Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë sot ndarjen e mandateve për Këshillin Bashkiak të Tiranës.Në materialin që ka përgatitur administrata rezulton se pas fitores së Lulzim Bashës, koalicioni “Aleanca për qytetarin” do të ketë shumicën në këtë këshill me 28 anëtarë, ndërsa koalicioni “Aleanca për të ardhmen” ka marrë 27 mandate.
Vendimi
Sipas Kodit Zgjedhor, ndarja e mandateve të këshillave për zgjedhjet lokale kërkon pesë vota të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këto kushte, do të pritet se cili do të jetë qëndrimi i tre anëtarëve të opozitës për këtë çështje. Burime nga Partia Socialiste bënë të ditur për gazetën gjatë paradites së sotme se do të ketë një konsultim mes avokatëve të PS-së në KQZ dhe anëtarëve të Komisionit, ku do të vendoset edhe qëndrimi që do të mbahet. Megjithatë, burimet saktësojnë se më shumë mundësi ka që të mbahet i njëjti qëndrim me atë të këshillave të minibashkive, të cilat nuk u votuan dhe përfunduan në Kolegjin Zgjedhor. Gjatë diskutimit në KQZ, përfaqësuesit e PS-së nuk e votuan tabelën e rezultatit përfundimtar me pretendimin se KQZ-ja nuk i kishte detajuar qendër për qendrën votat që dolën nga kutitë e gabuara.
Mandatet
Nisur nga mënyra se si u ndërtuan këto koalicione, PD-ja ka ndarë numrin e këshilltarëve dhe me parti të tjera, duke marrë vetë 19 këshilltarë, e ndjekur nga Lëvizja Socialiste për Integrim me 5 këshilltarë, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet me 2 këshilltarë e më pas Partia Republikane dhe Partia e Legalitetit me nga një këshilltar secila. Ndërsa në koalicionin “Aleanca për të ardhmen”, PS ka marrë një numër më të madh këshilltarësh, 25, dhe dy parti përbërëse të këtij koalicioni, Demokracia Sociale dhe PSV ’91, kanë marrë nga një këshilltar. Partia Socialiste ka marrë në Tiranë 104 465 vota, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 77 142 vota, por pa mundur të përcaktojë shumicën e Këshillit Bashkiak. Lista e këshilltarëve të PD-së kryesohet nga Jorida Tabaku, e cila mban njëkohësisht edhe postin e zv.ministres së Integrimit. Ndërsa Partia Socialiste, e cila ka gjashtë këshilltarë më shumë se PD-ja, ka në listën e saj ish-zv.ministren Ardiana Berberi, shkrimtarin Kiço Blushi, përfaqësuesin ligjor në KQZ, Eridian Salianji etj.
Beteja e PS
Partia Socialiste do të shfrytëzojë çdo hapësirë të mundshme për humbjen e zgjedhjeve në Tiranë, duke iu drejtuar institucioneve më të larta gjyqësore. Ndonëse vendimet e tyre nuk mund ta kthejë më Tiranën, PS ka vendosur që ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për gjykim si proces jo të rregullt, si dhe do t’i kërkojë Komisionit të Venecias mendim ligjor për praktikën e KQZ-së. Nëse rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese, PS do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.
Këshillat e minibashkive
Këshillat e minibashkive të kryeqytetit u vendosën në Kolegj Zgjedhor. Pas hapjes së kutive të votimit dhe numërimit të votave të hedhura gabim, KQZ nuk i futi në rezultat këto vota, ndonëse ato nuk ndikonin në rezultat. Kjo bëri që në KQZ, akti i ndarjes së mandateve të mos kalonte me 5 vota dhe çështja shkoi në Kolegj nga Partia Demokratike. Kolegji u shpreh se duhet të ndahen mandatet sipas tabelës së KQZ-së.
9 komuna
do të kenë zgjedhje të reja. KQZ pritet të caktojë datën e zgjedhjeve në to, ku në disa nuk u bënë zgjedhjet më 8 maj dhe në disa u rrëzuan në Kolegj Zgjedhor. Bëhet fjalë për komunat Shllak, Papër, Pishaj, Mollaj, Zall-Dardhë, Armen, Kolsh, Shalës dhe Finiq.
20 ditë
llogariten në tërësi se do të duhen që kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, të nisë detyrën. Me ngritjen e Këshillit Bashkiak, Basha duhet të bëjë betimin dhe në pamundësi të Këshillit, pra vonesave në ngritjen e tij, Basha mund të betohet para prefektit.
2 muaj
zgjati procesi zgjedhor në Tiranë nga data e votimit, duke përfshirë një numërim të lodhshëm që zgjati afërisht një javë e më pas një beteje ligjore në KQZ dhe në Kolegj. PS ngriti disa padi në Kolegj, por vetëm njëra u pranua pjesërisht, ajo për hapjen e të gjitha kutive të votimit.
Kolegji Zgjedhor
Sot pritet të mblidhet sërish Kolegji Zgjedhor, pasi trupa gjyqësore pritet të japë edhe dy vendime të fundit që kanë të bëjnë me ndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak në komunën Lazarat dhe Bashkinë e Bajram Currit, të kërkuar nga Partia Demokratike. Në këto dy komuna, PD pretendon se ka pasur gabime me shifrat në tabelat e rezultatit dhe është reflektuar në ndarjen e mandateve. Konkretisht, PD pretendon se ka humbur padrejtësisht një mandat në Bajram Curri, duke i kaluar PSV ‘91. Nga ana tjetër, në Lazarat, PD pretendon se aleatët kanë marrë më shumë seç u takon. Nga 12 mandate për koalicionin, vetëm Partia Agrare Ambientaliste ka marrë 4 mandate.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











