Tirana, PS: Katër pyetje Komisionit të Venecias

Jul 10, 2011 | 10:20

Partia Socialiste i drejtohet Komisionit të Venecias për zgjedhjet në Tiranë.Përmes një shkrese ku përfshihen 4 pyetje e që në thelb kanë zbatimin korrekt të ligjit nga ana Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, socialistët kërkojnë opinionin e këtij komisioni për të përcaktuar ligjshmërinë e të gjithë procesit zgjedhor të 8 majit. Mësohet se letër-kërkesa është firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, duke shprehur në këtë mënyrë shqetësimin e 64 deputetëve socialistë të Parlamentit të Shqipërisë. Letra i është dërguar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Torbjon Jagland, i cili do t’ia bashkëngjisë shqetësimet e deputetëve socialistë kërkesës që ai vetë ka premtuar se do t’i dërgojë Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale në Shqipëri. Sekretari Ligjor në Partinë socialiste, Fatmir Xhafaj, tha për gazetën “Panorama” se letra ka ditë që është dërguar dhe prej saj pritet opinioni i Komisionit të Venecias. Socialistët kërkojnë një opinion nga Komisioni i Venecias lidhur me faktin se “si duhet të trajtoheshin nga KQZ-ja fletët e gjetura në kutitë e gabuara”, duke pritur një mendim të kualifikuar dhe jashtë preferencave partiake për çështjen e shumëdebatuar të zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë. Pika e nxehtë e shpalljes së rezultatit të Tiranës, që u bë dhe objekt shqyrtimi në Kolegjin Zgjedhor, kërkohet të shqyrtohet nga Venecia. “A mundej KQZ-ja që pas përfundimit të procesit së numërimit më 14 maj të vlerësonte votat e hedhura gabim dhe të nxirrte një tabelë të re duke ndryshuar rezultatin?” – i pyesin deputetët socialistë anëtarët e Komisionit të Venecias. Duke i paraprirë një vendimi të Kolegjit Zgjedhor për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë për shkak të mospërputhjes se numrit të fletëve të votimit me numrin e zgjedhësve, socialistët kërkojnë një opinion nga Komisioni i Venecias nëse “jemi përballë një pavlefshmërie të paevitueshme, pasi nga tabela e rezultatit të KQZ-së dalin më shumë fletë të gjetura në kuti se sa numri votuesve?”. Pasi anëtarët e Komisionit të Venecias të kenë dhënë opinion e tyre për fletët e hedhura gabim dhe pavlefshmërinë e rezultatit të Tiranës, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Ruçi, kërkon një konstatim nga ky komision lidhur dhe me standardet e këtyre zgjedhjeve. “A ishin zgjedhjet e 8 majit të lira dhe të ndershme, sipas standardeve?” – pyesin socialistët Komisionin e Venecias. Në pamundësi për t’iu drejtuar direkt Komisionit të Venecias për problematikën zgjedhore të trajtuar që prej dy vjetësh lidhur me zgjedhjet e 2009-s, por dhe zgjedhjet lokale të 8 majit, socialistët i janë drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës. Torbjorn Jagland, zyrtari i lartë i KiE-së, një muaj më parë u shpreh përmes një letre se në përfundim të procesit ligjor të zgjedhjeve të 8 majit, do të vinte në lëvizje Komisionin e Venecias për të marrë prej tij opinionin se çfarë problematike kanë zgjedhjet në Shqipëri dhe ku duhet të fokusohet reforma zgjedhore.

Pyetjet e PS për Komisionin e Venecias

1. Si duhet të trajtoheshin nga KQZ fletët e gjetura në kutitë e gabuara?

2. A mundej KQZ që pas përfundimit të procesit të numërimit më 14 maj, të vlerësonte votat e hedhura gabim dhe të nxirrte një tabelë të re duke ndryshuar rezultatin?

3. A jemi përballë një pavlefshmërie të paevitueshme, pasi nga tabela e rezultatit të KQZ dalin më shumë fletë të gjetura në kuti se sa numri i votuesve?

4. A ishin zgjedhjet e 8 majit të lira dhe të ndershme, sipas standardeve?

Procedura

Komisioni i Venecias vihet në lëvizje nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës dhe kryetarja e Parlamentit të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Gjithashtu, si institucion pranë Këshillit të Europës, Komisioni vihet në lëvizje nga Presidenti dhe sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, ndërsa përgjigjja e tij është në formën e opinionit, dhe jo vendimit.

Presidenti

Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i kërkoi një muaj më parë Presidentit të Republikës, në një prononcim televiziv, se taktikat e zvarritjes që mund të vihen në zbatim për të ulur tempin politik të problemit duhet të marrin drejtim me anë të ndërhyrjes së Presidentit të Republikës. “Presidenti i Republikës duhet të ndërhyjë për të kërkuar asistencën e Komisionit të Venecias, si garanci për të dyja palët”, deklaroi Ngjela. Por, kreu i shtetit shqiptar nuk bëri asnjë adresim drejt Komisionit të Venecias, duke i lënë hapësira institucioneve të tjera që mund t’i kërkojnë ndërhyrjen këtij institucioni.

Kukan

Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, sugjeroi dy muaj më parë asistencën e Komisionit të Venecias ndaj Kolegjit Zgjedhor në marrjen e vendimeve profesionale e të pandikuara nga politika.
“Nëse ekspertët kanë paqartësi, mund t’u drejtohen institucioneve ndërkombëtare, ndofta Komisionit të Venecias. “Mendoj që institucionet ndërkombëtare mund të ndihmojnë në garantimin e marrjes së vendimeve nga Kolegji Zgjedhor, vendime që duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe të pavarura”, tha Kukan.

Çfarë është Komisioni i Venecias
Komisioni Europian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit, i njohur më mirë si Komisioni i Venecias, është organizëm këshillues mbi çështjet kushtetuese. I vendosur më 1990-n, Komisioni ka luajtur rol kryesor në miratimin e kushtetutave që janë konform standardeve të trashëgimisë kushtetuese të Europës. Fillimisht u konceptua si një mjet për rregullime kushtetuese emergjente, ndërsa tashmë Komisioni është shndërruar në një konsulent ligjor i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht. Ai kontribuon në përhapjen e trashëgimisë europiane kushtetuese, bazuar në vlerat ligjore themelore të kontinentit. Ai ka dhënë opinionet e tij në Shqipëri për ligjin e lustracionit, por dhe çështjen pensioneve të ushtarakëve.

Jagland: Do t’i kërkoj opinion Venecias

Torbjorn Jagland, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, është shprehur se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion rreth problematikës zgjedhore në Shqipëri. “Dëshiroj të ripërsëris synimin tim që menjëherë pas përfundimit të procedurave të sipërpërmendura, t’i kërkoj Komisionit të Venecias opinionin e tij mbi çështjet e mbetura lidhur me sistemin zgjedhor në Shqipëri, me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme të shmangen probleme të tilla të ngjashme”, është shprehur Jagland. Përmes një letre në adresë të Përfaqësueses së Përhershme të Shqipërisë pranë Këshillit të Europës, Margarita Gega, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës ka vënë theksin te fakti që “referimi ndaj shtetit të së drejtës nënkupton detyrimin e të gjitha palëve të interesuara për të respektuar vendimet e institucioneve të Drejtësisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë të Kolegjit Zgjedhor për procedurat e apelimit në vijim”.

Raundi i trete

8 maj, u zhvilluan zgjedhjet lokale me një pjesëmarrje të cilësuar si të kënaqshme, ndërsa në Tiranë morën pjesë mbi 250 mijë qytetare, një shifër rekord.

14 maj, u mbyll numërimi i votave në Tiranë dhe të dyja partitë nisën festimet pas një procesi të lodhshëm numërimi, veçanërisht në Njësinë Nr 5. Rama ndodhet në avantazh me 10 vota.

23 maj, KQZ-ja shpalli rezultatin përfundimtar për Tiranën pas numërimit në 114 kutive të votave të hedhura gabim. Basha ndodhej në avantazh me 81 vota para.

3 qershor, Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PS-së, duke legjitimuar procesin e hapjes së kutive dhe numërimin e votave gabim.

13 qershor, Kolegji Zgjedhor urdhëron që të hapen të gjitha kutitë e votimit në Tiranë, për të lexuar çdo votë të hedhur gabim.

22 qershor, KQZ përfundoi hapjen e 1823 kutive të votimit, në të cilat u gjendën 498 fletë të vlefshme. Sipas KQZ, Basha ka marrë 256 vota, ndërsa rivali, Rama, 242.

25 qershor, KQZ miraton rezultatin e nxjerrë pas hapjes së të gjitha kutive, ku Basha ndodhej me 93 vota para.

31 qershor, PS dorëzon ankesën në Kolegjin Zgjedhor për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë.

3 korrik, PS dorëzon një tjetër kërkesë në Kolegj për detyrimin e KQZ-së që të pranojë kërkesën ankimore.

5 korrik, nis shqyrtimi i kërkesës ankimore. PD kërkon që të dyja kërkesat të bashkohen, ndërsa më pas PS tërheq kërkesën e saj për pavlefshmëri dhe kërkon gjykim për kërkesën e dytë për të detyruar KQZ-në të marrë në shqyrtim ankesën e saj.

7 korrik, Kolegji Zgjedhor dëgjon palët, ndërsa PS dorëzon edhe provat, duke kërkuar edhe gjykim në themel për pavlefshmërinë.

8 korrik, Kolegji Zgjedhor jep vendimin në mëngjes duke rrëzuar kërkesën e PS e më pas edhe atë të pensionistëve për pavlefshmëri, 2 muaj pas ditës së zgjedhjeve.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura