Tirana, leksion Teutës, lojtarët mbushin xhepat

Feb 11, 2012 | 12:33

Ndeshja e djeshme Teuta-Tirana 1-2

Tirana shkon -2 pikë. Kryebashkiaku premton dhënien e 100 mijë eurove.

Dominim bardheblu, dorëzohen durrsakët e Likës

Në Durrës “ligjin” e bën Tirana. Bardheblutë mundin kryesuesit e Superiores, madje në shtëpinë e këtyre të fundit, duke rihapur kampionatin, paçka se Teuta matematikisht vazhdon të jetë lidere me dy pikë avantazh përkundrejt ekipit të Rubios.
Gjithsesi, më shumë se rezultati 2-1 në favor të kryeqytetasve, ajo që u vu re në këtë 90-minutësh ishte strategjia dhe grinta që shpalosi para publikut vendës kundërshtari, duke vërtetuar edhe një herë se ky sezon ka pak gjasa që të flasë vetëm durrsakçe. Tekniku spanjoll kishte përgatitur më së miri këtë takim, duke hedhur në fushën e lojës një skuadër cinike, të kujdesshme në veprimet mbrojtëse dhe “vdekjeprurëse” në sulm. Një gol i Balës që në minutat e para të pjesë së parë dhe një autogol i dalë sërish nga këmbët e sulmuesit shkodran, zhvlerësuan vallëzimin mes mbrojtësve të Çotës në fundin e fraksionit të parë të lojës.
Atmosfera – Pritej që në “Niko Dovana” të shihej dhe shijohej veçse futboll dhe ashtu ndodhi. Organizim perfekt, fair-play si nga lojtarët në fushë, trajnerët në pankinë, por edhe nga dy tifozëritë, dhe një spektakël i garantuar, përpos motit të ftohtë dhe erës së detit, tipike si për kohën dhe për qytetin për të cilin flasim. Tribuna të mbushura plot e përplot, interesim i madh nga një sërë personalitetesh, jo vetëm të futbollit dhe një terren sportiv në parametrat më të mirë për një ndeshje mes dy kryesuesve të kampionatit.
Strategjitë – Fitoi skuadra me strategjinë më të mirë. Normale, pasi trajneri i Tiranës, ndryshe nga çfarë mendohej, nuk shkoi në Durrës për të barazuar. Absolutisht jo. Tirana luajti me tre sulmues, dy nga të cilët kishin edhe detyra specifike mbrojtëse, aq sa në mjaft raste Morina u bë një mbrojtës i majtë, ndërsa Teuta, edhe pse ishte në kushte më komode, me pesë pikë avantazh dhe luante në fushën e vet, nuk arriti që t’i ndahej frikës dhe emocioneve. Trajneri Lika preferoi një mesfushë të ngjeshur me 5 lojtarë dhe me vetëm një sulmues, Çotën, zgjidhje kjo që realisht nuk dha rezultat. Nga ana tjetër, Rubio, si një mjeshtër i vërtetë, ndryshoi të paktën tri herë skemën e ekipit të tij brenda 90-minutëshit, por sërish pati meritën e balancimit të reparteve me njëra-tjetrën, madje edhe kur skuadra i mbeti me një lojtar më pak.
Ndeshja – Takimi nisi dhe mbaroi nën efektin “Tiranë”. Bardheblutë luftuan për çdo top, duke mos i dhënë mundësi mesfushorëve durrsakë që të organizonin qoftë edhe një sulm të denjë. Mjaftuan vetëm 10 minuta, dhe një top i hedhur në zonë nga Lika u largua keq nga mbrojtja e Teutës e mbërriti në këmbët e Balës, i cili nuk mendoi dy herë për të lëshuar predhën e tij drejt rrjetës. Pas golit pritej që Teuta të reagonte, por Çota, i vetëm në sulm, shpeshherë detyrohej të vinte deri në mesfushë që të merrte një top. Gjithsesi, ka lavdi edhe për vendësit, dhe kjo lidhet pikërisht me emrin e Çotës, i cili në fund të kësaj pjese, me dy driblime nxori jashtë loje Dabullën dhe Dushkun, duke barazuar. Në fraksionin e dytë të lojës është sërish Tirana më këmbëngulëse dhe në një kundërsulm. Krosi i Balës në zonë për Azirin u devijua fillimisht nga mbrojtësi Stafa, por shkoi në portën e tij, duke shtangur Rizvanin. Minutat në vazhdim folëm disi edhe për Teutën, e cila kërkoi golin e barazimit, por pa forcën dhe saktësinë e duhur. Në fund Tirana merr tri pikë, rihap kampionatin, por mbush edhe xhepat, pasi për këtë fitore kryebashkiaku Basha pati premtuar jo pak, por plot 100 mijë euro.

Hulian Rubio
Rubio është i lumtur për fitoren kundër një Teute rivale, mirëpo si gjithnjë është me “këmbë në tokë”. “Ishim më mirë se Teuta, madje mund të meritonin edhe më shumë gola. Portieri Lika nuk u vu në asnjë moment në vështirësi, përveç rastit kur nxori topin nga rrjeta, në rastin e golit të pësuar. Dhe, më duhet ta them, që e realizuan me shumë fat, sesa me meritë. Ndonëse më duhet të pranoj se Teuta ka një ekip të mirë dhe të fortë. Ishte një lojë e bukur, e rregullt. Kemi fituar disa ndeshje në sekondat e fundit, sot ishte radha që ta shijonim më shpjet. Ne i marrim javët një e nga një dhe për mua asnjë ndeshje nuk është finale”.

Hasan Lika
E ka pranuar humbjen, madje nuk ka ngurruar që të përgëzojë dhe Tiranën. Hasan Lika, gjatë deklaratës së dhënë në përfundim të takimit, e pranoi hapur se Teuta e tij gaboi. “Qemë dy herë në disavantazh dhe ekipi e pati mjaft të vështirë që ta rimerrte veten, kjo solli disfatën. U ndëshkuam nga mbrojtja, mirëpo këto janë gjëra që ndodhin. U shthurëm taktikisht, ndaj mund ta them hapur se ndëshkuam vetveten, pa mohuar meritën e kryeqytetasve. Kampionati vazhdon. Kanë mbetur edhe 12 javë, kështu që me këtë takim nuk u mbyll asgjë, por thjesht një betejë”, tha në përfundim trajneri i Teutës, Hasan Lika.

Bekim Bala
Bekim Bala është pa dyshim heroi i ndeshjes së djeshme. Sulmuesi ka vënë vulën e tij, jo vetëm me golin e shënuar, por edhe në rastin e autogolit, pasi krosi erdhi nga këmbët e tij. “Shënova golin e parë dhe provokova autogolin në të dytin. Por fitorja nuk ishte dhurata që erdhi vetëm nga këmbët e mia, po nga i gjithë ekipi. Të jemi realistë dhe të flasim më këmbë në tokë. Tirana doli e fituar nga “Niko Dovana” dhe e ka shkurtuar ndjeshëm diferencën me Teutën. Mua kjo më intereson të evidentoj. Luajtëm më grintë dhe morëm atë që kërkuam. Sigurisht e mira nuk ka fund, por besoj se do arrij në gjendjen më të mirë”, ka thënë Bala.

Mirel Çota
Mirel Çota shënoi një gol me shumë vlera për Teutën e tij, duke ngritur peshë të gjithë stadiumin në minutën e 45-të. “Sigurisht që jam i lumtur për golin, po ai nuk ka forcë vlerë kur skuadra humbet. Do të doja më shumë që ekipi të fitonte. Tirana shfrytëzoi gabimet tona. Megjithatë, i uroj suksese rivalit dhe ishalla qëndron gjithnjë pas nesh në renditje. Kjo humbje nuk do të ndikojë në psikologjinë e ekipit, të paktën kështu shpresoj. Ne jemi të gjithë djem të rinj, ndaj nuk kemi arsye që të dorëzohemi. Është thjesht një disfatë, por shumë shpejt do kthehemi te rezultatet pozitive”, tha Çota.

Vllaznia
Laçi e nis me fitore fazën e dytë, teksa mposhti dje minimalisht Vllazninë në fushën asnjanëse të Krujës. Goli i shpejtë i sulmuesit Vilfor Hysa mbeti i pandryshuar deri vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Albano Janku. Vllaznia zhgënjeu me lojën e saj, edhe pse u mundua që të rregullonte diçka gjatë pjesës së dytë. Bardhezinjtë patën edhe raste të tjera shënimi, por nuk u treguan të saktë përpara portierit Vujadinoviç.

Superiore/ Java 14
Dje

Laçi-Vllaznia    1-0
Teuta-Tirana        1-2
Shënues: Çota 45’/ Bala 11, Stafa 56′(aut)
Sot
Kamza-Flamurtari    14:00
Shkumbini-Bylisi    14:00
Nesër
Tomori-Skënderbeu 13:00
Pogradeci-Kastrioti14:00
Të hënën
Dinamo-Apolonia    14:00

Renditja
Nr. Ekipi        ND    F    B    H    P

1. Teuta          14     10     2     2     32
2. Tirana         14     9     3     2     30
3. Skënderbeu    13     7     5     1     26
4. Kastrioti    13     7     2     4     23
5. Flamurtari     13     6     4     3     22
6. Bylisi         13     5     3     5     18
7. Shkumbini    13     5     3     5     18
8. Vllaznia     14     5     2     7     17
9. Laçi         14     5     5     4     14
10. Kamza     13     4     2     7     14
11. Pogradeci     13     5     1     7     13
12. Tomori    13     3     2     8     11
13. Apolonia     13     2     2     9     8
14. Dinamo    13     0     4     9     1
SHËNIM: Laçi, minus 6 pikë (dënuar nga Disiplina). Pogradeci, minus 3 pikë (dënuar nga Disiplina). Dinamo, minus 3 pikë (dënuar nga FIFA).

Nga Durrësi LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura