Partia Socialiste kompleton dosjen që do të paraqesë pranë trupës së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor të hënën, kur të
shqyrtohet kërkesa për rezultatin e Bashkisë së Tiranës. Përveç argumentimeve për kompetencën e KQZ-së për të marrë vendimin në rolin e KZAZ-së së madhe të Tiranës, socialistët do të paraqesin si prova edhe tabelat e rezultateve të ardhura nga GNV-të dhe KZAZ-të e Tiranës, sipas të cilave, para se të hapeshin kutitë ku ishin votat e gabuara, rezultonte se Edi Rama ishte fitues me 10 vota më shumë. Në datën 5 qershor, përfaqësuesi ligjor i PSsë në KQZ, Genc Gjonçaj, i ka dërguar një letër sekretares së Përgjithshme të këtij institucioni, ku kërkon disa dokumente që kanë të bëjnë me vendimmarrjen që nxori Bashën fitues me 81 vota më shumë. “Në zbatim të neneve 24 dhe 26 të Kodit Zgjedhor, ju paraqes kërkesën për t’u pajisur me kopje të vërtetuara të dokumentacionit lidhur me tabelat e rezultateve të 485 qendrave të votimit për kryetar dhe për Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë dhe të kryetarit dhe Këshillit Bashkiak të njësive bashkiake të Tiranës; kopje të vërtetuara të tabelave përmbledhëse të rezultateve dhe vendimet e miratimit të tyre të KZAZ-ve nr. 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 52, 53, 54, 55, për kryetar dhe Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë dhe të kryetarit dhe Këshillit Bashkiak të njësive bashkiake të Tiranës”, thuhet në dy prej pesë pikave të kërkesës së Partisë Socialiste drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këtë praktikë PS-ja e ndoqi edhe në mbledhjen e fundit të Kolegjit Zgjedhor, ku u kërkoi gjyqtarëve ta detyronin KQZnë të paraqiste si prova edhe tabelat e ardhura nga grupet e numërimit të votave. Në të njëjtën kohë, në kërkesë-padi kërkohet procesverbali i dorëzimit të materialeve zgjedhore nga KQZ-ja te KZAZ-të dhe KQV-të ditët përpara 8 majit. “Kopje të vërtetuara të procesverbaleve të dorëzimit të materialeve zgjedhore nga KQZ-ja në 11 KZAZ-të e Tiranës dhe kopje të vërtetuara të procesverbaleve të dorëzimit të materialit zgjedhor nga 11 KZAZ-të e Tiranës në çdo KQV”, thuhet në kërkesë. Kjo dosje do t’u vihet në dispozicion pesë gjyqtarëve të Kolegjit përpara se ata të marrin vendimin për ankimimin e fundit të socialistëve.
DOKUMENTET QË KËRKON PS
1. Vendimin e zbardhur dhe të vërtetuar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të datës 2.06.2011 sa i takon shqyrtimit të kërkesave ankimore nr. 160, 161, 162, 163.
2. Procesverbalet e mbledhjes të datës 02.06.2011, të zbardhura dhe të vërtetuara sa i takon shqyrtimit të kërkesave ankimore nr. 160, 161, 162, 163.
3. Kopje të vërtetuara të procesverbaleve të dorëzimit të materialeve zgjedhore nga KQZ-ja në 11 KZAZ-të e Tiranës dhe kopje të vërtetuara të procesverbaleve të dorëzimit të materialit zgjedhor nga 11 KZAZ-të e Tiranës në çdo KQV.
4. Kopje të vërtetuara të tabelave të rezultateve të 485 qendrave të votimit për kryetar dhe Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë dhe të kryetarit dhe Këshillit Bashkiak të njësive bashkiake të Tiranës.
5. Kopje të vërtetuara të tabelave përmbledhëse të rezultateve dhe vendimet e miratimit të tyre të KZAZ-ve nr. 45, 46,
47, 48, 49, 50, 51, 52, 53, 54, 55, për kryetar dhe Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë dhe të kryetarit dhe Këshillit Bashkiak të njësive bashkiake të Tiranë
Shorti, kërkesa e PS të hënën, Haveri relatore
Kërkesa e radhës ankimore e Partisë Socialiste për rezultatin e nxjerrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për
Tiranën do të shqyrtohet të hënën e ardhshme, më 13 qershor, në orën 10:00. Një ditë pas depozitimit të padisë,
sekretariati i Kolegjit Zgjedhor ka organizuar shortin për të përcaktuar pesë gjyqtarët që do të përbëjnë trupën
gjykuese. Kështu, relatore e çështjes është zgjedhur gjyqtarja Dhurata Haveri, ndërkohë që anëtarë do të jenë
Sashenka Jonuzi, Meriban Mullaj, Astrit Kalaja dhe Marije Qirjazi. Nga pesë gjyqtarët që do të shqyrtojnë kërkesën
ankimore të Partisë Socialiste, dy prej tyre ishin pjesë e trupit gjykues që morën pjesë në vendimmarrjen ku u rrëzua
kërkesa për vendimin e KQZ-së për hapjen e kutive ku ndodheshin votat në kutinë e gabuar. Sashenka Jonuzi dhe Astrit Kalaja ishin dy prej pesë gjyqtarëve që votuan pro rrëzimit të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste. Kërkesa e 13 qershorit është e katërta që socialistët kanë dërguar në Kolegjin Zgjedhor pas zgjedhjeve. Kërkesa e parë u rrëzua pasi padia kishte të bënte me detyrimin që KQZ-ja të nxirrte një vendim, të cilin ajo e kishte marrë kur kërkesa u shqyrtua. Kërkesa e dytë kishte të bënte me vendimin në parim që kishte marrë KQZ-ja më datë 18 maj për të hapur kutitë ku ishin votat e gabuara. PS-ja u tërhoq nga kjo kërkesë pasi Kolegji nuk pranoi ta bashkonte me padinë që ishte bërë për vendimin e 23 majit, që e nxirrte sërish Bashën fitues. Ndërsa kërkesa e tretë ku PS-ja u rrëzua ishte ajo e së premtes.
KQZ ndan mandatet e këshillave, PD e PS dalin barazim në Berat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpërndan mandatet e këshillave bashkiakë dhe komunalë në Berat, Lezhë dhe Shkodër. Në mbledhjen e pasdites merrnin pjesë pesë nga shtatë anëtarët e KQZ-së, të cilët kanë votuar pro të gjitha
vendimeve për këto njësi vendore. Në Bashkinë e Beratit, që ka 35 mandate, ka rezultuar një ndarje e barabartë e
vendeve mes dy koalicioneve. Aleanca për të Ardhmen dhe Aleanca për Qytetarin kanë marrë nga 17 mandate secila, ndërkohë që vendimmarrja në këtë këshill duket se do të varet nga qëndrimet që do të mbajë LZHKja, e cila ka arritur të fitojë një mandat. Përsa i përket rrethit të Shkodrës, koalicioni i djathtë, i udhëhequr nga Paria Demokratike, ka marrë 2/3 e Këshillit Bashkiak, 30 nga 45 anëtarë që ka gjithsej. Koalicioni i majtë ka fituar 13 mandate, 1 mandat PBDNJ- ja dhe 1 mandat Partia e Mendimit Liberal. Në bashkinë e Vaut të Dejës, koalicioni i PD-së ka fituar 11 mandate, ai i PS-së 5 dhe një mandat e ka fituar një këshilltar i pavarur











