Tirana-kryeqytet, zbulohet qarkorja e Ahmet Zogut

Feb 9, 2012 | 12:41
Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës duke hyrë në Tiranë më 11 shkurt 1920

Si sot 92 vjet më parë u shpall Tirana kryeqytet dhe ky vendim do të hynte në fuqi menjëherë, kur qeveria e zgjedhur në Kongresin e Lushnjës do të vinte këmbë në qytet, më 11 shkurt. Edhe pse Kongresi u zhvillua në Lushnjë, vendimet e tij do të kishin jehonë më të madhe në kryeqytetin e porsazgjedhur, i cili priti qeveritarët e rinj. “T’i bahet me dijt popullit atjeshëm se kabineti ri i zgjedhun nga mbledhja Kombtare e Lushnjes, më 11. të k. muajit mrriti në Tiranë e filloji nga puna. Tirana u shënua për kryeqytet”. Kështu shkruante në një qarkore drejtuar të gjitha prefekturave të Shqipërisë, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Ahmet Zogu. Shefi i sektorit të protokollit dhe ceremonialit pranë Bashkisë së Tiranës, Valter Gjoni, na vë në dispozicion një sërë dokumentesh, mes të cilave qarkore apo fotografi, që tregojnë se si u vunë në jetë, pikërisht në Tiranë, vendimet e Kongresit të Lushnjës. “Kongresi i Lushnjes u ndie më së shumti në Tiranë, ku ruhet më së miri elementi historik. Kemi godinën e Regjencës (Këshilli i Naltë), sot Akademia e Shkencave, kemi disa pllaka përkujtimore, për godinën e qeverisë, pastaj më vonë të Bashkisë, ndërkohë që është kryetari i bashkisë së Tiranës, Ismail Efendi Ndroqi, që e priti dhe e sistemoi qeverinë që doli nga ky kongres. Ishte Bashkia e Tiranës që mbështeti të gjitha veprimet patriotike të Kongresit të Lushnjës”, thotë Gjoni. Pikërisht ky moment, ai i hyrjes së qeverisë së zgjedhur në Lushnjë, është fiksuar në një fotografi, e cila na vjen e dëmtuar nga koha, por ku mund të shquhen disa prej protagonistëve të saj. Janë kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili do të mbesë në histori si kryetari i parë i kryeqytetit të ri, Ismail Efendi Ndroqi, por edhe Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Ahmet Zogu, Eshref Frashëri dhe Mytesim Këlliçi. “Në arkivin e Bashkisë, por edhe në të tjerë arkiva, gjenden dokumente shumë interesante në lidhje me këtë. Një ndër to është procesverbali i Kongresit të Lushnjës”, thotë Valter Gjoni. Në këto procesverbale mësojmë për zhvillimin e kësaj ngjarjeje. Duket se protokollarët e asaj kohe ishin shumë të kujdesshëm për të mbajtur mirë të dhënat, datat, orët, pjesëmarrësit. Edhe mënyra se si quheshin deklaratat apo udhëzimet asokohe. Gjejmë termat “zëdhënie” e “qarkore”, ndërsa për seancat plenare përdorej termi “çelje”. Dhe jo vetëm për dëshmitë historike që mbartin, por edhe nga mënyrat e formulimit, ato do të ngjallnin mjaft kërshërinë e publikut. “Të gjitha këto i japin një shtysë të mëtejshme idesë për ngritjen e një hapësire për ekspozimin e kësaj historie të vendit. Po shkojmë gradualisht në 100- vjetorin e Tiranës kryeqytet dhe është e domosdoshme që kjo ngjarje e përjetësuar edhe në emrat që mbajnë rrugët e kryeqytetit, të ketë hapësirën e vet, qoftë në muzeun që Bashkia ka kohë që po mendon ta ngrejë apo si një muze më vete”, thotë Gjoni.
DOKUMENTET
Në këtë 92-vjetor të Kongresit të Lushnjës, por edhe të shpalljes së Tiranës kryeqytet, studiuesi Valter Gjoni na ofron një sërë dokumentesh interesante, të cilat pak ose aspak janë publikuar. Por edhe një informacion të shkurtër se cilët ishin katër burrat që përbënë Këshillin e Naltë apo Regjencën, që kishte pushtetin e kryetarit të shtetit. Bëhet fjalë për Aqif Pashë Elbasanin, Imzot Luigj Bumçin, Abdi Toptanin dhe Mihal Turtullin, emrat e të cilëve i mban edhe nga një rrugë e Tiranës. Por ato që përbëjnë më shumë kuriozitet, janë dokumentet. Krahas qarkores që ministri i asaj kohe, Ahmet Zogu, u dërgon prefekturave për shpalljen e Tiranë Kryeqytet, kemi edhe disa faqe nga procesverbali i Kongresit të Lushnjës. Ndër të tjera në këtë procesverbal janë shënuar edhe formulat e betimit të delegatëve të Kongresit, por edhe të Këshillit të Naltë. Asokohe shqiptarët betoheshin para Perëndisë, por edhe mbi besën e shqiptarit. Interesante është fjala që Regjenca ka mbajtur në Parlamentin shqiptar, ku në emër të saj Eshref bej Frashëri shpreson që të ketë një fqinjëri të mirë me Jugosllavinë e Greqinë, se Italia do të njohë vullnetin e shqiptarëve e do të ndryshojë politikën ndaj saj, se “Ingliterra” e Franca do të vazhdojnë të mbështesin interesat e popujve të vegjël… Një lumë falënderimesh vjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidentin Wilson për rolin që kanë luajtur në “indipendencën” e Shqipërisë. Një tjetër dokument na bën me dije vështirësitë e mëdha me të cilat u përball qeveria e re shqiptare. Aq sa u detyrua të merrte një “hua të brendshme” nëpër qarqet e vendit dhe, siç na dëshmon, ky dokument i quajtur “Zëdhënie”, Gjirokastra, Shkodra e Korça ndihmuan qeverinë e re me nga 1 mijë apo 2 mijë lireta, të cilat do të ktheheshin me përqindje.

QARKORE MINISTRISE SE BRENDSHME
T’i bahet me dijt popullit atjeshëm se kabineti ri i zgjedhun nga mbledhja Kombtare e Lushnjes, më 11. të Muajit mrriti në Tiranë e filloji nga puna. Tirana u shënua për kryeqytet. Për dorëzimin e aktevet në Durrës masat e nevojshme janë marrë. Jeni të porositun qarkoret e lidhuna sa ma shpejt të ndahen në nënprefekturat e katundarit të qarkut tuaj. Tiranë më 13. II. 920 Ministri i P. Brendshme, Ahmet Zogu

BETIMI I DELEGATËVE
Në procesverbalin e Kongresit të Lushnjës, ndër të tjera gjejmë dhe formulën e betimit të delegatëve: “Mbledhja kombtare jep fjalën e nderit e besën e shqiptarit duke u betuar në emën të perëndis se deri sa Këshilla e Naltë vepron mbas ligjet të Shtetit tue ruejtun indipendencën e plotë të Shqipnis me mish e me shpirt, do të jetë mprojtës e përkrahës i gjithhershëm i kësaj Këshille”.

BETIMI I KËSHILLIT TË NALTË
Pas betimit të delegatëve, është radhë e regjentëve të betohen para Perëndisë: “Betohem n’emër të Perëndis, tue dhanë besën Shqiptare e fjalën e nderit para mbledhjes së Kombit se do shërbej popullit dhe Shtetit Shqiptar drejtësisht, do të mbrojë ligjet dhe indipendencën e plotë t’Atdheut Shejt”.

Kreu i parë i kryeqytetit

Myderiz Ismail Efendi Ndroqi

Lindi në vitin 1876, në Tiranë. Mësimet fillestare i ndoqi në Tiranë në shkollën “Ruzhdie”, ndërsa studimet e larta në Stamboll, studioi për teologji nga viti 1893-1908. Gjatë kësaj kohe u bë një veprimtar në Lëvizjen Kombëtare, duke u shoqëruar me atdhetarët Ismail Qemali, vëllezërit Frashëri etj. Ismail Efendi Ndroqi ishte ndër udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare në Tiranë. Gjatë viteve 1914-1915, u burgos me shumë atdhetarë të tjerë nga forcat e Haxhi Qamilit. Në vitin 1917 u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku shërbeu me ndershmëri deri më 1922-shin. Ka qenë një nga nismëtarët kryesorë në organizimin e Kongresit të Lushnjës. Dhe ishte pikërisht ai që priti, me shumë luftëtarë të tjerë, në Qafë-Kashar, qeverinë e Lushnjës, duke hyrë në Tiranë në krye të saj, përmes ushtarëve italianë që përpiqeshin ta pengonin. Pas 92 vjetësh, Tirana mbeti kryeqytet dhe kleriku Imail Efendi Ndroqi ka hyrë në histori si kryetar i parë i kryeqytetit Tiranë dhe si kryetari që i hapi dyert qeverisë së Kongresit të Lushnjës.

AQIF PASHË ELBASANI
Lindi në Elbasan, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll për drejtësi. Veprimtarinë politike e nisi qysh se Shqipëria ishte nën Perandorinë Osmane. Pas shpalljes së Pavarësisë u emërua në administratën e shtetit. Në vitin 1913 u bë prefekt i Elbasanit. Në kohën e regjimit të Vilhelm Vidit, për gjashtë muaj u emërua ministër i Punëve të Brendshme. Pas kësaj u detyrua të linte vendin e të kalonte në emigracion politik, në Bari të Italisë, por nuk qëndroi gjatë. Në mbarimin e Luftës së Parë Botërore u radhit në krah të forcave politike që organizuan Kongresin e Lushnjës. U zgjodh kryetar i punimeve të Kongresit dhe anëtar i Këshillit të Lartë.

IMZOT LUIGJ BUMÇI
Lindi në Shkodër 6 nëntor 1872 dhe vdiq më 1 mars 1945. Ishte peshkop i Kishës Katolike dhe diplomat shqiptar. Kreu arsimin fillor në shkollën e Jezuitëve dhe më pas Kolegjin Saverian të Shkodrës. Përfundoi studimet universitare në Itali, ku u shugurua prift. Kthehet në Shqipëri, ku fillon veprimtarinë patriotike dhe luftën kundër pushtimit osman. U bë nxitës i kryengritjes së Malësisë së Madhe. U emërua peshkop i Lezhës më 11 shtator 1911 nga Papa Piu X. Në 1919-n kryeson delegacionin e qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris. Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u zgjodh një nga katër anëtarët e Këshillit të Lartë.

ABDI TOPTANI
Lindi në Tiranë (1864 -1942) ku kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen në Stamboll. Shumë shpejt do t’i bashkohej lëvizjes kombëtare. Si veprimtar i çështjes kombëtare, bashkohet dhe bashkëpunon ngushtë me Ismail Qemalin në periudhën e shpalljes së Pavarësisë. Firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, ministër i Financave në qeverinë e parë shqiptare. Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u zgjodh edhe anëtar i Këshillit të Lartë. Si kundërshtar i regjimit të Zogut, dënohet me vdekje, por ky vendim nuk u zbatua si pasojë e reagimit të madh publik.

MIHAM TURTULLI
Lindi në Korçë (1847-1935), ku edhe mori arsimin fillor e të mesëm. Studimet e larta për mjekësi (okulist) i kreu në Greqi dhe në Francë. Jetoi për shumë vite jashtë vendit, kryesisht në Egjipt dhe Zvicër. Veprimtar politik i çështjes kombëtare, disa herë ministër në qeveri të ndryshme dhe publicist në organet e diasporës. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë. Përveçse veprimtar i çështjes kombëtare, Mihal Turtulli vlerësohet edhe si filantrop i madh, pasi kontribuoi mjaft për qytetin e Korçës, veçanërisht në fushën e zhvillimit të arsimit.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura