisore, atëherë do ta kishim ndaluar zënien me pallate të hapësirës ku duhej të kalonte Unaza, e s’do të vinim në këtë derexhé. Por, jo… Nuk u bashkuan disa shoqata mjedisore me Sazanin, se “Sazani bashkë me ambientalistët e tjerë në atë kohë paskësh bërë protestë aspak mjedisore”, pra “politike”, kështu që ata, “të pastrit” ndër mjedisorët, nuk mund t’u bëkëshin “pis” me atë protestë. …Ndërsa tani, tani ndryshuaka puna. Kur ajo që kundërshtonte Sazani në fakt ndodhi, pra pallatet u ndërtuan aty ku duhej të kalonte Unaza dhe ajo detyrohet të shtyhet, ata mjedisorë që nuk e përkrahën, dalin vetë në protestë. Goxha e vonuar pra protesta, por e rëndësishme është që protesta e kësaj radhe natyrisht që “nuk është politike”, por plotësisht “e pastër” dhe “e motivuar vetëm nga idealet mjedisore”. …Paçka se në ballë të protestave kësaj radhe ishin madje personalisht vetë deputetët e Partisë që qeveriste Bashkinë e Tiranës, e cila ka dhënë ato leje ndërtimi që po dënonin Unazën me vdekje. Dhe protesta e kësaj radhe luante me alibi të fortë. “Si, mos të vish të protestosh për Kopshtin Botanik?! Turp të kesh!”. Të vjen të thuash: “Mjaft or miq me hipokrizi! Ku ishit kur protestohej për lejet e ndërtimit të pallateve mbi Unazë?! Ku?!”. Të vjen të thuash e plot të tjera. Si p.sh., “ku ishit të nderuar miq kur Bashkia filloi gërmimet tërë pluhur në sheshin Skënderbej pa leje mjedisore?! Nëse do të ishit ngritur atëherë, do ta ndihmonit Bashkinë mos të bënte gabimin e radhës”. Të vjen të bësh edhe shumë pyetje të tjera, …por nuk po i bëj. Sepse s’dua të bie në nivelin e atyre që “për një plesht djegin gjithë jorganin”. Dhe sepse e konsideroj aset, pasuri, vlerë të pazëvendësueshme të gjithë shoqërinë civile mjedisore, pjesë e së cilës jam edhe vetë, çka më bën me nder për kolegët e shoqatave mjedisore. Gjithsesi, nga kjo lloj historie e trishtuar duhet të nxjerrim një mësim: që problemet duhen identifikuar e ngritur që në embrion dhe që paragjykimet e njëri-tjetrit nuk na ndihmojnë as neve, as vendimmarrësit përgjegjës dhe në fund të fundit as zgjidhjen e problemit. Për këtë motiv, tashmë është koha që shoqatat mjedisore, të gjithë ne, të bashkëpunojmë në radhë të parë mes nesh. Dhe sidomos është koha që të bashkojmë forcat si partnerë me pushtetin lokal dhe ta ndihmojmë atë që të realizojë mirë dhe pastër detyrimet në interes të bashkëqytetarëve tanë. Le ta fillojmë sërish nga Tirana, ku janë të përqendruara edhe pjesa më e madhe e shoqatave mjedisore. Së pari, duke denoncuar problemet që po përkeqësohen prej kohësh. P.sh., për të përmendur vetëm njërin nga problemet e shumta, gjatë vitit të fundit në Tiranë ka filluar të shfaqet sërish një farë “kioskëzimi” i një forme të re: kafenera në katet e para që betonojnë hapësira të tëra të lulishteve mes pallateve, kioskëza të vogla që hidhen natën në cepa pallatesh, pirgje betoni që hidhen në lulishte si për të “prenotuar” vendin për kafenenë e radhës, tavolina e karrige të bareve që pushtojnë trotuaret e këmbësorëve apo hapësirat e pabetonuara etj., etj. Dhe këto fenomene të “kioskëzimit” nuk kanë filluar këto 2 muaj që vazhdoi beteja ligjore për Bashkinë, siç thoshte revista “Mapo” e para një jave. Jo, jo. Ka filluar që prej 1 viti dhe sidomos që në janar a shkurt, pikërisht atëherë kur punët e administratës së Bashkisë së Tiranës u lëshuan fare pa fré, për shkak të fushatës. Shikoni rrugën “Myslym Shyri”, aty ku disa miq të mi të “Mapo”-s pinë dhe kafen e lagjes. I keni parë sa bare janë shtuar në katet e para të pallateve buzë lulishteve të lagjes?! Ato kanë shtruar me pllaka a me beton “dher-ishtet” (…se veç dhé kish atje, e jo lule) që u takojnë gjithsesi të gjithëve, duke i ndarë parcela-parcela si të ishin në tokë të babës. Këto hapësira janë betonuar pak nga pak dhe tani është e pamundur të gjesh një vend me bar a me dhé ku të rrish pa paguar për tavolinën apo stolin. Ne e kemi ngritur disa herë këtë problem, por me sa duket, s’kishte njeri kohë të merrej me punë. E pra, “Myslym Shyri” është rrugë kyçe në zemër të Tiranës dhe Policisë Bashkiake i ka takuar të kalojë me dhjetëra herë në ditë aty, por ose “s’ka pasur kohë” të merret me këtë problem, ose ka ngjyer biskotën në mjaltë e ka ikur. …Kjo është Tirana që kafshohet dita ditës nën indiferencën e administratorëve të territorit të saj. Ky është një problem që ulërin, por ama edhe shumë i thjeshtë për t’u adresuar kur ka vullnet. …Se ka dhe një mal me probleme të tjera që kanë qenë gangrenë e Tiranës. Nuk po flas këtu për trotuaret “e privatizuara” para bingove a kafeve ku qytetarët e këtij qyteti nuk lejohen të parkojnë makinën apo për plehrat që treten rrugëve të qytetit, apo për ndarëset e sapovëna të korsive të autobusëve që u shkërmoqën si të qenë bukë peshku, apo për blloqet e betonit që shefat e Bashkisë po ngulin në mes të rrugës pa konsideruar rrezikun vdekjeprurës për përdoruesit e saj, apo për autobusët urbanë të cilët bëjnë garë kush e kush të ecë më ngadalë, apo për shumë e shumë problemet e tjera që po përkeqësohen në këtë qytet. Nuk ka kohë për të shkruar veç e veç për secilin nga këto probleme. Por secili prej tyre duhet adresuar sa më shpejt për të shmangur degradimin e mëtejshëm. Që mos të themi nesër “eh, tani është vonë” apo “ku ishit ju, pse nuk folët?”. Fakti që administrata e këtij qyteti ka mbyllur sytë e ka lidhur duart, i ka bërë shoqatat mjedisore edhe më të përgjegjshme për t’i hapur sytë e për të bërë thirrje për zgjim. …Zaten nuk ka nevojë t’I bësh sytë katër që të konstatosh se mjedisi dhe kontrolli mbi territorin në Tiranë po vjen në një situate që nuk mund të tolerohet më tej. Ndaj ne si ANEP po e ngremë zërin që në këtë moment, siç kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Me përgjegjësinë se shoqatat mjedisore dhe administrata lokale duhet të tregojnë partneritet dhe respekt për njëratjetrën, për hir të qytetit të përbashkët. Vetëm partneriteti mund të na nxjerrë në dritë. …Veçanërisht në këtë Tiranë, në këtë moment delikat dhe në këtë gjendje ku ndodhet mjedisi dhe territori.

© Panorama.al

Te lidhura